Kukës, moti i keq bllokon rrugët
KUKËS- Moti i keq shoqëruar me shira dhe borë në lartësitë mbi 600 metër mbi nivelin e detit ka bllokuar disa rrugë, por ka mbushur liqenet e kaskadës së Drinit duke shtuar prodhimin e energjisë elektrike në Koman dhe Vaun e Dejës. Një tjetër anë e mirë e shirave të ditëve të fundit është edhe krijimi i rezervave të mëdha hidrike në basenin e HEC-it të Fierzës, i cili po qëndron i mbyllur prej rreth dy javësh. Hidrocentrali i Komanit është në kuotën e 172 metrave me tendencë rritjen pasi prurjet anësore kanë regjistruar pasditen e së shtunës 640 metër kub ujë në sekondë. Ndërkohë që në liqenin e HEC-it të Fierzës prurjet kanë regjistruar një sasi prej 800-850 metër kub ujë në sekondë. HEC-i i Komanit vazhdon punën me kapacitet të plotë duke prodhuar energji elektrike me katër agregatë me nga 85 megavat secilin. Sasia e energjisë elektrike e prodhuar në Koman gjatë 24 orëve është 8 milionë e 160 mijë kilovatorë. Ndërkohë që edhe HEC-i i Vaut të Dejës punon me kapacitet të plotë ku në punë janë 5 agregatë me nga 50 megavat secili, ku sasia e energjisë elektrike të prodhuar gjatë 24 orëve është 6 milionë kilovatorë. Por që bora që ka rënë gjatë ditës së shtunë ka vështirësuar kalimin në aksin kombëtar Kukës-Fushë-Arrës, ndërkohë që janë bllokuar disa rrugë të komunave malore si ato të Arrnit, Kalisit, Grykë-Çajës e Shishtavecit. Drejtoria e Rrugëve bën të ditur se trashësia e borës në aksin nacional Kukës-Fushë-Arrës në Qafë-Mali ka arritur në 30 centimetër, ku ka vështirësuar së tepërmi qarkullimin, i cili në pjesën më të madhe të këtij segmenti bëhet i mundur vetëm me anë të zinxhirëve. Zyrtarë të Drejtorisë së Rrugëve sqarojnë se ky aks rrugor ka shembje në disa pjesë, por po punohet për zhbllokimin e saj.