E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Aliyev TAP projekti me fizibel me ekonomik me tregun me te gjere

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha u prit sot në Pallatin Presidencial në Baku nga presidenti Ilham Aliyev, ndërsa po merr pjesë në punimet e Forumit Ekonomik Botëror, me temё “Dialogu strategjik mbi tё ardhmen e Kaukazit Jugor dhe Azisë Qendrore”.

Në këtë takim, Presidenti Alyiev dhe Kryeministri Berisha shprehen kënaqësinë për progresin e shpejtë të marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve dhe kombeve tona, si dhe vendosmërinë për zhvillimin e tyre të mëtejshëm dhe të gjithanshëm. Kryeministri Berisha e siguroi Presidentin Aliyev për mbështetjen e tij dhe të qeverisë shqiptare për investitorët azer të interesuar për të investuar në Shqipëri. Vend të veçantë në këtë takim zunë diskutimet për projektin e gazsjellësit trans- Adriatik TAP. Kryeministri Berisha theksoi në takim se TAP është projekti më fizibël, më ekonomik dhe me tregun më të gjerë edhe më të garantuar. Kreu i qeverisë shqiptare e njohu presidentin Aliyev me marrëveshjet trilaterale të firmosura nga Shqipëria, Italia dhe Greqia, ratifikimin e tyre nga Shqipëria dhe vendosmërinë e Shqipërisë për të përmbushur me përkushtim detyrimet që rrjedhin nga këto marrëveshje dhe të gjitha detyrimet kontraktuale të këtij projekti. Kryeministri Berisha e njohu Presidentin Aliyev me interesin e madh që tregojnë për projektin TAP vendet e tjera të Ballkanit.

Presidenti Aliyev theksoi se gjatë muajve që vijnë konsorciumi Shah Deniz 2 do të vendosë për projektin që do të përzgjedhë për transportin e gazit Kaspik në Evropë dhe, sigurisht, kriteret ekonomike dhe të tregut do të kenë një rëndësi parësore në vendimin e tyre. Gjithashtu, Kryeministri Berisha kërkoi ndihmën e qeverisë së Azerbajxhanit për hartimin e një masterplani për gazifikimin e Shqipërisë. Presidenti Aliyev premtoi mbështetjen e plotë të vendit të tij për hartimin e masterplanit të gazifikimit të Shqipërisë dhe zbatimin e këtij projekti nga ndërmarrjet azere.

Në takim u diskutua për bashkëpunimin në fushën e turizmit, energjisë së rinovueshme dhe në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Kryeministri Berisha ftoi Presidentin Aliyev për të vizituar Shqipërinë në kohën më të shpejtë e më përshtatshme për të, ftesë e cila u pranua me kënaqësi.
Takimi mes Kryeministrit Berisha dhe homologut azerArtur Rasi-zade Kryeministri Berisha, në vijim të vizitës së tij në Baku, zhvilloi sot në mesditë një takim me Kryeministrin e Azerbajxhanit, Artur Rasi-zade. Kryeministri Berisha e falënderoi homologun e tij z. Rasi-zade për mikpritjen dhe për të gjithë angazhimin e kabinetit ministror për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushën ekonomike dhe sociale. Kryeministri azer tregoi interes lidhur me ecurinë e ekonomisë shqiptare në kushtet e krizës në vende të tjera evropiane. Më tej, Berisha bëri një ekspoze të ecurisë së zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, thithjes së investimeve të huaja e rritjes së qëndrueshme ekonomike përmes reformave fiskale, të ndërmarra për nxitjen e zhvillimit ekonomik, veçanërisht në sektorët e energjisë, bujqësisë apo turizmit. Kryeministri i Azerbajxhanit e përgëzoi Kryeministrin Berisha për progresin e arritur dhe paraqiti interes të veçantë për investime edhe në fushën e energjisë hidrike dhe turizmit, përveç investimeve në fushën e gazit dhe të naftës. Të dy Kryeministrat, në mbështetje të përpjekjeve për konsolidimin e marrëdhënieve dypalëshe, nënshkruan sot marrëveshjen "Për bashkëpunimin ekonomik, industrial e teknologjik mes dy vendeve".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›