E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha 90 Jam mik i Partisë Demokratike

U afrua si mik, por që nga ai moment u bë “pronar”. Sali Berisha, një herë e gjysmë President i Republikës, Kryeministër dhe Kryetar tradicional i PD-së, përshëndet krijimin e PD-së, pikërisht ditën e shpalljes së saj në 12 dhjetor 1990. Herë mes brohoritjesh, e herë mes fishkëllimash, nga ai moment i ftohtë i dhjetorit, kardiologu i famshëm do të niste, ende pa u ndalur, marshimin e tij drejt pushtetit.

“Si një mik, si një mik që dëshiroj e shpresoj të mbetem i Partisë Demokratike, due t’i uroj asaj suksese gjithnjë e më të mëdha në punën e saj për begatinë e Shqipërisë, për të mirën e kombit tonë”. Të ardhura nga plot 18 vjet më parë, këto janë fjalët e Sali Berishës, kardiologut që do të shkonte në 12 dhjetor 1990 të përshëndeste themelimin e Partisë Demokratike, por që do të mbetej që nga ajo ditë, jo miku, siç premtonte, por pronari dhe padroni absolut i kësaj partie. E nëpërmjet saj, do të shndërrohej gjatë gjithë kësaj periudhe, në njeriun me emrin e të cilit do të lidhej i gjithë tranzicioni i pambarimtë i vendit: Një herë e gjysmë President i Republikës, Kryeministër i saj dhe në vijimësi Kryetar de facto dhe de jure i të parës parti legale antikomuniste në vend, që nga dhjetori i vitit 1990. Është më shumë se kurioze të shihet se çfarë mendonte atëherë Doktor Berisha, se cila ishte e ardhmja që ai i parashikonte vetes, dhe se cili do të ishte roli i tij në historinë e re të vendit.

Në atë Big Bang politik, social, ekonomik, të ndryshimit të sistemit, që në shumicën e tij dërmuese i ka furnizuar historisë emrat që do t´i jepnin formë asaj në vitet në vijim, Berisha mundi të sigurojë poltronin e njëshit. Edhe pse ende vazhdonte të besonte tek Presidenti Ramiz Alia dhe të ftonte të brohorisnin për të, edhe pse përpara zgjedhjeve të marsit 1991 do të premtonte rikthimin në bluzën e bardhë të mjekut, edhe pse shumë shpesh ai ka qenë në buzë të humnerës politike në dukje pa kthim, ai ka mundur të rikthehet dhe të jetë padiskutim individi më i fortë në gjithë këtë histori. Ishte lakmusi që paratregonte fatin e “eksperimentit”, ishte arkitekti i shumë fateve njerëzore dhe kryqëzuesi i shumë fateve të tjerë të individëve politikë. Më shumë se kaq, ishte dhe ende është, kushtëzuesi i fatit të të gjithë vendit.

Në debatin e studentëve në Pallatin e Brigadave me Presidentin Alia, ka një moment që përmendet edhe emri i kardiologut të njohur. E përmend vetë zoti Alia, që kundërshton bindjen e studentëve se kishte pasur të plagosur në përplasjen e tyre me policinë: Nuk është e vërtetë, edhe Sali Berisha, doktori, më raportoi se nuk ka pasur asnjë të plagosur”, - tha ai. Një fjali e thjeshtë në dukje, por që në vështrim historik, më shumë ngre pikëpyetje sesa jep përgjigje se cili ishte ai mekanizëm që e nxori nga anonimati Doktorin dhe e katapultoi më pas atë në krye të vendit. Vetë Ramiz Alia, me shumë elegancë, gjithmonë i është shmangur të vërtetës së tij në lidhje me këtë pikëpyetje, përgjigjen e së cilës e njohin pjesërisht, si copëza të veçanta në një mozaik, individë të ndryshëm.

Kush e nxori në skenë Berishën?

E pamundur, për momentin, të provohet me dokumente, besohet se për herë të parë emri i Doktorit, si personi i mundshëm që të kontaktonte për llogari të komunistëve me studentët e rebeluar kundër komunizmit, është përmendur nga R.K., që ka qenë një ish-zyrtar i lartë i nomenklaturës. Berisha iu propozua si kandidat i përshtatshëm një tjetër emisari të lartë të Tiranës, Xh. Gj. Ky funksionar i lartë, kishte mbledhur në datën 9 dhjetor një grup pedagogësh të universitetit, me të cilët kishte diskutuar për situatën dhe mënyrën e komunikimit të studentëve. Mes tyre, ishte dhe Sali Berisha, pedagog i fakultetit të mjekësisë. Xh. Gj. i raporton Presidentit Alia këtë fakt dhe zotit Alia i bën përshtypje pikërisht emri i Berishës, të cilin kërkon ta takojë personalisht. Ka pasur dy takime të tyre, të cilët do të ishin dhe të fundit. Berisha shkon në pasditen e asaj dite në shtëpinë e Alisë në Bllok dhe qëndron aty pak minuta. Alia i kërkon të saktësojë një detaj: “Çfarë porosish ke marrë në Komitetin e Partisë, është tjetër punë dhe nuk po hyj aty. Dua t´u thuash studentëve që u premtova t´i takoj, sepse më premtuan se do të shkonin në mësim. Ata nuk e bënë një gjë të tillë, ndaj dhe unë nuk e bëra. Të shkojnë në mësim dhe do ta bëj një gjë të tillë”. Në takimin e parë, Berisha shoqërohej nga miku i tij, Besnik Mustafaj, i cili e priste jashtë shtëpisë së Presidentit Alia. Takimi i dytë është zhvilluar mbas mesnate në të njëjtin vend: “Ua thashë porosinë tuaj shoku Ramiz. Por aty çfarë thotë njëri, nuk thotë tjetri. Ata nuk merren vesh me njëri-tjetrin”,- raporton Sali Berisha përpara njeriut, të cilit shumë shpejt, vetëm pothuaj dy vjet më pas, do t´i zinte karrigen dhe më keq akoma, edhe do ta burgoste për pothuaj pesë vjet.

Në ndërkohë, thuhet se ka pasur një udhëtim të ndërlikuar të Berishës, ai ndodhej në Itali, për t´u kthyer në Tiranë nëpërmjet linjës së Malevit, nga Budapesti. Dëshmitarë të besueshëm, që ende nuk pranojnë të identifikohen, pohojnë se Berisha në takimin me Ramiz Alinë ka mësuar edhe ca të vërteta të hidhura për të shkuarën e një pjese të studentëve që ndodheshin në protestë. Informacioni është pushtet dhe nga ai takim fillonte edhe nisja e pushtetit absolut të Berishës.

Dokumentet, deri tani të munguar

Janë shkruar me mijëra e mijëra faqe për ato ditë të nxehta e të ftohta të dhjetorit ‘90. Të bazuara kryesisht në kujtime të protagonistëve, e më shumë akoma, në kujtime të njerëzve, të cilët nuk kanë pasur asnjë lidhje me ato ngjarje dhe kryesisht, të mbështetura në shumë pak në dokumente të shkruara, ajo çfarë ndodhi në ato ditë të intensitetit ekstrem të ngjarjeve, janë shndërruar në një legjendë urbane.

Revista “MAPO” ka mundur të sigurojë fjalimin e parë të plotë të Kryeministrit aktual, Sali Berisha, ditën e shpalljes së themelimit të Partisë Demokratike, ku të paktën, nga fjalët e tij, ai së paku nuk figuron si një nga themeluesit e saj. Duke marrë parasysh edhe ngarkesën e vetë kohës kur është mbajtur ky fjalim, duke pasur parasysh kufizimet e kuptueshme, “MAPO” afron tekstin e plotë të fjalës së Berishës, duke besuar se cilido mund të tërheqë vetë komentin e tij. Se cilido mund të japë po vetë përgjigje për pyetje, të cilat do ta ndjekin gjatë shoqërinë shqiptare; cili ishte roli i vetë komunistëve në përmbysjen e pushtetit të tyre, sa ishte e pilotuar lëvizja e përmbysjes, cilat ishin mekanizmat që individë të caktuar dolën në krye të një lëvizjeje të tillë, cili ishte roli i strukturave të ish-Sigurimit të Shtetit në të gjithë këtë histori. Apo, dhe se cilët ishin individët që kërkonin të jepnin një shfaqje të pluralizmit të kontrolluar komunist me “partinë a shoqatëne studentëve”, në vend të një partie të mirëfilltë politike.

Dëshmia e vjetër

Në librin e tij të hershëm, “Viti 17”, Fatos Lubonja, atëherë i burgosur politik, jep një dëshmi tejet interesante: “Diku nga fundi i gushtit, dikush na thotë në ajrim se në dhjetor do të ngriheshin studentët në protestë dhe se do të liroheshin të burgosurit politikë”. Ajo çka mund të ngjante si një thashetheme, apo ëndërr që shitej për realitet lirie nga njerëz që kishin humbur lirinë, do të bëhej realitet po në dhjetor. E nëse një “informacion” i tillë kishte mundur të hynte në mbretërinë e terrorit, mbas telave me gjemba, është afërmendsh e kuptueshme se do të kishte qenë që shumë kohë më parë, edhe pronë e njerëzve që “përpunonin” informacionin dhe realitetet.

Vetë Berisha, në ceremoninë për Ditën e Rinisë më 8 dhjetor, tha të vërtetën e tij, e cila, po për hir të së vërtetës, ka ndryshuar herë pas here në gojën e tij. “Nuk e mbaj mend”, - ishte gjithashtu një frazë për t´u kujtuar e Kryeministrit që nuk harron kurrë. Nëse një ditë ai do të shkruante kujtimet e tij, ashtu siç i kujton në të vërtetë, sigurisht shoqëria shqiptare do të ketë shumë më pak pikëpyetje për të shkuarën, por do të jetë edhe më e qartë në të ardhmen.

Ja teksti i plotë i fjalës së tij përpara studentëve, zbardhur sipas një incizimi që ndodhet në shumë pak duar. Një pjesë fare e vogël e tij, tashmë ka nisur të bëjë xhiron e botës në Youtube.

SALI BERISHA, FJALA E PLOTË: (12 DHJETOR 1990)

Pluralizmi politik që erdhi tek ne si imperativ historik i kohës, ka gëzue shumë shqiptarët kudo që ata janë. Ai shënon një arritje të madhe për zhvillimin e demokracisë në vendin tonë, renditjen e Shqipërisë në radhën e vendeve demokratike të Evropës, integrimin e saj në rrjedhën e proceseve përparimtare bashkëkohore. Ky lajm është një gëzim i madh në këtë dimër plot të ftohtë, shtypje dhe terror që përjetojnë vëllezërit (brohoritje Liri- Demokraci) tanë në Kosovën martire (brohoritje Kosova Republikë). Por ai është, gjithashtu, një gëzim i madh për diasporën Shqiptare, e cila ka të pashuar gjithnji mallin dhe dashurinë për Shqipërinë. Shqiptarët, kudo që janë, kanë një tempull, dhe ky tempull është Shqipëria, Shqipëria Demokratike. (ovacione urraaa).

Personalisht unë kam mbështetur idenë e pluralizmit politik, duke pasur bindjen dhe shpresën se fetë e ndryshme, se partitë e ndryshme, jo vetëm nuk do të përçajnë kombin tonë, por përkundrazi, në përputhje me idealet e tij kombëtare e demokratike, ato do të pasurojnë filozofinë, kulturën, shpirtin e tij të mirë, të madh e të paepur (duartrokitje). Të gjithë së bashku këtu jemi të gëzuar edhe për një arsye tjetër të madhe, sepse shqiptarët i treguan botës tjetër të qytetëruar pjekurinë e tyre të madhe politike, se për ta fjala është më e rëndë se guri dhe se me dialog ata dinë të marrin vendime të mëdha historike. Në këtë mes, mirënjohja jonë e madhe, padyshim shkon së pari tek Presidenti, shoku Ramiz Alia, (ovacione dhe duartrokitje), i cili po me atë mençuri dhe guxim që udhëhoqi njësitë e mëdha të ushtrisë në betejat çlirimtare, (fishkëllima), udhëhoqi vendin tonë në betejat e reja të demokratizimit të Shqipërisë, (fishkëllima).

Mirënjohja jonë, sigurisht është edhe për të gjithë të rinjtë dhe të rejat që, me guximin dhe mençurinë e tyre, u shndërruan në protagonistë të këtij dialogu historik (fishkëllima dhe duartrokitje), duke treguar se brezi ynë i ri din t’i qëndrojë gjithnjë drejt historisë. Për kombin tonë rinia ka qenë një realizuese e ëndrrave të tij të mëdha dhe shpreh bindjen se edhe në të ardhmen ajo do të dijë të realizojë aspiratat e tij të mëdha kombëtare, do të begatojë gjithnjë e më shumë vendin tonë. Duke përfunduar, ju ftoj të brohorasim të gjithë njëherësh “Rroftë rinia jonë! (duartrokitje, urraaaa)”.

Si një mik, si një mik që dëshiroj e shpresoj të mbetem i Partisë Demokratike, due t’i uroj asaj suksese gjithnjë e më të mëdha në punën e saj për begatinë e Shqipërisë, (ovacione), për të mirën e kombit tonë.

Dhe tashti, më lejoni t’u lexoj një mesazh që na e dërguan para dy ditësh punëtorët e Kombinatit të Tekstileve:

“Ju jeni bijtë dhe bijat tona, ashtu siç na doni dhe ju duam. Ju keni marrë një aksion të madh, i keni bërë me mençuri kërkesa Presidentit të Shtetit dhe mirë keni bërë. Është e drejta juaj të veproni kështu. Por duam t’u shprehim edhe juve dëshirën dhe kërkesën tonë: Ruani gjakftohtësinë! Mos bëni asnjë veprim që mund t’u çojë në gjakderdhje! Boll ka derdhur gjak shqiptari. Asnjë shqiptar nuk duhet të sakrifikohet dhe kështu jemi mjaft pak. Kërkesat tuaja duhet të zgjidhen vetëmme dialog. Ky është amaneti i popullit. Rroftë populli (brohoritje urraaaaa, Liri-Demokraci).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›