E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Alternativa e Ramës, damkosje. Bllokoi ligjet, shkelmoi ëndrrën e shqiptarëve

KUKES – Kryeministri Berisha akuzoi sërish sot kryetarin e opozitës, Edi Rama për bllokimin e statusit kandidat, dhe mohimin e investimeve të KE-së, që sipas tij, do të shkonin në favor të qytetarëve shqiptarë. Nga Kukësi, ku përuroi rikonstruksionin e rrugës Kukës - Shishtavec (loti II), kryeministri Berisha sulmoi programin e opozitës, duke e cilësuar si alternativë të damkosjes dhe mohimit.

“Tre ligjet janë bllokuar nga zoti Edi Rama, me qëllimin e vetëm për të dëmtuar sipas mendjes se tij qeverinë, në të vërtetë ai dëmton një interes jetik të çdo shqiptari. Sepse statusi i vendit kandidat do të thotë disa qindra milionë euro falas investime nga KE, për rrugë, ujësjellësa, shkolla, spitale, në mënyrë që shqiptarët të jetojnë, të kenë infrastrukturën e qytetarëve europianë. Duke bllokuar 3 ligjet, zoti Rama shkelmoi ëndrrën e çdo të riu shqiptar.”- u shpreh kryeministri.

Ndërsa renditi arritjet e qeverisë së tij gjatë viteve të fundit, Berisha ironizoi akuzat e kryetarit të PS-së për rrugët e shkatërruara, duke thënë: “Sot ka një alternativë tjetër e cila mohon çdo gjë. Zoti Rama udhëton me një autobus luksoz në rrugë pa gropa dhe vrapon për të gjetur një gropë dhe del burri 2 metra i gjatë në një gropë. Me thanë media se i kanë berë vetë gropat. Rrugët në Shqipëri janë ndërtuar në të katër anët. Alternativa e dytë është alternativa e damkosjes, e mohimit”- tha kryeministri.

(vijon) Lidhje te tjera Kaskada e Devollit, Berisha firmos lejen e ndërtimit: Një ëndërr tjetër bëhet realitet

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›