Berisha: 4 vitet e ardhshme do bëj gazifikimin e Shqipërisë. Ftova Azerbajxhanin të blejë Albpetrolin
Kryeministri Sali Berisha foli në mbledhjen e grupit parlamentar për vizitën e tij në Azerbajxhan. Madje foli po aq gjatë për këtë vizitë dhe me më shumë pasion sesa për gjendjen e vështirë në vend pas motit të ftohtë. Berisha tha se ka si synim që të bëjë gazifikimin e vendit katër vitet e ardhshme. Për këtë qëllim thotë se ka ftuar kompaninë shtetërore të gazit në Azerbajxhan të ndihmojë Shqipërinë. Berisha tha se ka bërë ftesë që kjo kompani të blejë Albpetrolin në Shqipëri. Berisha u shpreh se bëri lobing për gazsjellësin Trans Adriatik. Kryeministri tha se lobingu i tij ishte i ndershëm dhe i bazuar vetëm në të vërteta të pakundërshtueshme. Berisha falënderoi disa herë drejtuesit e Azerbajxhanit për pritjen e shkëlqyer e tha se i pret ata në Shqipëri. Berisha shtoi se shqiptarët janë të vendosur që t vazhdojnë marrëdhëniet e mira me azerët. Gjeni më poshtë pjesë nga fjala e tij:
Javën që shkoi pata një vizitë zyrtare në Azerbajxhan, një vend mik me të cilin Shqipëria dhe shqiptarët janë të vendosur të zhvillojnë një partneritet të shkëlqyer dhe marrëdhënie të gjithanshme në interesin më të mirë të dy vendeve dhe kombeve tona. Azerbajxhani është një vend me zhvillim të shpejtë, me potenciale të mëdha, sikundër është Shqipëria një vend me zhvillim të shpejtë dhe potenciale të mëdha t gjithanshme. Aty pata takime miqësore dhe shumë të frytshme me presidentin, Ilham Aliev, me kryeministrin, kryetarin e parlamentit dhe drejtues të sipërmarrjes së naftës dhe gazit të këtij vendi mik, me deputetë, biznesmenë dhe personalitete kryesore të vendit. Pritja ishte shumë miqësore dhe unë shpreh mirënjohjen time më të thellë presidentit Aliev, kryeministrit, kryetarit të parlamentit dhe të gjithë mikpritësve të mi për ndjenjat miqësore që kanë dëshmuar nga kombit e vendit tim. Ajo që spikati gjatë vizitës ishte një vullnet e vendosmëri e dyanshme për zhvillimin e marrëdhënieve mes vendeve e kombeve tona. Ne shqyrtuam të gjitha potencialet dhe mundësitë e këtij bashkëpunimi, në fushën ekonomike, kulturore, edukative, etj. Ne ramë dakord që të ngremë një komitet për bashkëpunimin midis dy vendeve. Parlamenti ka një grup miqësie me këtë vend mik. Komiteti ndërqeveritar do shqyrtojë potencialet e bashkëpunimit në të gjitha fushat. Në këto takime i paraqita palës mikpritëse kërkesën time që Azerbajxhani të ndihmojë vendin tonë, kompania e tyre e naftës dhe gazit të ndihmojë për një plan për gazifikimin e Shqipërisë. Një nga objektivat më kryesore të katër viteve që vijnë do jetë gazifikimi i këtij vendi. Shqipëria është i vetmi vend në Europë që ka zero sistem gazifikimi, që është privuar nga ky sistem, themelor dhe kusht për një vend të zhvilluar, qoftë për ngrohje, qoftë për gatim, për gjitha problemet. Gazifikimi i Shqipërisë është një kusht themelor i projektit tonë Shqipëria vend i zhvilluar në vitin 2017. Unë mund tu them se kjo kërkesë gjeti mirëkuptim tek mikpritësit azerë.
Shqipëria do privatizojë Albpetrolin. Qeveria ka bërë dhe bën përpjekje të zgjojë interesin e kompanive të mëdha të gazit dhe naftës. Në këtë kontekst ftova kompaninë e vendit mikpritës të konsiderojë seriozisht pjesëmarrjen në tenderin për privatizimin e Albpetrolit. Azerbajxhani është një vend plot ujëra dhe natyrisht ka nga majat më të larta në Europë, të Kaukazit. Unë ftova kompanitë azere të marrin pjesë në tenderat dhe koncesionet e ndërtimit të veprave hidroenergjetike në Shqipëri, ftesë që u mikprit dhe u vlerësua nga kompanitë e mëdha të këtij vendi.