E Diel, 1 Nëntor 2026

Gratë e huaja të Tiranës

Gratë e huaja, që Shqipërinë e shohin ndryshe nga ne. Bashkëshorte të punonjësve të organizatave të ndryshme dhe të ambasadave. Si u duket Tirana dhe si i organizojnë ditët e tyre shqiptare.

Shumica e tyre janë në Tiranë, sepse bashkëshortët punojnë në organizatat ndërkombëtare që kanë selitë në kryeqytetin shqiptar, ose në ambasada. Kanë mosha nga më të ndryshmet dhe shumë prej tyre pëlqejnë veçanërisht udhëtimet.

Ndërsa për ne, Shqipëria është një vend prej të cilit ne ankohemi vazhdimisht dhe duam t’i ikim larg, për to Shqipëria është një vend i bukur. Madje, ndonjë prej tyre, si Elhami, bashkë me familjen e saj (bashkëshortin dhe dy fëmijët) kanë 17 vjet në Tiranë. Elhami ka krijuar një “shtëpi kreativiteti”, (e quan CreativiTEA House), ku shërben receta persiane ushqimi, por ku edhe mund të dëgjosh dy fëmijët e saj që flasin perfekt shqip, të luajnë në piano.

Qendrën kryesore e kanë në Rogner. Aty takohen përgjithësisht. Janë “rreptësisht” të organizuara. Botojnë edhe një revistë të vogël të vetën, në faqet e fundit të së cilës, kanë kalendarin e tyre. Një kalendar i vërtetë, ku mikeshat tona kanë vizatuar me shumicë figurëza të vogla. Aty, sipas ditëve, sheh diku një filxhan, diku një raketë tenisi, ca më tutje një penel, një tortë etj.

Janë gjërat me të cilat ato mbushin ditët. Dhe nuk janë pak: Tenis, buling, joga, kafja e së mërkurës, çaji i së premtes pasdite, grupi i artit dhe kulturës, dreka bashkë njëherë në muaj, dhe, mbi të gjitha, udhëtimet nëpër Shqipëri.

Izabella Aci është ajo që organizon udhëtimet. I quajnë “Discover Albania”. Ato kanë bërë shumë udhëtime të tilla.

Izabela na tregon për SH2-shin se u pëlqen të njohin nga afër bukurinë e natyrës dhe njerëzit, shqiptarët. Atë që Iza, nuk e harron, është udhëtimi në Valbonë. Ka qenë një nga udhëtimet me më shumë të papritura dhe nga më të bukurit. Natyra e atij vendi i ka lënë pa fjalë, pothuajse të gjitha femrat e grupit. Ndërsa udhëtime të tjera, që ato kanë realizuar janë në: Pogradec, Berat, Gjirokastër, Butrint, Sarandë, Vlorë, etj.

Me se merren tjetër? Ndihmojnë të huajt që e kanë sefte në Tiranë. Twig-un (Tirana Women International Group) e kanë krijuar pikërisht për këtë arsye. Organizata është hapur për gratë (burrat janë gjithashtu të mirëpritur) nga të gjitha shtetet e ndryshme, por që jetojnë në Tiranë. Veç aktiviteteve mujore për të huajt që jetojnë këtu, Iza, Evelin dhe të tjerat ofrojnë edhe ndihmë dhe asistencë për çdo të huaj që puna e sjell në Shqipëri dhe që natyrisht fillimin e ka paksa të vështirë.

Me dy prej tyre, Izën (Isabella Aci) dhe Evelinën (Evelyne Marthieu), u ulëm të flisnim më gjatë…

ISABELLA ACI

Iza është hungareze. Ka jetuar për më shumë se 10 vjet në Belgjikë. Dhe gjithë kohën tjetër e ka kaluar nëpër vende të ndryshme, bashkë me bashkëshortin e saj.

Edhe këtu në Tiranë jeton me bashkëshortin e saj. “Ai është pothuajse gjithë kohën shumë i zënë me punë, shpesh udhëton jashtë, por ndonjëherë vjen në shtëpi…”, – thotë Iza me të qeshur.

Jetojnë në një apartament me qira (Iza e quan “shtëpi të mrekullueshme”), shumë afër qendrës së Tiranës. “E kemi marrë me qira, por është një apartament që ne e adhurojmë shumë. Më pëlqen dhe pamja që ka shtëpia, nga njëri ballkon shihet Katedralja Katolike dhe nga pjesa tjetër Dajti”, – më thotë Iza.

Iza, kur ke ardhur në Shqipëri?

Ne erdhëm në Shqipëri para dy vjetësh. Erdhëm sepse burri im punon me delegacionin e Komisionit Evropian.

Domethënë ishte një destinacion “me detyrim”?

Jo, sepse kishim mundësi të zgjidhnim vende të ndryshme, por ne zgjodhëm Shqipërinë. Na u duk e veçantë, pikërisht sepse nuk dinim asgjë për Shqipërinë. Nuk e dinim se çfarë do të ndodhte, kjo na tërhoqi.

Dhe tani që jeni këtu, si ju duket Shqipëria?

Është një nga vendet ku ndjehem shumë mirë. Më parë kam jetuar në Rusi. Atje njerëzit nuk ishin kaq miqësorë. Këtu në Shqipëri të gjithë janë të dashur me të huajt, të ndihmojnë gjithnjë kur ke nevojë për ndihmë. Unë nuk jam si disa gra të tjera të huaja, që vijnë këtu, nuk shohin asgjë tjetër veç Tiranës, rrinë të mbyllura në shtëpi dhe vetëm ankohen “s’ka drita, s’ka ujë....”. Po të dalësh të shikosh rreth e qark, ka shumë gjëra argëtuese.

Dhe çfarë bën Iza gjatë kohës së lirë?

Po bëj shumë aerobi, po mësoj shqip, italisht. Organizoj udhëtime. Jam dhe botuesja e revistës sonë dhe këtë po e bëj të gjithën vetë. Nuk kam shumë kohë të lirë, merrem me shumë gjëra. Dhe herë pas herë pi kafe me njerëz të ndryshëm, miq.

Keni shumë miq këtu? Janë shqiptarë, apo të huaj si ju?

Gjysmë për gjysmë. Kam nga të dyja llojet, por nuk kam miq shqiptarë, të cilët nuk flasin gjuhë tjetër veç shqipes. Kjo sepse unë kam vështirësi të flas shqip dhe njerëzit që nuk dinë gjuhë tjetër veç shqipes, e kam shumë të vështirë t’i kuptoj. Ky është një nga problemet e mia më të mëdha. Për shembull, kur ne organizuam një udhëtim në Tropojë, e kisha shumë të vështirë të kuptoja, sepse këtu në Tiranë, edhe pse nuk mund të flas, shumë gjëra i kuptoj, por ata flisnin me një dialekt të çuditshëm.

Veç gjuhës, çfarë pëlqen më shumë në Shqipëri?

Ajo që më pëlqen, dhe këtë e them pa mëdyshje, janë njerëzit. Publiciteti më i mirë për Shqipërinë janë njerëzit. Pastaj, natyra dhe ushqimi.

Dhe çfarë nuk të pëlqen?

Çfarë nuk pëlqej..? D.m.th., çfarë më mungon… (duke qeshur) rregulli në trafik më mungon (qesh). Në të vërtetë nuk më mungon asgjë këtu. Ja, p.sh., unë udhëtoj jashtë Shqipërisë çdo 4-5 muaj dhe kur kthehem në Tiranë nga jashtë, nuk marr asgjë me vete. Nuk kam pse ta bëj, gjithçka që më duhet, mund ta gjej këtu.

Shumë gra shqiptare mendojnë ndryshe në fakt.. Ja p.sh., të të bëjmë një pyetje që do ta bënin gjithë gratë familjare shqiptare: Është Shqipëria një vend i mirë për të rritur fëmijët?

Unë nuk kam fëmijë. Por besoj se Shqipëria është një vend shumë i mirë për të rritur fëmijët. Dhe kam vënë re që shqiptarët i duan shumë fëmijët. Juve mund t’ju duket e habitshme, por unë mendoj se Shqipëria është një vend i sigurt. Madje unë mendoj që për një të huaj, Shqipëria është vendi më i sigurt në të gjithë Evropën. Unë nuk kam qenë asnjëherë në një vend, ku të ndihem kaq e sigurt si e huaj. Kjo është e pabesueshme…

Ku rrini zakonisht me gratë e tjera të huaja? Takoheni shpesh, dua të them..

Të gjesh të huaj në Tiranë, është shumë e lehtë. Të premteve pasdite i ke në restorant te Blloku. Shkojnë për një picë, për një birrë, ose thjesht për t’u takuar dhe për të folur me njëri-tjetrin. Unë nuk kam qenë shpesh, sepse burri im është gjithnjë i “vdekur” nga lodhja të premten në mbrëmje.

Një mënyrë tjetër për t’u takuar është të shtunave në mëngjes. Të gjithë ata që duan natyrën, mblidhen të shtunave paradite në orën 11: 30 afër stadiumit “Qemal Stafa”, dhe për rreth një orë ne udhëtojmë jashtë Tiranës. Një nga vendet e tjera të preferuara, janë karaoket e Tiranës. Ne shkojmë shpesh atje. Shpeshherë takohemi dhe për të bërë “salsa night”. Pastaj kemi dhe udhëtimet e “Discover Albania”, (Të zbulojmë Shqipërinë)

Evelyne, gruaja që erdhi këtu me pushime dhe... mbeti

Evelyne Marthieu është nga Belgjika me nënë algjeriane dhe baba gjerman. Ka 7 muaj që jeton në Shqipëri. “Kisha 8 muaj që po jetoja në Shkup. Në Shqipëri erdhëm me pushime në shtator 2007 dhe ne “ramë në dashuri” menjëherë, kështu që ne vendosëm që Shqipëria të ishte vendi tjetër ku do të jetonim, tregon Evelin.

“Më parë ka jetuar në shumë shtete afrikane, e më pas në Bruksel, Londër dhe Shkup. Në Tiranë ajo jeton me bashkëshortin e saj që është shqiptar. “Momentalisht nuk po punoj, vetëm po përpiqem të mësoj gjuhën, e cila, më duhet ta pranoj që nuk është e lehtë, por si profesion unë jam dietologe dhe po mendoj të hap një klinikë të tillë vitin që vjen”, - thotë Evelin, duke dëshmuar kështu dëshirën për të qëndruar gjatë në Shqipëri.

Për të, Tirana është një vend atraktiv: “Takoj shumë miq gjatë një dreke, apo hamë një “trileç” në shumë vende të bukura që ka Tirana, bëj aerobi dhe gjithashtu hipizëm. Ndërsa, gjatë verës, jam kënaqur shumë në pishinën e një prej hoteleve të kryeqytetit. Po përpiqem që dalëngadalë të zbuloj vendin, zakonet dhe traditat e tij”.

Evelinës, ashtu si dhe Izës dhe shumë grave të tjera të huaja, u pëlqen Shqipëria. “Për mua, të jetosh në Shqipëri është kënaqësi. Njerëzit janë shumë të dashur. Natyra është e bukur dhe ka kontrast. Të them të drejtën nuk e prisja të ishte vend i tillë”.

Evelin dhe bashkëshorti i saj shqiptar kanë marrë një shtëpi me qira. “Është mbi kodër, por është 5 minuta larg me makinë nga qendra”.

Zbavitja kryesore e saj është udhëtimi. “Kam qenë në Pogradec, Dhërmi, Vlorë, Fier, Sarandë, Durrës, Shkodër, Shëngjin, Berat, Dibër dhe kam shumë dëshirë të vizitoj Korçën, Gjirokastrën dhe shumë qytete të Veriut”.Kim Hakkenberg është kanadeze. Prej disa kohësh ajo jeton në Shqipëri. Hobi i saj janë fotografitë dhe udhëtimet, kujtimet e të cilave i mban në një ditar virtual. Këtë foto e kemi marrë nga blogu i saj dhe diçitura që ajo vetë kishte vendosur ishte: “Ky është një kostum që një burrë shqiptar mund të veshë gjatë dasmës së tij. Harrova ta pyes djaloshin se nga cila pjesë e Shqipërisë ishte, ndaj nuk e di se cilës krahine i përket ky kostum”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›