E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bufi: Kuvendi të sqarojë incidentin

Autori i Lajmit: red.
Nënkryetari socialist i Kuvendit të Shqipërisë, Ylli Bufi pohoi dje se ndjehej i zhgënjyer nga letra e ambasadorit të SHBA-së, Xhon Uithers dërguar kryeparlamentares Jozefina Topalli. Sipas tij largimi i përfaqësuesve të ambasadës amerikane nga llozha e caktuar për këtë qëllim në sallën e seancave plenare është tërësisht në kundërshtim me praktikat parlamentare që garantojnë transparencën e nevojshme të procesit legjislativ dhe një incident i pakuptimtë në marrëdhëniet e bashkëpunimit të mirë që Kuvendi i Shqipërisë dhe institucionet e shtetit shqiptar kanë vendosur me përfaqësuesit e SHBA-së dhe të BE-së në procesin e konsolidimit demokratik dhe të integrimit euroatllantik të vendit. “Kam mësuar gjithashtu që një veprim i tillë ka ndodhur edhe me përfaqësuesit e OSBE, të akredituar në Kuvend për ndjekjen e procedurave parlamentare. Unë do të dëshiroja që këto të ishin gabime rastësore të shërbimit administrativ të Kuvendit, por shkeljet e përsëritura te rregullores së Kuvendit në drejtim të programimit të punimeve të Kuvendit, në mënyrë të veçantë ato që lidhen me caktimin e rendit të ditës si dhe në drejtim të zvogëlimit të hapësirës së nevojshme për opozitën duke mos i dhënë asaj kohën e nevojshme në përputhje me rregulloren, janë të lidhura më mënyrën se si Topalli po drejton Kuvendin”, - tha ai. Bufi pohoi se opozita edhe në mjaft raste të tjera ka kritikuar veprimet e njëanshme të Kryetares së Kuvendit, veprime që nuk përfaqësojnë institucionin e Kryetarit të Kuvendit si garant i Kushtetutës dhe rregullores, por që duket se lidhen me funksionin e saj partiak të nënkryetares së Partisë Demokratike. Ai tha se është ende në pritje të shpjegimeve të administratës së Kuvendit për këtë incident të ndodhur ndërsa kërkoi që Byroja e Kuvendit, Konferenca e Kryetarëve si dhe nga Kryeparlamentarja që të marrin masa që mos përsëriten incidente të tilla.

Ky lajm është publikuar: 24/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›