E Shtunë, 31 Tetor 2026

Boshkovski pa pranga

Autori i Lajmit: red.
Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në Ish-Jugosllavi në Hagë ka nxjerrë të pafajshëm ish-ministrin e brendshëm të Maqedonisë Ljube Boshkovski.
Gjykata ka dënuar me 12 vite zyrtarin e lartë të policisë, Johan Tarçulovski, nën akuzën për vrasjen e shtatë civilëve shqiptarë gjatë konfliktit të armatosur të vitit 2001.
Ish-zyrtarët e lartë të Ministrisë së Brendshme maqedonase akuzoheshin për përgjegjësi në vrasjen e civilëve shqiptarë gjatë konfliktit të vitit 2001, në Maqedoni, në fshatin Luboten.
"Rreth 14 shtëpi u dogjën qëllimisht dhe më shumë se një qind banorë shqiptarë meshkuj të fshatit iu nënshtruan dhimbjeve dhe vuajtjeve të qëllimshme, sepse u rrahën, turpëruan dhe keqtrajtuan," thotë aktakuza.
Zoti Boshkovski akuzohej për përgjegjësi komanduese, ndërsa Tarçulovski si i përfshirë direkt në vrasjet që u kryen nga njësiti policor që drejtohej prej tij.
Transferimi i rasteve të tjera
Rasti "Luboten" është i vetmi që u hetua nga Haga.
Katër të tjerë, për të cilat siç u tha nuk kishte prova, dhe që përfshinin kryesisht veprime të ish-UÇK-së, u kthyen për gjykim në Maqedoni.
Tre prej tyre prokuroria në Shkup i ka kaluar për procedurë gjyqësore.
Rastet e Hagës nga konflikti i vitit 2001 në Maqedoni janë një nga diskutimet më delikate politike në vend.
Për subjektet shqiptare, katër rastet e kthyera nuk mund të procedohen në Maqedoni, pasi përfshihen nga ligji i amnistisë.
Por ata maqedonas thonë se ato duhet të procedohen nga institucionet e vendit.
Këto debate, por dhe vendimi i gjykatës së Hagës për rastin "Luboten", vinë në kohën kur në Maqedoni po krijohet qeveria e re.
Pjesë e saj do të jenë VMRO DPMNE, partia e ish-ministrit të brendshëm Lube Boshkovski dhe BDI, që ka dalë kryesisht nga ish-UÇK.
Vëzhguesit thonë se pritet të shihet se çfarë efekti do të ketë vendimi i Gjykatës së Hagës, ku për të pritur vendimin, kanë shkuar tre ministra qeveritarë nga radhët e VMRO DPMNE-së.
Ky lajm është publikuar: 11/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›