Berisha: “Aleanca e Plehut” s’e komplekson politikën tonë proteksioniste për mjedisin

Kryeministri paralajmëron drejtuesit vendorë të mos dëmtojnë më tej basenet lumore, pasi ekzekutivi kishte ndërmend të miratonte disa akte nënligjore që do të disiplinojnë këto asete të rëndësishme turistike të vendit
Kryeministri Sali Berisha u ndal dje gjatë mbledhjes së qeverisë tek çështja e ndotjes së mjedisit, sidomos në zonën përreth lumit Shkumbin, të cilën e cilësoi si emergjente. “Ndotja e mjedisit, e pikërisht situata në lumin e Shkumbinit, është emergjente. Qeveria vendore duhet të marrë kompetencat që i takojnë, pasi nuk mund të lejojmë ndotjen e lumenjve”- tha Berisha. Sipas tij, pasioni i disa drejtuesve vendorë për të bërë me pleh disa zona të caktuara, është një pasion jashtëzakonisht i turpshëm dhe kjo përbën një veprimtari që do të marrë fund me të gjithë forcën e ligjeve të këtij vendi. “S’ka asgjë më të panevojshme që qeveria qendrore të merret me probleme që janë kryekëput në kompetenca të qeveritarëve vendorë, por fatkeqësisht këta zotërinj ose zonja i lejojnë vetes zgjidhjet më të lehta dhe më kërcënuese, siç është zjarri i përjetshëm i plehut në brigjet e Shkumbinit, që depozitohet nga të 4 anët”- tha kryeministri. Berisha tha se “duhet të kihet parasysh që asnjë pjesë e këtij territori s’mund të bëhet e askujt”. “Kemi vendosmëri të plotë të respektojmë tërësisht autonominë vendore, që kjo autonomi të konsolidohet, por ligjet e vendit do t’i zbatojmë me të gjithë forcën e tyre, sepse bazuar mbi këtë autonomi ka vite që Shkumbini është shndërruar në simbol të plehrave, është shndërruar në një zonë toksike”- tha Berisha. Ai kërkoi nga Inspektoriati i Mjedisit që të ndalojë në mënyrë kategorike çdo lloj depozitimi në bregun e lumit Shkumbin dhe të vendosen sanksionet më të rrepta ndaj shkeljes së këtij rregulli. Berisha kërkoi sanksionimin në ligj të penaliteteve për qeveritarët vendorë që mbyllin sytë ndaj ndotjes së mjedisit. Kryeministri Berisha kërkoi nga Inspektoriati i Mjedisit që të ndalojë në mënyrë kategorike çdo lloj depozitimi në lumin Shkumbin dhe të vendosen sanksione më të rrepta ndaj shkeljes së këtij rregulli. “Brenda datës 15 janar Ministria e Punëve Publike dhe ajo e Mjedisit të kenë të miratuara vendet e reja të depozitimit të mbeturinave, si dhe të sistemohet me përparësi të madhe Landfildi ekzistues i Rrogozhinës” - u shpreh Berisha. Ai kërkoi që “Bashkitë e Kavajës, Lushnjes dhe komunat e Golemit, Synejt, Gosës, Tërbufit dhe Dushkut brenda tre muajve, pra deri në datën 15 janar, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve Publike dhe Ministrinë e Mjedisit, të kenë caktuar, të kenë të miratuara vendet e reja të depozitimit të mbetjeve solide”. “Kjo duhet marrë me seriozitetin më absolut. Për ne kjo po bëhet një problem tërësisht shqetësues. Sepse ka shtim të të gjithë veprimtarive, në një vend që në vitin 2004 kishte 1.3 milion banorë dhe 300 mijë turistë, ndërsa sot ka 3.4 milionë banorë dhe 3.5 milionë turistë”, u shpreh Berisha. Prandaj, siguroi ai, “ne do të ndalemi në mënyrë shumë të vendosur sepse situata është emergjente”. Berisha theksoi se këto çështje duhet të marrin peshën e madhe që u takon edhe në tekstet mësimore. Sipas tij, kjo duhet marrë si një çështje që kërkon një përqendrim të madh mbarëshoqëror. “Kthesa e kohës sot është drejt zhvillimit të qëndrueshëm, është rruga jeshile, “green ëay”. Dhe Shqipëria absolutisht mund të ndërtohet dhe zhvillohet si modeli më i shkëlqyer i saj. Por zhvillohet kur qytetarët e këtij vendi të kenë të qartë avantazhet e mëdha që sjell kjo rrugë” - tha Berisha. Sipas tij, ligjet e Shqipërisë për mjedisin janë ndër më të avancuarat, janë në standardet më të mira. “Kjo qeveria ka pasur dhe do ketë përparësi absolute mbrojtjen e mjedisit. I garantoj mjedisorët që unë jam njëri prej tyre, por jo anti global”, u shpreh më tej, kryeministri Sali Berisha.
...