Meta: LSI, mbi 30 mijë vota në Tiranë. Ku nuk fituam, analizë.
Meta: Bazuar mbi këtë analizë duhet të shkojmë drejt Konventës Kombëtare të LSI-së dhe drejt rinovimit dhe zgjedhjes së gjithë strukturave të Lëvizjes Socialiste për Integrim
TIRANË Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, u tha dje kryetarëve të LSI-së në rrethe se partia që ai kryeson ka marrë 45 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e fundit parlamentare. Megjithatë, Meta tha se ky rezultat nuk është i njëllojtë kudo, ndaj dhe strukturat e partisë do t’i nënshtrohen një analize të plotë dhe të hollësishme. Meta u përqendrua gjatë fjalës së tij në zgjedhjet për kryeqytetin. Ai ka theksuar se, LSI-ja mori mbi 30 mijë vota më shumë në qarkun e Tiranës. “Një falënderim i veçantë i takon LSI-së së Tiranës, për punën e mrekullueshme që ka bërë, gati 21 mijë vota për Këshillin Bashkiak dhe më shumë se 23 mijë vota për Këshillat e Njësive Bashkiake. Në qytetin e Tiranës, LSI-ja ka arritur rezultatin e saj më të mirë ndonjëherë, gati 70% më shumë vota sesa në zgjedhjet e vitit 2009. Po kështu edhe një falënderim për të gjithë Qarkun e Tiranës, ku LSI-ja ka gati mbi 30 mijë vota në këto zgjedhje dhe ku përsëri rezultati është gati 65% më i lartë se sa në zgjedhjet e fundit të vitit 2009”,- tha ai. Meta tha dje se një rritje të ndjeshme, LSI-ja ka pasur edhe në Shkodër, Berat e Durrës. Për të gjitha ato njësi, ku LSI-ja nuk ka arritur objektivat e kërkuara, do të ketë analiza. “Ndaj ne brenda kësaj jave do të mbledhim Këshillin Drejtues Kombëtar, dhe ku do të vendosim për platformën e analizës së këtyre rezultateve. Unë personalisht do të marr pjesë në të gjithë rrethet e vendit në analizën që do të zhvillohet, gjatë muajit maj dhe gjatë gjithë muajit qershor. Bazuar mbi këtë analizë duhet të shkojmë drejt Konventës Kombëtare të LSI-së dhe drejt rinovimit dhe zgjedhjes së gjithë strukturave të Lëvizjes Socialiste për Integrim, pasi tani keni edhe një testim në të gjitha njësitë dhe në të gjithë vendin”, - tha ai. Meta theksoi se përmes analizës do të krijohet një platformë më e mirë organizative. “Unë besoj se në këtë analizë, ne të gjithë së bashku do të dimë të krijojmë jo vetëm të krijojmë një platformë më të fuqishme organizative, por mbi të gjitha edhe të reflektojmë gjithçka që kemi ndeshur edhe në këtë fushatë, në mënyrë që edhe platforma jonë politike të jetë edhe më e plotë, të jetë edhe më e qartë, të jetë edhe më reflektuese ndaj asaj që kërkojnë votuesit tanë dhe qytetarët tanë, por njëkohësisht edhe besoj se edhe përfaqësuesit tanë në të gjithë nivelet e drejtimit të LSI-së apo të qeverisjes së vendit, të jenë edhe më aktiv, edhe më të përgjegjshëm, edhe më elektoral, edhe më pranë qytetarëve e votuesve, sepse zgjedhjet vërtet zhvillohen një herë në 4 vite, por përgatitje për to bëhet dhe duhet të jetë e përditshme”, - tha ai.
n.p