Vrasja për gjakmarrje, tragjedi e paralajmëruar
Familjarët Ferhati: Pas ardhjes së Bilbilit nga Anglia, autori bënte lëvizje të dyshimta. Gabim i rëndë që na vranë vajzën
TIRANË- Kanuni i përjashton femrat nga gjakmarrja, ndaj edhe Bilbil Ferhati duket se kishte marrë të motrën me vete, për të shmangur gjakderdhjen e parandjerë. Por hasmit nuk iu drodh dora, duke kaluar të gjitha normat e kanunit e duke kthyer në viktimë të hakmarrjes edhe një tjetër femër në këtë vend. Familja Ferhati kishte parandjerë rrezikun e hakmarrjes nga familja Puci. Atyre u kishin ardhur fjalë se Hasan Puci vërtitej nëpër lagje, fare pranë banesës së tyre, ndaj dhe kishin frikë se po planifikohej hakmarrja e shumëpërfolur. Lëvizjet e shpeshta dhe të dyshimta të Pucit nëpër lagje u shtuan kur djali i familjes Ferhati, Bilbili u kthye pas 10 vitesh nga Anglia. Prania e një mashkulli në shtëpinë e familjes Ferhati duke se ka bërë që 65-vjeçarin Hasan Puci t'i japë start planit të tij të hakmarrjes për vrasjen e dy djemve të tij, rreth katër vjet më parë.
Tragjedi e paralajmëruar
Frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme nga familja Puci ka detyruar familjen Ferhati të kërkojë ndihmën e policisë. Të afërmit e dy viktimave pranonin dje nën zë se pak ditë para festave të fundvitit, kur Bilbili u kthye nga Angli, prindërit e tij i kërkuan ndihmë policisë që t'i merrte nën ruajtje. Ata kishin frikë se babai i dy djemve të vrarë edhe nga njëri prej djemve të familjes Ferhati, do të merrte hak. Por policia ka hedhur poshtë pretendimet e familjes Ferhati, duke u shprehur se nuk është bërë asnjë denoncim. "Nuk jemi sinjalizuar nga familja e viktimave për ndonjë hakmarrje të mundshme. Nëse do të ishim lajmëruar, do të kishim marrë edhe masa",- thanë për "Shekullin" zyrtarë të policisë së Tiranës. Të afërmit e familjes Ferhati të cilët ishin të shumtë dje për të përcjellë në banesën e fundit dy viktimat vëlla e motër shprehen se vrasja e femrës i ka revoltuar së tepërmi. Njësoj si autori i tragjedisë, ata e njohin dhe e pranojnë kanunin, duke pohuar: "hakmarrja le të vepronte tek dorësi, tek ai që ka kryer vrasjen dhe jo të pjesëtarë të tjerë të familjes, apo kundër një vajze të re".
Ceremonia mortore
"Femra nuk vritet për hakmarrje"- ishin fjalët më të shpeshta që dëgjoheshin dje nga të afërmit e familjes Ferhati, të cilët kishin mbërritur për të ngushëlluar prindërit e dy fëmijëve të vrarë. Vëlla e motër u përcollën dje rreth orës 15:00 për në banesën e fundit. "Vajza do të martohej së shpejti, por plumbat e hasmit i morën asaj jetën, ndaj dhe ne e bëmë nuse të vdekur"- shprehen të afërm të viktimës. Me dhjetëra njerëz ishin mbledhur në banesën e familjes Ferhati, të gjithë të shokuar nga ngjarja tragjike. "Të përcjellësh dy fëmijë nën dhe është e tmerrshme. Në bazë të kanunit, femra nuk vritet, në të kundërt haku merret në gjashtë breza"- shtojnë më tej të afërmit të familjes. Por nuk ka qenë e vogël dhimbja edhe për djalin, Bilbil Ferhatin, i cili ishte kthyer në shtëpinë e tij pranë prindërve, pas 10 vitesh emigrim në Angli. Ai kishte lënë dy djemtë dhe bashkëshorten në Angli, ndërsa vetë kishte vendosur të shihte pas një dekadë familjen e tij. Por "zhdukjen" e vëllait të tij, Bashkim Ferhati do ta paguante me jetë Bilbili 34-vjeçar, i cili u vra bashkë me motrën dy ditë më parë në Kodër-Kamëz, teksa po kthehej në shtëpi pas një vizite tek të afërmit e tij.
VARRIMI
Një mjek në ceremoninë mortore
TIRANË- Dy arkëmorte pranë njëri-tjetrit. Motër e vëlla, gati për t'u futur në dhe në një kohë. Tragjedia ka qenë tepër e dhimbshme për prindërit dhe familjarët e tyre. Nëna e viktimave humbte shpesh ndjenjat, e sapo përmendej ajo, njerëzit vraponin tek motrat apo nusja e Bilbil Ferhatit. Dhimbja ka qenë e vështirë për t'u përballuar nga gratë e familjes, ndaj dhe në ceremoninë mortore të vëllait dhe motrës, qëndronte një mjek. "Situata ka qenë e vështirë, por megjithatë gjendja shëndetësore e grave përballohej pa qenë e nevojshme dërgimi i tyre në spital"- tregoi për "Shekullin" mjeku. Veç nënës së dy viktimave, gjendje të rëndë shëndetësore ka kaluar edhe bashkëshortja e Bilbil Ferhatit. Dje në mesditë, pak orë para varrimit ajo është kthyer nga Anglia bashkë me vëllanë e Bilbilit. "Situata u rëndua kur në shtëpi mbërriti bashkëshortja e viktimës. Ajo nuk përmbahej, por zuri kujën dhe kalonte në gjendje shoku" -shtoi më tej mjeku. Ndërkohë që në ceremoninë mortore mbërritën edhe familjarët e të fejuarit të 22-vjeçares së vrarë, të cilët kanë qarë nusen e tyre të re, së cilës nuk mundën t'i vishnin në të gjallë fustanin e bardhë. K.Kotorri
Justifikimi i Hasan Pucit: Nuk e dija që në makinë ishte një femër. Pistoletën e bleva
Autori: Kisha një javë që i ndiqja për hakun e djemve
TIRANË-"Nuk e dija që po vrisja një femër. Qëllova në drejtim të makinës, pa e ditur se kush ndodhej në sediljen e pasagjerit". Me këto fjalë ka justifikuar vrasjen e Mimoza Ferhatit 65-vjeçari Hasan Puci. Sipas deklaratës së tij në polici, ai kishte parë djalin e familjes Ferhati të hipte në makinë, ndërsa i ishin errësuar sytë nga hakmarrja dhe nuk kishte menduar më tej. 'Kisha një javë që i ndiqja. Doja të merrja hakun e dy djemve të mi të vrarë rreth katër vjet më parë. Bashkim Ferhatin, njeriu i cili qëlloi mbi djemtë e mi nuk mund ta gjeja, pasi është fshehur, ndaj dhe në pamundësi për të vrarë atë, vrava vëllanë dhe motrën e tij"- ka deklaruar para oficerëve të policisë, autori i vrasjes së dyfishtë, ndodhur dy ditë më parë në Kodër-Kamzë. Pasi kishte mësuar për lëvizjet e Bilbil Ferhatit, Hasan Puci ka nisur të interesohet për të blerë një pistoletë. Sapo ka siguruar armën, ai është vënë sërish në lëvizje duke ndjekur këmba-këmbës shënjestrën e tij, që në këtë rast ka qenë vëllai i Bashkim Ferhatit. "Sapo bleva pistoletën u vura sërish në ndjekje të vëllait të Bashkim Ferhatit dhe e qëllova. Bashkë me të vrava dhe motrën e tij. I vrava për hakmarrje"- ka thënë me plot gojën 65-vjeçari Puci. Ai ka rrëfyer më pas se vëllai i viktimave kishte gisht në vrasjen e dy djemve të tij në Kodër-Kamëz, ngjarje kjo e ndodhur 4 vjet më parë për një copë tokë. Për këtë ngjarje ndodhen në qeli dy vëllezërit Gjeta, ndërsa i dënuari i tretë, Bashkim Ferhati kishte mundur të arratisej pa lënë gjurmë. Ai është dënuar me 21 vjet burg në mungesë nga drejtësia shqiptare dhe emri i tij ndodhet ende në listën e personave të kërkuar. K.Kotorri
BABAI
Ferhati: Në krim, edhe dy persona të tjerë
TIRANË- Kur të vjen e keqja, hapi derën... Ndaj edhe Riza Ferhati u mundua ta përballojë të keqen që i ka pllakosur në derë, ashtu siç e do zakoni. Me dy fëmijë të vdekur para syve, ai ka pritur e përcjellë dje plot njerëz. Sapo kishte marrë urim për një vit të mbarë nga të afërmit e tij, kur ka mësuar lajmin e tmerrshëm të vrasjes së vajzës dhe djalit të tij. Por nuk ka kanun në botë që e ngushëllon babanë e dy të vdekurve. "Femra nuk vritet, këtë e thotë dhe kanuni. Të parët tanë kanë vrarë burra, por kurrë femra. Hasmi ka bërë një gabim të rëndë që më ka vrarë vajzën"- pohon Riza Ferhati për mediat. Ai nuk arrin ta besojë se Hasan Puci e ka kryer i vetëm këtë krim, ndërsa shton se veç tij, në krim kanë marrë pjesë edhe dy persona të tjerë. "Hasan Puci ka qenë në konflikt e në gjak me familjen Gjeta. Kur iu vranë dy djemtë, im bir, Bashkimi ndërhyri për të shuar sherrin dhe jo për të bërë vrasjen. Megjithatë, ai ka bërë një gabim të pafalshëm që më vrau vajzën",-ka përfunduar Ferhati.