E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: 2011 të jetë viti më i mirë për shqiptarët

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha dhe bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha, uruan sot nënën dhe vajzën që ajo solli në jetë në orët e para të Vitit të Ri 2011, në Maternitetin e Tiranës "Mbretëresha Geraldinë".
Dhimitra Zguri është nëna, që vetëm 10 minuta pas ndërrimit të viteve solli në jetë foshnjen e saj, të cilën e quajti Noemi. Lindja ka qënë me operacion dhe bebja me peshë 3 kg e 500 gram gëzon shëndet të mirë.
Kryeministri Berisha pasi u intreresua për shëndetin e nënës dhe fëmijës i uroi familjes dhe fëmijës së parë të lindur në këtë maternitet jetë të gjatë, mbarësi dhe shëndet.
"Në traditën time takimin e parë e bëj me një të sapolindur. Noemi ishte një vajzë e mrekullueshme, një bukuroshe e vogël me të cilën Shqipëria do të krenohet. E ëma e saj ishte shumë mirë, shumë e gëzuar për Noemin dhe së bashku me Lilin i uruam shumë gëzime, shëndet e mbarësi familjes. Por, nuk ka mbarësi më të madhe në këtë botë sesa një çift i ri që e nis vitin, minutën e parë me një fëmijë. Ndaj dhe unë e bëj të përvitshëm këtë takim, sepse mendoj dhe nuk gjej asgje tjetër që simbolizon më shumë mbarësinë, sesa i sapolinduri, fëmija. Ky është një rast për të uruar, së pari të gjithë ata që lindën në agun apo në Vitin e Ri", tha kryeministri Berisha gjatë një prononcimi për mediat.
Duke iu referuar informacioneve se fëmija i parë për këtë vit ka lindur në qytetin e Elbasanit, kryeministri premtoi se do ta takojë kur të inagurojë tunelin.
"Së bashku me të do të inagurojmë tunelin. Mbarësi e madhe për Elbasanin. Edhe natyra edhe Zoti ka rregullat e veta. Të gjithë prindërit e tyre, të gjithë prindërve të Shqipërisë, burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave, qytetarëve të këtij vendi i uroj një vit me shumë gëzime, me shumë mbarësi dhe i uroj që ky të jetë viti më i miri që ata kanë njohur në jetën e tyre", the kreu i qeverisë në ditën e parë të Vitit të Ri 2011.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›