E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama-Meta; Kritikat e SHBA-së, kambanë për qeverinë



Opozita reagoi dje ndaj shqetësimit të një diplomati të lartë amerikan se në Shqipëri po rrezikohet demokracia dhe se po rrezikohet anëtarësimi i plotë në NATO. Kreu i PS-së, Rama dhe ai i LSI-së, Ilir Meta, në këtë pikë kanë gjetur gjuhën e përbashkët duke shprehur shqetësimin e tyre lidhur me deklarimet e zyrtarit amerikan. Ndërsa Rama akuzoi direkt Kryeministrin Berisha për këto paralajmërime, Meta është treguar më i ashpër, kur pjesë të cenimit të demokracisë në Shqipërisë ka bërë edhe Ramën.

Rama

Për kryetarin e PS-së të gjitha paralajmërimet që ishin mesazh direkt i SHBA-së janë kambanë që bie për Kryeministrin Berisha. “Alarmi i dhënë dje nga miqtë tanë të mëdhenj amerikanë për kërcënimin e lirisë e të demokracisë në Shqipëri duke bërë përgjegjëse qeverinë e zotit Berisha, është jo vetëm shprehja më kuptimplotë e interesimit të Shteteve të Bashkuara për fatet e Shqipërisë e të shqiptarëve, por edhe kulmi i shqetësimit të shprehur ndonjëherë prej tyre publikisht në këto 17 vjet si pasojë e keqqeverisjes së vendit tonë”, - tha Rama. Duke vlerësuar se ky është një paralajmërimi më i rëndë i ardhur Shqipërisë qysh nga 1996, Rama tha se Shqipëria në NATO nuk mund të jenë vendi ku rrezikohen zgjedhjet, ku anashkalohet OSBE-ja, ku uzurpohen institucionet e pavarura dhe ku kontrollohen mediat. “Shqipëria në NATO s'mund të jetë vendi ku kërcënohen zgjedhjet e lira e ku vullneti i lirë i shqiptarëve e shqiptareve rrezikohet nga po ata njerëz që në vitin e rëndë 1996 projektuan e realizuan krimin shtetëror të manipulimit të votës së popullit dhe sot kontrollojnë Ministrinë e Brendshme për llogari të Sali Berishës. Kjo kambanë bie për Sali Berishën”, - deklaroi kreu i Partisë Socialiste. Si të tilla, për kreun socialist, paralajmërimet duket se janë normale, kjo sepse shifrat e korrupsionit apo edhe ngjarjet në Parlament, tregojnë të kundërtën e asaj çfarë duhet të tregojë një vend që është gati të hyjë në NATO.

Meta

Që nga Gjirokastra në një takim me anëtarë të LSI-së, Meta u shpreh se ky shqetësim është mjaft i drejtë, pasi vërtet demokracia në Shqipëri është në një situatë kritike. Sipas Metës, ndryshimi i Kushtetutës së Shqipërisë në natën e 21 prillit përbën cenimin më të rëndë të demokracisë në vend, ku u cenuan rëndë institucionet kushtetuese të vendit. “Çfarë ndodhi pas 21 prillit, mos vallë u bë më evropian Sali Berisha?! Mos vallë ishte i standardit evropian ai votim nga deputetët e Parlamentit për ndryshimet kushtetuese dhe që i dhanë Sali Berishës atë pushtet që ka sot?! Apo ishte i standardit demokratik fjalori i përdorur nga Sali Berisha kundër këtij deputeti, apo kundër të gjithë parlamentarëve opozitarë?! A është ky njeri pas 21 prillit më i përgjegjshëm ndaj shqetësimeve dhe problemeve që ngre opozita? Çfarë progresi ka bërë Shqipëria pas kësaj dashurisë së madhe Rama-Berisha? Të gjitha këto pyetje kanë vetëm një përgjigje: Me Sali Berishën që e ka vendin para drejtësisë, për krimin shtetëror të Gërdecit, nuk mund të bëhen reforma dhe të luftohet korrupsioni”, - deklaroi Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›