E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Alternativa e Ramës akuza, shpifje dhe bllokim

18-05-2013 / Gazeta 55

Kryeministri inauguron impiantin e përpunimit të ujërave të zeza - së shpejti nisin punimet edhe për ndërtimin e land-filldit

Në vijim të vizitës në Qarkun e Korçës, kryeministri Berisha inauguroi dje impiantin e përpunimit të ujërave të zeza, një investim i qeverisë shqiptare me vlerë 37,5 milionë euro, me kapacitet që t’i shërbejë 105 mijë banorëve, duke konsideruar edhe perspektivën e rritjes demografike 20 vjeçare të qytetit. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë premtoi se do të bëhet gjithçka për zhvillimin, investimet infrastrukturore, lehtësimin e biznesit dhe krijimin e vendeve të punës. “Ne do bëjmë gjithçka për krijimin e vendeve të punës. Ne hoqëm taksat për çdo lloj makinerie për biznesin. Ne vendosëm për rimbursimin e plotë e të gjitha taksave, të trefishimit të grandeve për fermerët. Ne synojmë krijimin e vendeve të punës. Kjo është alternativa jonë e cila ka shumë djersë, mundime dhe sakrifica por një gjë është e sigurt ajo ka sukses. Kur ne inauguruam impiantin e parë askush nuk e besonte se ne do të ndërtonim 14 të tilla në mbarë vendin por ja që u bë realitet. Ne i mbajmë premtimet tona. Mund të ndodhë ndonjë shtytje në kohë por ju garantoj ju se ne kurrë nuk i lëmë pa realizuar ato”- tha Berisha. Ndërsa ka ftuar shqiptarët të votojnë Partinë Demokratike, kryeministri nuk la pa sulmuar edhe opozitën e cila sipas tij bllokoi marrjen e statusit. Berisha vijoi më tej duke theksuar se, programi i Partisë Demokratike është në mbështetje të mirëqenies ekonomike në ndryshim nga alternativa tjetër e cila sipas tij votoi kundër rritjes së rrogave dhe pensioneve. “Duke ju ftuar ju të zhvillojmë së bashku fushatën më dinjitoze për ju, vlerat tuaja, vlerat e shqiptarëve, ju bëj thirrje që në 23 qershor të mendoni cila është alternativa e PD-së dhe koalicionit të saj dhe hidhni sytë në alternativën tjetër. Ajo është, akuza, shpifje, shpifje, bllokime dhe bllokime. Ata nuk votuan 3 ligjet për tu bllokuar shqiptarëve statusin, ata nuk kanë votuar për marrjen e vizave, bënë gjithçka për të bllokuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, por ne e firmosëm atë. Ata nuk votuan për ndërtimin e unazës së Korçës, ndërtimin e këtij impianti, ndërtimin e land-fillit së shpejti, por në i ndërtuam dhe do t’i ndërtojmë ato. Ata nuk pendohen me bllokimet e tyre sepse nuk kanë interesat tuaja. Programi ynë është i qartë, bëjmë gjithçka për një mirëqenie më të mirë. Kemi rritur rrogat, pensionet. Në të gjitha rastet është unike në Europë dhe bote se opozita voton kundër rritjes se rrogave dhe pensioneve. Në çdo vend të botës, opozita bën betejën më të madhe që të rrisë edhe më shumë përqindjen e rritjes se rrogave dhe pensioneve”- deklaroi kryeministri.
Kreu i qeverisë premtoi se së shpejti do të nisin punimet edhe për ndërtimin e land-fillit në Korçë pasi sipas tij janë garantuar të gjitha fondet. Gjithashtu, nga Korça kryeministri Berisha ka premtuar uljen e mëtejshme të taksave si dhe kushte më të mira infrastrukturore për sipërmarrësit. Në një bashkëbisedim me sipërmarrës dhe punonjës në Korçë, kryeministri theksoi se qeveria do të përqendrohet në kualifikimin e punonjësve për të bërë të mundur edhe rritjen e biznesit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›