Berisha: Alternativa ime në 2009-ën, më e mira
Kryeministri Sali Berisha ka përfituar nga vizita në Shkodër për të folur drejtpërdrejtë me qindra qytetarë. Ai u shpreh i bindur se në vitin 2009, qeveria e tij do të marrë një mandat të dytë pasi besimin e vitin 2005, e ka shpërblyer me punën më të mirë. “Natyrisht, mandati i dytë, që do ta vendosni ju me votën tuaj të lirë, do të përcaktojë të gjithë zhvillimin e ardhshëm katërvjeçar të vendit. Ju siguroj se në këtë rast, besimi ndaj qeverisë dhe Sali Berishës do të shpërblehet me fjalë të mbajtur. Unë e kam zgjedhur filozofinë time: mbajtjen e fjalës së dhënë. Unë do ta mbaj fjalën e dhënë ndaj jush dhe nuk do të premtoj asnjëherë gjëra që nuk mund t’i bëj. Kjo është filozofia ime e thjeshtë”, - u shpreh Kryeministri. Ai përmendi edhe disa arritje të qeverisë së tij në këto tri vite. “Qeveria këtë vit, me gjithë uljen e madhe të taksave, ia ka dalë të mbledhë 1.2 miliardë dollarë më shumë se në vitin 2005. Kjo është bërë e mundur për faktin se ato nuk vidhen më. Kjo është e vërteta absolute. Më parë këta lekë përfundonin në xhepat e zyrtarëve, ndërsa tani përfundojnë në rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkolla, landfille, autostrada, rroga e pensione. Unë ju garantoj se ky stacion ku kemi mbërritur është vetëm stacioni i parë për të ecur shumë më shpejt sesa mund të mendojnë shumë prej nesh në stacione të tjera”, - tha Berisha përpara banorëve shkodranë.