Makinat, biznesi kërkon heqjen e sigurimit të detyrueshëm
Zhvillimet më të fundit në tregun e sigurimeve kanë shqetësuar përfaqësuesit e biznesit, të cilët kërkojnë një zgjidhje tjetër tashmë, e cila sipas tyre do të krijojë më shumë konkurrencë. Zyra e Konfindustrias në Tiranë sugjeroi dje heqjen e sigurimit të detyrueshëm për të gjithë kategoritë e automjeteve për biznesin dhe qytetarët dhe kalimin e tij në sigurim vullnetar, ndërsa thekson se licencimi i të tjerëve operatorëve në treg do të rriste më shumë konkurrencën. Marrja e masave të mësipërme është domosdoshmëri me qëllim hapjen e vërtetë të tregut të sigurimeve në vend, nxitjen e konkurrencës dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit për klientë. Masat e mësipërme janë të vonuara dhe duhet të ishin ndërmarrë njëkohësisht me liberalizimin e çmimit të policës së sigurimit të detyrueshëm të vendosur nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare disa kohë më parë. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të krijoheshin kushtet e duhura për të shmangur përgjithmonë rrezikun e shfaqjeve të oligopoleve dhe/ose organizimet e tipit kartel të operatorëve me pasoja të rënda financiare për biznesin dhe qytetarët, – thekson Biznesi duke shtuar se vetëm nga fiksimi i fundit i çmimit të policës së sigurimit të automjeteve, që përbën dhe pjesën me të madhe të tregut, kemi një rritje prej disa dhjetëra milionë euro në dëm të qytetarëve dhe biznesit.
Kompanitë
Kompanitë e sigurimeve kanë shpjeguar ndryshimet në çmimet e policave të sigurimit duke theksuar se nuk bëhet fjalë për shtrenjtim, por kthim të tyre në çmimet normale pas uljes së pazakontë që filloi në muajin shtator. Sipas kompanive, një çmim i tillë bënte të pamundur ecurinë normale të aktivitetit pasi primet nuk lejonin dëmshpërblimin e siguruarve. Sipas tyre, çmimet me të cilët ofrohet sot policat e sigurimit janë në kosto dhe mund të mbulojnë kostot. Madje mësohet se ka qenë Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ai që i ka kërkuar kompanive të sigurimeve që të përcaktojnë një çmim minimal për policat e sigurimit me qëllim që të mundësohej mbulimi i dëmeve.
AMF: Çmimet ishin në kosto
Pas publikimeve në media në lidhje me ndryshimet në çmimet e siguracioneve, reagoi edhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare duke theksuar se çmimet e aplikuara nga kompanitë deri në fillim të shkurtit ishin anormale për vetë funksionimin e këtij tregu. AMF ka vlerësuar se çmimet e muajve, direkt pas liberalizimit të MTPL së brendshme, nuk kanë reflektuar saktë situatën reale në treg dhe koston e produktit. Në kushtet e një tregu të lirë e rëndësishme është të monitorohet shëndeti financiar i operatorëve për angazhimet që ata kanë ndaj publikut dhe përgjegjësitë për të shlyer dëmet sipas kontratave të lidhura me publikun, – shpjegoi AMF. Që nga shtatori, policat e sigurimit pësuan një ulje të ndjeshme në treg për shkak të konkurrencës së kompanive. Sipas deklarimeve, ato ulën nën kosto duke mos mbuluar më as dëmet ndaj të siguruarve.