Berisha: 2008, privatizimi i KESH, ARMO-s e INSIG-ut
Kryeministri shpall prioritetet për 2008, ku përparësi do t'i jepet privatizimit të disa kompanive
TIRANË- Qeveria premton të përmbyllë gjatë vitit 2008 privatizimin e disa kompanive të mëdha me kapital shtetëror, si Korporata Elektroenergjitike, ARMO-n apo edhe INSIG-un. Kryeministri Berisha, në mbledhjen e parë të qeverisë për këtë vit, e ka konsideruar vitin 2008 si përcaktues për përmbylljen e reformave të mëdha të ndërmarra nga qeveria, midis të cilave dhe privatizimet e këtyre kompanive. "Ky vit, do të jetë viti i privatizimeve të mëdha, i KESH-it, ARMO-s, INSIG-ut, Drejtorisë së Kontrollit të Automjeteve dhe koncesioneve të tjera të mëdha. Ne jemi qeveri e standardeve liberale, e iniciativës së lirë",- u shpreh Berisha dje në fjalën e vet, të mbajtur para kabinetit të tij qeveritar. Për realizimin e këtyre privatizimeve ai ka theksuar se qeveria dhe institucionet që varen prej saj, kanë bërë një punë parapërgatitore serioze në drejtim të këtyre privatizimeve. Për këtë, Kryeministri bëri të ditur se, është marrë ekspertiza dhe ndihmesa e çmuar e institucioneve ndërkombëtare. "IFC-ja dhe USAID-i kanë dhënë një ndihmesë shumë të çmuar për përgatitjen e privatizimit të Sektorit të Shpërndarjes së Energjisë, një tjetër kompani ka punuar seriozisht për privatizimin e ARMO-s, po punohet dhe ka një avancim për Drejtorinë e Kontrollit të Automjeteve dhe pritet të finalizohet vlerësimi ekonomik",- tha Kryeministri duke nënvizuar se edhe objekte të tjera, ndonëse jo kaq të rëndësishme, do të ecin drejt privatizimit. Ndërkohë, duke marrë shkas nga niveli i ulët i realizimit të investimeve publike gjatë vitit 2007, kreu i ekzekutivit i ka tërhequr vëmendjen dikastereve të veçanta, që të jenë të përgatitura për të përballuar një nivel më të lartë investimesh. "Ky vit është edhe viti i investimeve më të mëdha në historinë e vendit, për realizimin e të cilave kërkohet përqendrim edhe më i madh. Ministria e Financave do të vendosë disa standarde të reja, lidhur me procedimin për realizimin e investimeve. Këto standarde synojnë t'ju ndihmojnë dhe mobilizojnë, në mënyrë që të ketë një realizim të investimeve publike të shpërndarë mirë gjatë vitit",- tha Berisha. Gjithashtu ai u ka tërhequr vëmendje ministrave, që të gjitha mosarritjet e 2007 të kthehen në një mësim për punën në vazhdim të ministrive që ata drejtojnë.