Nazarko në një reality "për të rinj të mençëm"
Gati për lançim, “LIDER”, një reality shou që synon të sfidojë modelet parazitare të reality-ve të deritanishme
“Shumë të rinj, të ditur, të mençur, të ndershëm, që dinë të flasin bukur dhe kanë aftësi për të udhëhequr, ndoshta nuk arrijnë dot ta përmbushin ambicien e tyre gjithë jetën. Nuk arrijnë të depërtojnë në kanalet publike të komunikimit, d.m.th., nuk afirmohen, dhe për pasojë nuk janë tërheqës për partitë politike”, – Kështu e nisin prezantimin e këtij reality shou të ri, organizatorët e tij, në një njoftim për shtyp, shpërndarë disa ditë më parë.
Ky reality shou i ri, dhe jo fort i zakontë, do të transmetohet në KLAN dhe është titulluar “LIDER”.
Një juri do të përzgjedhë 16 të rinj. Të rinjtë e zgjedhur do të bashkëjetojnë në një komunitet diskutimi, formimi cilësor, kulturor, por që dhe do ta sfidojë me idetë, vizionin dhe kriticizmin e vet, politikën e ditës.
Një ekip i asistuar nga një grup konsulentësh, të kryesuar nga Profesor Artan Fuga, etj., po punon në realizimin e këtij shou-i. Eptan Lohja është drejtori i emisionit, Mentor Nazarko do të jetë drejtori editorial.
Z. Nazarko, si lindi ideja e një reality të tillë?
Ideja? Lindi si çdo ide, në mënyrë spontane. Dy individë me role të rëndësishëm në Klan, drejtori i departamentit të marketingut dhe shitjeve, Eptan Lohja, dhe regjizori i ri dhe i talentuar, Ardit Roshi, formuluan një ide udhërrëfyese, që përmban disa prej drejtimeve të këtij reality shou. Një formulë origjinale e jashtëzakonshme, që ka nevojë për t’u mbushur me lëndë, punë që po e kryej unë, bashkë me një grup konsulentësh të nivelit të lartë, mes të cilëve shquhet emri i Profesor Artan Fugës. Jam i nderuar që punoj me profesorin, që ka një cilësi të veçantë në llojin e vet në “tregun shqiptar të ideve”: Ofron një kompetencë multidisiplinare. D.m.th., ai është ekspert i komunikimit, sociolog, filozof, studiues i shkencave politike, etj. Një aset i madh për organizimin e këtij emisioni me standarde të larta.
Thashë që ideja ishte spontane në momentin e daljes. Por ama, ka në bazë disa motive të llogaritura gjatë nga gjithë stafi autorial: Si të kontribuosh nëpërmjet një zhanri, që tanimë është bërë mjaft popullor, në promovimin e të rinjve, jo në spektakël, pornë artin e qeverisjes. Është edhe një motiv tjetër kryesor që na shtyn ne në punën tonë: Të ofrosh brenda këtij zhanri një model që promovon të kulturuarit, të ndershmit, ambiciozët, të zotët, ata që do të bëhen liderët e së ardhmes.
Ka modele televizive të mëparshme, ku bazohet ky format?
Ky është një model origjinal në shumë elementë thelbësorë të tij, por sigurisht ka elementë të përbashkët me të tjerët. Ne e kemi konsultuar dhe me formate të tjerë brenda këtij zhanri, të reality, mes të cilëve disa janë prodhime të televizioneve më prestigjiozë në botë. Por me gjithë mungesën e modestisë, na duhet të themi se ky ka më shumë elementë sesa ata. Elementë që do të zbulohen hap pas hapi për publikun.
Cili do të jetë, sipas organizatorëve, "identikiti" i një të riu tipik që do preferohet të marrë pjesë në këtë reality?
Ne e kemi bërë të qartë edhe me spotin: Një i ri nga mosha 21 deri në 35 vjeç, që flet bukur, që është i ditur, i zoti, ambicioz, etj. Mundësisht të ketë arsim të lartë, me rezultate të shkëlqyera, por ne do t'u japim shansin dhe atyre të rinjve që janë në vitet e fundit në universitete, pra 21-vjeçarëve. Ka një lloj padrejtësie, nëse interpretojmë strikt Kushtetutën: Mosha për të fituar të drejta politike, pra të zgjedhësh dhe të zgjidhesh, është 18 vjeç. Por donim të veçonim grupmoshën e lartpërmendur, brenda së cilës mund të gjesh shumë afinitete, ashtu si dhe kundërshti të forta.
Çfarë duhet të bëjë një i ri për të qenë pjesë e këtij emisioni?
E para, të jetë mjaftueshëm ambicioz, sa t’i pëlqejnë sfida të tilla, apo dhe sakrificat për të arritur objektivat e veta. Nëse e ka frymëzimin dhe aftësitë, do të duhet të paraqitet në TV Klan, ish-Kinostudioja, duke filluar nga data 15 dhjetor. Stafi ynë do t'i japë në dorë një formular që do të duhet ta mbushë, përfshirë dhe fotografinë, kuptohet. Ne kemi ndërtuar një kalendar që do të administrojë flukset e kandidatëve, nisur nga vendbanimi i tyre. Do të duhet të ketë fotokopjen e një certifikate lindjeje, apo notash, apo çdo dëshmi të formimit të tyre universitar.
Si do të përzgjidhen pjesëmarrësit? Kush do t’i përzgjedhë?
Do të jetë një juri rreptësisht profesionale. Ata janë kërkues, profesorë universitarë të shkencave politike, psikologjisë dhe komunikimit, si dhe drejtues të televizionit. Më mirë, nuk bëhet.
Ka limit të moshës së pjesëmarrësve?
E thashë dhe më sipër, 21 është dyshemeja në përgjithësi të rinjtë që frekuentojnë vitin e tretë të universiteteve tona. 35 është një tavan moshor, në të cilin bëhet kapërcimi i moshës. Menduam që nëpërmjet tyre, pra kësaj moshe, të ofrohet në komunitetin e "liderëve të zgjedhur", më shumë pjekuri.
Cili është qëllimi i këtij reality?
Nuk ka vetëm një qëllim. Po nis me parashtrimin e disave prej tyre: Të promovojë të rinjtë ambiciozë për të drejtuar dhe që kanë aftësi të veçanta. Do ta bëjë këtë duke ofruar falas një kanal publik për afirmimin e tyre. Do të krijojë mundësinë të njihemi me aspiratat e një segmenti rinor të veçantë. Do t'u ofrojë të përzgjedhurve të jurisë, 16 vetë në total, mundësinë të formohen edhe më, në atë që duhet të jetë kontakti i tyre i pandërprerë me kulturën. Do të ofrojë, pse jo, dhe ide të reja në tregun publik të politikës: Ide që janë pozitive, d.m.th., ofrojnë rrugë të reja zhvillimi. Ndërkaq mendoj se të rinjtë e përzgjedhur do ofrojnë ide kritike për gjendjen aktuale të politikës, punët dhe personazhet e saj.
Ju keni një karrierë televizive, jo vetëm si analist. Çfarë mendoni për reality shou-t ekzistente, si modele televizive dhe shoqërore?
Është një zhanër që mbart shumë vlera; njohëse, eksperimentale, në planin sociologjik apo psikologjik. Sigurisht, ndonjëherë promovohen dhe vlera të dyshimta. Ndërkohë, ky reality që ne po propozojmë dhe ku unë do të jem drejtor editorial, do të ofrojë për publikun më shumë se të tjerët. Por shumë gjëra do t'i shohim në vijimësi, nuk do t'i nxjerrim në mexhlis të gjithë sekretet që sot.
A është ky reality një sfidë ndaj modeleve, përgjithësisht vanitozë dhe parazitarë, që ofron modeli ndërkombëtar i reality-ve?
Pikërisht. Mendoj se defekti kryesor i disa formateve të reality-ve në botë, është promovimi i vanitetit dhe himnizimi i parazitarizmit. Në një shkrim të paradokohshëm, ndërsa komentoja një reality shou shqiptar të suksesshëm si “Big Brother”, evidentoja një moment të tij. Për njerëzit që hyjnë brenda, koha mbetet në vend, në momentin e shkëputjes nga mjedisi i tyre jetësor. Ata nuk kanë koordinata kohore. Madje, dhe hapësinore nëse duam. Ata nuk e dinë vendin e tyre në hapësirë, ndikimin e tyre në shoqëri, etj., etj. Raporti me kulturën cungohet dhe kufizohet vetëm tek shkëmbimi me të “mbyllurit e tjerë”. Modeli ynë synon ta ndryshojë këtë. As koha e të rinjve nuk do të ndalojë, por as dhe raporti i tyre me kulturën nuk do të mbetet në vend.
A do të ketë një premio për fituesit? Çfarë konkretisht ?
Mendoj se ata që do të hyjnë brenda do të provojnë një eksperiencë unike, stimuluese dhe pasuruese për individualitetet e tyre. Ai që do të fitojë, do të marrë një premio, që e përkthyer në terma sasiorë, do të jetë më i madhi, dhënë ndonjëherë në historinë e mediave dhe imagjinoj të krahasueshëm me ato të televizioneve perëndimorë. Do jetë një premio e përbërë nga disa elementë, përfshirë dhe atë financiar, që do të jetë i konsiderueshëm.
Si do të organizohet emisioni, diçka mbi moderatorët, skenografia, kohëzgjatja...
Ju po kërkoni elementë që, përgjithësisht zbulohen hap pas hapi. Kemi zgjedhur një moderator që ka dhe profilin kulturor të nevojshëm për këtë zhanër reality shou. Profili i tij i ofron të gjithë elementët e nevojshëm për një figurë televizive, nxitës të debatit, parametrat estetikë, komunikativë, etj., etj.