Deklarata/Topalli: Shqipërisë i mungon Institucioni mbi palët – Presidenti, njësoj si opozita

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë një deklarate për mediat, ka deklaruar se jo vetëm mungesa e votave të opozitës, por edhe mungesa e institucionit të Presidentit në pozicionin kushtetues si një institucion mbi palët, është një arsye shtesë që në Shqipëri nuk përmbushet kriteri politik. “Nëse mazhoranca dhe Brukseli kanë në axhendë integrimin e Shqipërisë, një tjetër axhendë ka Edi Rama. Dhe kjo pa dyshim që është një përgjegjësi e madhe”- tha Topalli, ndërsa kritikoi edhe rolin e institucionit të Presidentit. “Në Shqipëri mungon institucioni mbi palët, ndërsa ligjet që kërkojnë 3/5-at e votave, bllokohen prej dy vitesh në Kuvend. Pa dyshim që kjo ka ndikimin e vet. Edhe sot ka nga ata që nuk pranojnë të votojnë ligjet me shumicë”- theksoi kryetarja e Kuvendit. Duke shtuar se kryesocialistit Edi Rama, nuk i interesojnë aspak rekomandimet e Bashkimit Evropian, kryeparlamentarja Topalli theksoi se mos marrja e statusit të vendit kandidat edhe për këtë vit, është tërësisht përgjegjësi e Partisë Socialiste. “Shqipëria pa status, opozita përgjegjëse”, tha ajo. Ndërkaq, opozita ka dhënë votat e saj për “Për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për eksport”, mes qeverisë dhe UniCredit Bank Austria AG për financimin e projektit “Furnizimi me ujë i Bilishtit. Deputeti socialist, Samir Tahiri votoi kundër, për çka në sqarimin e tij kërkoi ndjesë. Por mesa duket, i dha mundësi kryeparlamentares t’i kujtojë grupit të opozitës se ende nuk ka kërkuar ndjesë që nuk e ka zhbllokuar mundësinë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. Mazhoranca në parlamentin shqiptar vijon të mbajë në rendin e ditës ligjet që opozita refuzon t’i votojë, si ai për ngritjen e Gjykatës Administrative dhe një sërë amendamentesh ligjore në kode të ndryshme të Republikës së Shqipërisë. Vendi ende është edhe pa Avokat Populli, i cili kërkon gjithashtu 84 vota. Ndërsa një numër ligjesh qëndron në sirtarët e Kuvendit në pritje të votës unanime të mazhorancës dhe opozitës. Kjo e fundit, përkundrejt premtimeve të fillim sezonit parlamentar, s’ka ndryshuar aspak nga qëndrimi i mëhershëm prej gati 2 vitesh me bojkot parlamentar dhe mos bindje civile.
...