E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Berisha 4”, 7 ditë te Presidenti

Autori i Lajmit: Suela Topi
Presidenti i Republikës Bamir Topi ka të drejtë të vonojë 7 ditë emrat e rinj të kabinetit qeveritar para se ti dekretojë dhe ti kalojë në seancë për votim. Pas zyrtarizimit të Qeverisë, për ndryshimet e bëra në kabinet tashmë pritet vetëm firma e Topit. Zëdhënësja e Kryeministrit, Juela Meçani pohoi dje se tashmë Berisha i ka propozuar Presidentit të Republikës, në bazë të nenit të 98.1 të Kushtetutës emërimin në postin e zëvendëskryeministrit të Genc Pollos dhe lirimin e tij nga posti i Ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Gjithashtu, Kryeministri i propozoi Presidentit Topi, emërimin në postin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës të Fatos Bejës si dhe emërimin në postin e Ministres së Shëndetësisë të Prof. As. Dr. i Shkencave Anila Godo dhe lirimin nga kjo detyrë të Nard Ndokës.
Ndryshimet
Pritet që brenda shtatë ditëve Presidenti të dekretojë emrat e rinj të kabinetit qeveritar. Por ndërkohë vetëm pak ditë i kanë mbetur dhe Kuvendit të miratojë dekretet e Presidentit për Gjykatën e Lartë. Ndërsa Topi pret emërimin e deketeve të tij, Berisha pret dekretimin e propozimeve të tij. I pari që ka lëvizur në kabinetin qeveritar, që nga shtatori i vitit 2005 kur mori detyrën, është Genc Pollo. Kryetari i Partisë Demokrate të Re, e cila ka dy deputetë në Kuvend, nuk do të ketë më postin e Ministrit të Arsimit, por atë të zvendëskryeministrit. Kanë qenë rreth 45 minuta diskutime mes kreut të Qeverisë dhe kryetarit të PDR-së, Genc Pollo të cilat kanë çuar në marrjen e këtij vendimi. Pollo ka dalë i kënaqur nga takimi ku ishte i pranishëm dhe nënkryetari i partisë së tij, Tritan Shehu. Ndërkohë që lëvizja më e papritur për të gjithë madje duket se edhe për vetë demokratët, është zvendësuesi i Pollos. Në krye të dikastrit të Arsimit dhe Shkencës tashmë do të jetë, Dr. i Shkencave Filologjike, Fatos Beja. Nënkryetari drmokrat i Kuvendit dhe kryetari i Komisionit të Ligjeve do të jetë tashmë jo vetëm pjesë e legjislativit por dhe pjesë e Ekzekutivit shqiptar. Ndërkohë që zvendësimi tjetër i cili ka sjellë dhe më shumë pakënaqësi është pikërisht nxjerrja e Nard Ndokës jashtë kabinetit qeveritar. Gjatë pasdites së të mërkurës, kreu i PDK-së,Ndoka ka zhvilluar një takim me sekretarin e përgjithshëm të Partisë Demokratike, Ridvan Bode, takim i cili ka zgjatur rreth 60 minuta. Mësohet se pasi Bode i ka komunikuar faktin se Ministrinë e Shëndetësisë do ta marrë PR-ja, Ndoka ka kërkuar që të respektohet marrëveshja mes PD-së e PDK-së, e cila parashikon një post ministri dhe dy zvendësministra. Oferta e demokratëve për PDK-në është posti i nënkryetarit të Kuvendit, i lënë bosh pas largimit të Fatos Bejës tek Arsimi si dhe disa poste zvendësministrash dhe drejtorësh të përgjithshëm. Por Ndoka mësohet ta ketë hedhur poshtë këto oferta ndërsa ka kërkuar ministrinë e Bujqësisë ose Kulturës. Pas kësaj kërkese të Ndokës, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode mësohet të jetë tërhequr duke thënë se nuk është mandatuar për t i dhënë përgjigje kësaj oferte. Në vend të tij do të jetë Anila Godo, vajza e kryetarit të Nderit të Asamblesë Kombëtare të PR-së, Sabri Godos e cila ka ardhur si propozim i repubikanëve. Emri i Godos prej pak ditësh kishte mbërritur në tryezën e Berishës dhe duket se dje ka marrë dhe aprovimin e tij ndërkohë që tashmë pret firmën e Kreut të Shtetit.

Neni 98
1. Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve.
2. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi.

Ky lajm është publikuar: 24/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›