E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrugët rurale, projekt për asfaltimin e 12 mijë kilometrave

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se qeveria ka në plan realizimin e një projekti për asfaltimin e 12 mijë kilometrave rrugë rurale. Ai tha se zhvillimi i bujqësisë është prioritet për qeverinë si dhe theksoi se vendi nuk do të zhvillohet në rast se nuk do të zhvillohet edhe bujqësia. “Qeveria do ta shohë me përparësi zhvillimin e bujqësisë, i cili kalon nëpërmjet zhvillimit rural. Ju garantoj se këtë vit projektet në infrastrukturën e komunave tona janë minimumi 200 milionë dollarë. Janë shumë më tepër nga ç’kanë qenë vite më parë. Përgjigja më e drejtë dhe ndihma më e madhe për zhvillimin e bujqësisë është ndërtimi i infrastrukturës rurale, që do të jetë dhe baza mbi të cilën do të ngrihen edhe ndërtime të tjera në këtë zonë”, - tha Berisha. Asfaltimi i 12 mijë kilometrave rrugë rurale është një mision i vështirë, por jo i pamundur, sipas Berishës. Ai u shpreh se ky projekt dukej një mision shumë i vështirë, por tashmë po ecën më shpejt nga sa ishte planifikuar. “Financimi i këtyre projekteve nuk është pjesë e fondit prej 400 milionë dollarësh, prej nga do të përfitojnë të gjitha qarqet e vendit”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›