Irani po planifikon sulme vetëvrasëse me anije
A është në gjendje Irani të prodhojë një lloj të ri sulmi, atë me anije kamikaze? Të paktën ushtria amerikane mendon kështu. Irani ka rritur ndjeshëm numrin e nëndetëseve, po ashtu është rritur numri i anijeve të vogla të sulmit, tha Mark Fox, zëvendësadmiral amerikan dhe komandant për forcat luftarake në atë rajon. Këto anije të vogla janë të armatosura me shumë material shpërthyes, që mund të përdoret si bombë vetëvrasëse, tha Fox. Ai është shefi i flotës së pestë, që mes të tjerave kontrollon edhe Ngushticën e Hormuzit. Irani ka kërcënuar se do të bllokojë këtë rrugë të rëndësishme për transportin e naftës. Qeveria amerikane u përgjigj menjëherë ashpër se nuk do e tolerojë diçka të tillë. Tensionet në rajon janë tepër të larta, sidomos pas lajmërimit të presidentit të Iranit, Ahmadinexhad se do të bëjë të ditur disa arritje të rëndësishme bërthamore.