Militantët në punë, zbulohen urdhërat e PD
Shkresat e ministrave: Militant i PD-së? Je i punësuar
TIRANË- Administrata Publike vazhdon të konsiderohet nga pushtetarët e sotëm si “oaz” për strehimin e të gjithë kontigjentit të militantëve partiakë. Komisioni i Shërbimit Civil në raportin e vet për vitin 2007 mundohet ta shmangë një fakt të tillë, duke evituar dhënien e një vlerësimi mbi motivacionet për pushimet dhe emërimet e tjera që kanë ndodhur gjatë këtij viti, por edhe më parë, në administratën shtetërore. Në këtë linjë edhe kryetarja e këtij komisioni, Mimoza Hysenaj, gjatë prezantimit që i ka bërë dje këtij raporti në Kuvend, i është shmangur totalisht interpretimit në lidhje me arsyet e spastrimit të administratës nga punonjësit e kualifikuar, duke u përqendruar thjesht në faktin e uljes së numrit të ankimimeve dhe në kalimin e rasteve të verifikuara për zbatim. Por një realitet krejt ndryshe ka sjellë në sallën e zbrazët të Kuvendit (të gjithë deputetët e mazhorancës gjatë diskutimit të raportit të KSHC-së u larguan nga salla) opozita, e cila duke argumentuar të kundërtën e asaj panorame që paraqitet në këtë raport, ka sjellë dhe raste konkrete ku vërtetohen qartë urdhrat politikë jo vetëm për emërimet, por edhe për pushimet nga puna. Në përpjekje për të vërtetuar këtë realitet, për fat të keq të shqiptarëve të dhimbshëm, deputeti socialist, Tauland Balla, duke dhënë vlerësimet e veta në lidhje me këtë raport, ka sjellë për deputetët dhe nëpërmjet medieve dhe për opinionin publik një seri dokumentesh origjinalë. Bëhet fjalë për kërkesa dhe urdhëresa të shumta të degëve të Partisë Demokratike, të firmosura edhe nga deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, por edhe të zyrtarë të lartë të administratës publike, për pushime dhe emërime politike në poste të ndryshme shtetërore, duke filluar që nga shoferë dhe për të përfunduar tek doganierët. Materialet e publikuara janë njëkohësisht sa qesharake për mënyrën e hartimit dhe argumenteve që japin, aq edhe skandaloze, po të kihet parasysh se ato paraqesin skemën që funksionon në rekrutimet dhe largimet në administratë.
Rastet
Më konkretisht, tre drejtuesit më të lartë të nëndegës së PD-së Numër 3 në Durrës, me anë të një shkrese të datës 19.09.2005, pra vetëm 9 ditë pasi e djathta mori pushtetin, i drejtohen Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, për të punësuar si shofer shtetasin Dhimitër Vani Velko. Në bazë të kësaj kërkese, Kryeparlamentarja vë në lëvizje Drejtorinë e Marrëdhënieve me Publikun për t’i kërkuar Ministrisë së Brendshme shpjegime. Ajo që është më interesante, në këtë rast, përveç kërkesës që i drejtohet Kryeparlamentares, është edhe karakteristika përshkruese e kontributit që ka dhënë shtetasi në fjalë për PD-në e Durrësit. “Dhimitër Velko është anëtar i PD që nga 1991 dhe paguan rregullisht kuotizacionet e anëtarit të partisë. Është aktivist i gjallë i PD-së dhe gjatë trazirave të vitit 1997, Dhimitri i është përgjigjur thirrjeve si dhe shumë shokë të tjerë, për të ruajtur me armë selinë e PD-së në Durrës për disa ditë me radhë, paradite, pasdite dhe natën. Gjithashtu me propozimin e degës të PD-së Durrës shkoi në qytetin e Fierit, Qafa e Koshovicës, për të ruajtur qetësinë së bashku me trupa të tjera të SHIK-ut të Shkodrës”, shprehen tre drejtuesit me të lartë të PD-së së nëndegës Numër 3 në Durrës, në letrën e nisur Kryetares së Kuvendit. Ndërkohë një rast tjetër akoma më qesharak, jo vetëm për çështjen që trajton, por edhe për personat e implikuar, është ajo e shtetasve Sali Merkaj dhe Arben Berberi, ish-shoferë në Ministrinë e Drejtësisë. Bëhet fjalë për shkresën me Numër Protokolli A-6/S-4, të ish-ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, i cili duke iu përgjigjur ankesës për pushim nga puna të dy shtetasve të mësipërm, argumenton se, “Në bazë të urdhrit të vitit 2004, ju nuk jeni emëruar si shoferë të Ministrisë së Drejtësisë por i ministrit të Drejtësisë. Për rrjedhojë ju cilësoheni si persona që ushtrojnë veprimtari të drejtpërdrejtë ndihmëse në realizimin e funksioneve politike të personave drejtues, pra përfshiheni në listën e personave që cilësohen si politikë. Në bazë të nenit 14 të ligjit të sipërpërmendur, “marrëdhënia juridike e funksionarëve politikë merr fund për motive politike”, - shprehet Bumçi në shkresën e tij të datës 17.01.2006. Një tjetër dokument përfshinë në urdhrat politikë dhe dy deputetët e Elbasanit, Dashnor Sula dhe Aurel Bylykbashin, si dhe zëvendësministrin e Arsimit, Halit Shamata. “Në mbledhjen e kryesisë së PD-së dega Peqin, me datë 05.11.2005 u propozua që z.Arben Elezi të jetë në detyrën e Përgjegjësit të Policisë Tatimore pranë Degës Tatimore Elbasan. Kandidatura u propozua në bazë të udhëzimit të grupit të punës së Prefekturës Elbasan”, - thuhet në shkresën e firmosur nga tre zyrtarët e mësipërm, dokument që evidenton dhe një fakt tjetër se për spastrimin e administratës dhe emërimin e militantëve politikë, PD me ardhjen në pushtet ka ngritur edhe grupe pune për çdo prefekturë.
Partia Demokratike Durrës
Karakteristikë
Dhimitër Velko është anëtar i PD që nga 1991 dhe paguan rregullisht kuotizacionet e anëtarit të partisë. Është aktivist i gjallë i PD-së dhe gjatë trazirave të vitit 1997, ai i është përgjigjur thirrjeve si dhe shumë shokë të tjerë, për të ruajtur me armë selinë e PD-së në Durrës për disa ditë me radhë, paradite, pasdite dhe natën. Gjithashtu me propozimin e degës të PD-së Durrës shkoi në qytetin e Fierit, Qafa e Koshovicës, për të ruajtur qetësinë së bashku me trupa të tjera të SHIK-ut të Shkodrës.
Kryetari i seksionit të PD-së Nr.3, Seit Kertushja
Partia Demokratike, dega Mat
Nr.Protokolli 137
Drejtuar drejtorit të Divizionit të Shpërndarjes në KESH, Seit Dollapi
Në njoftimin tuaj, keni bërë të ditur se z.Lefter Kola, elektricist në nënstacionin Suç do të transferohet në nënstacionin e Kukësit. Meqenëse Lefteri ka kushte familjare të vështira që nuk mundësojnë transferimin e tij larg familjes, do t’ju kërkonim juve që Lefteri të qëndronte përsëri në të njëjtin vend. Ju sqarojmë se familja e tij, bashkëshortja dhe të afërmit e tij, kanë kontribuar në të gjitha zgjedhjet e zhvilluara në këtë zonë. Vëllezërit e bashkëshortes janë drejtues të seksionit të PD-së Pleshë, Mat.
Ju faleminderit për mirëkuptimin
Gani Hoxha, kryetar i PD-së Mat
Ministria e Drejtësisë
Nr.Protokolli A-6/S-4. Tiranë, më 17.01.2006
Drejtuar Sali Merkajt dhe Arben Berberi
Në bazë të urdhrit të vitit 2004, ju nuk jeni emëruar si shoferë të Ministrisë së Drejtësisë por të ministrit të Drejtësisë. Për rrjedhojë ju cilësoheni si persona që ushtrojnë veprimtari të drejtpërdrejtë ndihmëse në realizimin e funksioneve politike të personave drejtues, pra përfshiheni në listën e personave që cilësohen si politikë. Në bazë të Nenit 14 të ligjit të sipërpërmendur, “marrëdhënia juridike e funksionarëve politikë merr fund për motive politike”.
Ministri Aldo Bumçi
Bëhen publike disa nga letrat anonime dhe letërkëmbime mbi të cilat janë shkarkuar mjaft doganierë
Shkelja, Përparim Dervishi shkarkon doganierë me letra anonime
TIRANË- “Për marrje pjesë aktive në fushatën elektorale të vitit 2005, je i pushuar nga puna”. Kjo ka qenë pretenca që ka shoqëruar pothuajse të gjitha largimet nga puna që kanë ndodhur në sistemin doganor në Shqipëri, gjatë tre viteve të fundit. Deputeti socialist, Tauland Balla ka paraqitur dje në Kuvend një seri dokumentesh zyrtare që mbajnë firmën e drejtuesve më të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave (DPD), me anë të cilave zbardhet dhe e gjithë skema që është përdorur rëndom për evidentimin e rasteve dhe më pas për pushimin nga detyra e të gjithë personave që, për shkak të bindjeve politike, janë cilësuar si të padëshirueshëm.
Evidentimi
Procedura për shkarkimin politik të çdo individi të punësuar në sistemin e doganave, siç edhe faktohet nga dokumentet zyrtare, nis me letra apo shkresa anonime që i janë drejtuar kreut të Doganave, z.Përparim Dervishi, për shkarkimin e individëve të ndryshëm për shkak të aktivizimit të tyre të mëparshëm politik me partitë e spektrit të majtë. “Zoti Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z.Shefqet Vranici punon në doganën e Kapshticës. Ai ka qenë në shtabin elektoral të z.Petrit Malaj në zonën e Laprakës, ku është sekretar i PS-së djali i tezes së tij. Për arsye të ndryshme, po mbetem anonimi nga Korça”, - thuhet në një nga letrat e shumta që ka “marrë” Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, ku për shkaqet e mësipërme, sugjerohet dhe largimi i tij nga puna. Një tjetër rast i ngjashëm, po nga një letër anonime, është edhe ai që bën fjalë për shtetasin Lavdosh Zerbaj, ish-doganier në Kapshticë, për të cilin kërkohet largimi nga detyra për shkak se ka qenë futur në punë me ndërhyrjen e bashkëshortes së ish-kryeministrit socialist, Monika Kryemadhi. Ndërkohë që një tjetër mënyrë e evidentimit të rasteve që duheshin pushuar nga puna për shkaqe politike, ishte dhe ajo e sugjerimeve që vinin nga strukturat e Partisë Demokratike. Rastet më të pastra janë ato që kanë të bëjnë me propozimet për pushime nga detyra që ka bërë sekretari i degës së PD-së së Tiranës, Bujar Nishani, sot ministër i Brendshëm. Në një letër drejtuar ministrit të Financave, Ridvan Bode, deputeti Bujar Nishani shprehet se, “me anë të kësaj shkrese, ju njoftojmë se punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave janë aktivizuar gjatë fushatës elektorale të vitit 2005. Duke qenë se Altin Gjoni, Seit Hyseni, Shaqir Vukaj, Vladimir Vladi, Elida Rasha, Arshid Dariu, Sokol Seseri, Arian Naço dhe Ilir Kallajxhiu kanë thyer kodin e etikës, duke u aktivizuar në veprimtarinë e mësipërme, kërkojmë largimin e tyre nga puna”, thuhet në shkresën e firmosur nga Nishani. Pas evidentimit të rasteve procesi kalonte në një fazë tjetër, ku të gjitha letrat anonime i kalonin Departamentit të Administrativ dhe Komitetit Disiplinor, i cili pasi i merrte në administrim bënte dhe propozimet Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, z.Përparim Dervishi, për shkarkimet nga detyra.
Shkarkimi
Menjëherë sapo departamenti për çështjet disiplinore në DPD bënte propozimin zyrtar largimin nga puna, Drejtori i Përgjithshëm, Përparim Dervishi, në bazë edhe të materialit shoqërues bënte largimin, duke mos ngurruar ta cilësojë pjesëmarrjen e individëve të tyre në politikë, si në kundërshtim me ligjin. “Urdhër për largimin nga puna të z.Asqeri Pepa, punonjës pranë degës së doganës Bllatë, Peshkopi, me motivacionin për marrje pjesë në mënyrë aktive në fushatën elektorale të vitit 2005”, thuhet në një nga shumë urdhëresat e firmosura nga drejtori Dervishi, më datën 12.04.2006. Ndërkohë, një fakt tjetër që vihet re nga këto shkresa zyrtare është se urdhëresat shoqëroheshin dhe me detyrimin që i shkarkuari të lajmërohej brenda ditës për vendimin dhe ndërprerja e marrëdhënieve financiare të bëhej gjithmonë brenda pak ditësh.
Tabelë
Urdhër për largimin nga puna të z.Asqeri Pepa, punonjës pranë degës së Doganës Bllatë, Peshkopi, për marrje pjese aktive në fushatën elektorale të vitit 2005. Kjo përbënë shkelje disiplinore.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Përparim Dervishi
Letra anonime:
“Zoti Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z.Shefqet Vranici punon në doganën e Kapshticës. Ai ka qenë në shtabin elektoral të z.Petrit Malaj në zonën e Laprakës, ku është sekretar i PS-së djali i tezes së tij. Për arsye të ndryshme, po mbetem anonimi nga Korça”.
Urdhër për largimin nga puna të z.Afrim Çupi, punonjës pranë degës së Doganës Bllatë, Peshkopi, për marrje pjesë aktive në fushatën elektorale të vitit 2005. Kjo përbën shkelje disiplinore.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Përparim Dervishi
Urdhër për largimin nga puna të z.Nazif Zyfi, punonjës pranë degës së Doganës Bllatë, Peshkopi, për marrje pjese aktive në fushatën elektorale të vitit 2005. Kjo përbënë shkelje disiplinore.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Përparim Dervishi
Urdhër për largimin nga puna të z.Nazif Vranici, me detyrën shofer pranë degës së Doganës Bllatë, Peshkopi, për dëmtim të Pronës së Shtetit, pra përdorimit të saj gjatë fushatës elektorale.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Përparim Dervishi
“Komisioni i Shërbimit Civil ka dështuar të jetë një institucion në shërbim të ligjit”
Leskaj: PS, e zhgënjyer nga raporti i KSHC-së
TIRANË- Partia Socialiste nuk pajtohet me të dhënat dhe gjendjen që paraqet në raportin e punës së saj Komisioni i Shërbimit Civilë. Duke folur në emër të grupit parlamentar të PS-së, kryetarja Valentina Leskaj është shprehur e zhgënjyer për punën e kryer nga KSHC përgjatë vitit 2007. “Duhet të them që në fillim, se me gjithë dëshirën e mirë, e kemi të vështirë të biem dakord me raportin e një institucioni, i cili minimalisht nuk ka arritur të përmbushë detyrat e lëna nga Kuvendi në rezolutën e vitit të kaluar”, -u shpreh Leskaj. Sipas saj, Komisioni i Shërbimit Civil ka dështuar të jetë një institucion në shërbim të ligjit dhe kjo kryesisht, jo për faj të vet tij, po për faj të përdorimit politik të tij prej shumicës qeverisëse. “Natyrisht që Komisioni i Shërbimit Civil, nuk mund të mbetej jashtë gjithë filozofisë dhe mënyrës së sjelljes së kësaj mazhorance me institucionet e pavarura, sjellje akaparuese, siç ka ndodhur edhe me institucionet e tjera, ato të drejtësisë, të medias, të arsimit dhe shkencës, deri te ato të sportit. Ju silleni me institucionet e shtetit si me bahçen tuaj, sipas filozofisë se shteti jam unë”, - u shpreh më tej Leskaj. Kjo sipas Leskajt ka bërë që Komisionit t’i humbasë zëri edhe në rastet më flagrante të abuzimit me Ligjin mbi Shërbimin Civil, por edhe në rastet më flagrante të militantizimit të administratës. Numri 1 i grupit socialist, nuk ka lënë pa evidentuar faktin se pavarësisht përdorimit të administratës nga mazhoranca aktuale për qëllime politike, KSHC nuk ka guxuar të thojë të vërtetën në raportin e saj. “Administrata Civile ka një rol kyç në realizimin e politikave të vendit dhe në proceset integruese të tij dhe besoj se çështja është shumë e rëndësishme dhe dëmi i bërë është i madh. Kjo mazhorancë mbetet përgjegjëse e përdorimit abuziv të administratës civile përmes largimeve të pamotivuara të mijëra specialistëve nga administrata, të zëvendësuar me kritere joligjore por klienteliste dhe nepotike”, - tha Leskaj.
Reagon deputeti i PS-së, Tauland Balla, pas publikimit nga ana e tij të shkresave flagrante
Balla: Shkarkimet politike, shkatërruan administratën
TIRANË- Deputeti socialist Tauland Balla vlerëson se largimet me motivacione politike nga institucionet shtetërore kanë shkatërruar plotësisht të gjithë investimin e kryer edhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë në kualifikimin e administratës shtetërore. Duke reaguar pas prezantimit të Raportit të Komisionit të Shërbimit Civil, Balla është shprehur se ajo që ka ndodhur në këto tre vjet me administratën publike është shfaqje e hapur e gjuetisë së shtrigave, thjesht dhe vetëm për spastrime politike. Ai nuk ka ngurruar që ta konsiderojë këtë fushatë spastrimesh, për nga dëmi që do i sjellë shqiptarëve dhe perspektivës integruese të Shqipërisë, më të rëndë se edhe vetë shpërthimi i Gërdecit. “Ajo që ka ndodhur në administratën shqiptare, është më keq se Gërdeci. Është cenuar rëndë elementi kryesor që do të garantojë implementimin e të gjitha reformave që do ta përafrojnë Shqipërinë me Bashkimin Evropian”, - tha Balla. Ndërkohë, për të ilustruar këtë bindje me fakte konkrete, deputeti socialist ka shfaqur dhe lexuar para deputetëve një sërë shkresash, ku evidentohen urdhrat politike për spastrimin e administratës dhe më pas emërimin në vend të tyre të militantëve partiakë. “Shembujt më të qartë, janë një sërë shkresash që ne kemi siguruar, të cilat tregojnë qartë politizimin e tejskajshëm të administratës, pastrimin politik të administratës shqiptare me urdhra politikë që vijnë nga degët e PD-së në të gjitha degët e Shqipërisë”,- tha Balla.