E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Arritja më e madhe vizat; opozita s’do hetim

Arritjen më të madhe, Berisha përmendi vendimin për liberalizimin e vizave.

“Për herë të parë në histori shqiptarët do të lëvizin në Europë si zonja dhe zotërinj, kjo është arritja më e madhe e kësaj qeverisje, arritja më e merituar. Por në këtë vend, si në asnjë vend tjetër në kontinent, opozita u angazhua për të bllokuar, për të shkelmuar një interes që ishte jetik për liritë dhe dinjitetin e qytetarëve shqiptarë. E gjithë beteja absurde e opozitës kishte vetëm një qëllim, të bllokoheshin vizat” theksoi kryeministri. 

Ai theksoi se përgjatë këtij viti, vendi ynë shënoi hapa të mëdhenj drejt përmbushjes se këtij procesi. “Ky vit shënoi hapa të rëndësishme përpara në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Administrata shqiptare mori pyetësorin dhe u paraqit me dinjitet të plotë me librin e të vërtetave shqiptare prej 3853 faqesh që u dorëzuan në datën 16 prill në KE. Komisioni Evropian shprehu vlerësim për të gjitha arritjet, natyrisht për shkak të situatës e krijuar nga qëndrimi destruktiv i opozitës nuk pati mundësi të vendosë për të dhënë statusin e kandidatit”, tha Berisha.

Duke folur për ngritjen e komisionit hetimor, kryeministri u shpreh se opozita humbi të gjitha shanset, duke theksuar edhe një herë se hetimi do të bëhet vetëm mbi bazë të Kushtetutës së vendit. “Dhjetë herë opozita ka pasur shansin të ketë komisionin hetimor. Të enjten që kaloi, të zënë ngushtë para faktit se nuk mund të kërkosh kurrë  hetim pa fakte dhe pas një diskutimi që bënë, ata pranuan të vendosin faktet, sikurse unë kërkova vendosni këtë se kjo është një gjë primitive, pasi si mundet një njeri i qytetëruar të thotë do të hetoj pa fakte, përse do të hetojë. E pranuan, por ajo ishte një orë shumë e vonë, një orë fatkeqe për ta, se me asnjë mjet nuk arritën të komunikonin me kreun e tyre. Kërkuan shtyrje për të hënën. Ne ia pranuam, por çfarë sollën. Mbrëmë shqiptarët e panë, sollën maskën, kishin zëvendësuar fjalën hetim me kontroll. Por ky nuk është komision kontrolli. Me Kushtetutë, kontrolli është atribut i komisioneve të përhershme parlamentare. Unë garantoj që deputetët e opozitës në komisionet e përhershme, ato që kryesohen apo jo nga opozita, nuk do të kenë asnjë kufizim në kontroll”, vijoi ai. 

I pyetur nëse do të ketë ndonjë spirale tjetër me të cilën të punohet me opozitën për gjetjen e një zgjidhjeje, Berisha tha se si politikan ai nuk ndërhynte kurrë në punët e një partie tjetër. Sipas tij, opozita i ka të gjitha shanset dhe këto hapësira do t’i ketë edhe në ditët në vijim./Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2010-12-29 09:14
  [ 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›