Brukseli: BE i ka dyert e hapura për Shqipërinë, mjafton të gjendet konsensusi për ligjet
Vetë Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sannino ka qenë në Tiranë për të rikonfirmuar perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe akordimin e statusit të kandidatit, sapo politika të plotësojë parakushtin e vendosur, arritjen e konsensusit politik
Berisha: Integrimi në BE, projekti kombëtar i shqiptarëve
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, Stefano Sannino, dhe delegacionin që e shoqëronte. Berisha falënderoi Komisionin Evropian dhe vendet anëtarë të BE-së për mbështetjen dhe ndihmën bujare që i kanë ofruar Shqipërisë gjatë njëzet viteve të fundit, e cila e klasifikon atë edhe si donatorin më të madh ndaj vendit tonë. Nga ana e tij, z.Sannino garantoi se Komisioni Evropian dhe Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm Shqipërinë në përpjekjet e saj për tu anëtarësuar sa më shpejtë në BE. Gjatë bisedës, kryeministri Berisha ritheksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është dhe mbetet projekti më madhor i shqiptarëve dhe se qeveria shqiptare duke e konsideruar këtë si një proces të bazuar tërësisht në performancë dhe meritë është plotësisht e angazhuar të punojë për të realizuar të gjitha reformat, si dhe për të plotësuar të gjitha standardet që kërkon ky proces, në veçanti për të adresuar të gjitha rekomandimet e Komisionit Evropian në progres raportet për Shqipërinë. Ai nënvizoi se ashtu si edhe më parë, qeveria shqiptare i konsideron ato si programin më serioz të punës së saj. Kryeministri u shpreh se çdo reformë e realizuar dhe çdo standard i arritur në drejtim të hapave të mëtejshëm të procesit ë anëtarësimit në fund të fundit është një kontribut i ri në cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë, për të cilët ky proces do të thotë më shumë liri, prosperitet dhe e ardhme më e mirë. Më tej, në takim u theksua se e rëndësishme në këtë moment është që të shikohet përpara drejt hapave të mëtejshëm për të përafruar Shqipërinë me Bashkimin Europian. Në këtë kontekst, reforma zgjedhore dhe ajo e rregullores së Parlamentit si dhe adresimi i rekomandimeve të Komisionit Evropian janë aspekte të rëndësishme ku duhet përqendruar vëmendja e të gjithë aktorëve politikë që këto procese kërkojnë. Kryeministri theksoi se është në interesin e të gjitha forcave politike, por në mënyrë të veçantë të qytetarëve shqiptarë që të gjitha ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar të votohen me konsensus. Zoti Sannino e falënderoi Kryeministrin Berisha për gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar në mënyrë transparente e të hapur me opozitën për çuarjen përpara të këtyre proceseve shumë të rëndësishëm.
Haxhinasto: Progres – raporti i BE, program pune për qeverinë
Zv.kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashme Edmond Haxhinasto, garantoi dje drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë për Zgjerimin në Komisionin Europian z. Stefano Sanino, se progres – raporti i BE-së, do jetë program pune për qeverinë. Zyrtari i Lartë i Komisionit Evropian, Sannino, theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të 12 prioriteteve, veçanërisht pas publikimit të progres – raportit për Shqipërinë. Gjithashtu u diskutua dhe për situatën politike në Shqipëri, por edhe për gjendjen në rajon. Haxhinasto siguroi bashkëbiseduesin Sannino se progres raporti i BE për Shqipërinë, është kthyer në dokument të rëndësishëm pune për qeverinë për të avancuar me tej agjendën e saj, në rrugën e vendit drejt BE. “Kam shprehur vlerësimin përsa i takon Raportit të Progresit të Shqipërisë, të publikuar para pak kohësh nga BE-ja, si një dokument shumë i rëndësishëm, si një plan pune për Shqipërinë, për të avancuar me agjendën e saj drejt Bashkimit Evropian. Gjithashtu kemi shkëmbyer mendime për hapa të reja të cilat duhet të ndërmerren për të konkretizuar atë vullnet politik të shprehur, që të konsiderojmë integrimin si prioritetin kryesor në vend dhe për të realizuar dymbëdhjetë prioritetet e vendosura përpara Shqipërisë nga BE-ja. Unë kam kënaqësinë që fjalën t’ja jap z. Sanino për këtë çështje”- u shpreh kryediplomati shqiptar, Edmond Haxhinasto. Nga ana e tij, z. Sanino, duke përsëritur mbështetjen për perspektivën europiane të Shqipërisë, theksoi se tashmë kërkohet punë dhe bashkëpunim mes gjithë përfaqësuesve politike, që perspektiva evropiane e Shqipërisë të bëhet realitet. “Tashmë kemi një raport progresi dhe ne dëshirojmë të sigurojmë konsolidimin e arritjeve të deritanishme dhe të gjejmë rrugët për të çuar përpara agjendën e përbashkët, për të krijuar të gjitha mundësitë që Shqipëria t’i afrohet më shumë perspektivës evropiane, që kjo perspektivë të shndërrohet në një shans konkret për qytetarët e këtij vendi. Ajo që është e rëndësishme për ne është që të krijojmë kushtet për të çuar përpara agjendën evropiane. Do të punojmë nga afër me të gjithë përfaqësuesit politikë dhe shoqërinë civile në vend. Ne duhet të sigurojmë që perspektiva evropiane e Shqipërisë të bëhet realitet. Ne tashmë kemi një shembull shumë të mirë që është ai i liberalizimit të vizave dhe ne mendojmë se është në interesin e përbashkët të qytetarëve të këtij vendi që të afrohen më tepër me BE. Ne gjithashtu diskutuam me z. Haxhinasto për bashkëpunimin rajonal dhe sfidat me të cilat ballafaqohet rajoni. Dëshiroj të nënvizoj rolin tepër pozitive që po luan Shqipëria si faktor stabiliteti në rajon, i cili është një element tepër i vlerësuar nga Bashkimi Evropian.
Statusi kandidat, Sannino i përgjigjet interesit të medias
Shqipëria ka një rol të rëndësishëm, përsa i përket stabilitetit në rajon, por që në fakt mbeti në klasë përsa i përket marrjes së statusit kandidat. Si duhet ta përkthejnë qytetarët shqiptar këtë?
Siç edhe thashë, agjenda evropiane është një detyrë komplekse e përbërë nga shumë elementë. Kontributi në stabilitetin rajonal është një nga këto elemente. Kështu që fakti Shqipëria është një kontribues i tillë, konsiderohet si element pozitiv, i cili duhet të merret në konsideratë në përcaktimin e perspektivës evropiane të Shqipërisë.
Po përsa i përket refuzimit të statusit?
Unë mendoj se ne duhet t’i shikojmë zhvillimet në perspektivën e zhvillimeve të kaluara. Viti që lamë ka qenë kompleks nga shumë këndvështrime, por megjithatë janë shënuar disa arritje. Ajo që duhet të bëjmë është të punojmë mbi këto elemente, ashtu si edhe mbi propozimet e ardhura nga grupet e ndryshme, pra vendi të gjejë gjuhën e përbashkët për të bashkëpunuar për këto elemente, në mënyrë që Shqipëria të afrohet më tej me Bashkimin Evropian.
...