E Diel, 1 Nëntor 2026

Banesa sociale dhe nje shkolle e re per komunitetin rom

Në kuadër të “Javës së Vlerave Rome”, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me PNUD kanë organizuar edhe Panairin e Artizanëve, i cili është hapur sot në rrugën “Murat Toptani”. Në këtë panair, artizanë romë dhe nga rajone të ndryshme të vendit do të prezantojnë punimet e tyre, si shprehje e traditave dhe kulturës së këtij komuniteti. Në ceremoninë e hapjes së këtij panairi, zv/Kryetarja e Bashkisë Jorida Tabaku ka lançuar iniciativën e përbashkët me BE, për rikualifikimin urban të dy zonave të populluara nga komuniteti rom në njësitë bashkiake 4 dhe 8. Pjesë e rikualifikimit është dhe ndërtimi i banesave sociale për këtë komunitet dhe një shkollë të integruar me kopshte dhe çerdhe. 

“Ne, bashkarisht me Delegacionin e Bashkimit Evropian kemi një projekt i cili së shpejti fillon të zbatohet,  rehabilitimi dhe rikualifikimi urban i dy blloqeve në njësinë nr.4 dhe 8, ku pjesa më e madhe e përfituesve dhe banorëve janë pikërisht nga komuniteti rom. Kësaj zone të cilën unë e kam parë personalisht, (pranë Bregut të Lumit) do i shtohet një shkollë që është tërësisht e dedikuar për komunitetin rom, do i shtohen banesa sociale, totalisht për komunitetin rom dhe kjo krahas përpjekjeve që Bashkia e Tiranës ka në mënyrë të vazhdueshme për mbështetjen e këtij komuniteti. Është një nismë e qëndrueshme, që ne më në fund po ofrojmë arsimimin dhe strehimin për këtë komunitet i cili ka pasur shumë vështirësi në integrim” – u shpreh Tabaku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›