E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kritikat e diplomatit amerikan

Dy ditë më parë një diplomat amerikan u tha disa mediave vizive se SHBA-ja ishte e shqetësuar për hapat prapa, sipas tij, që po bënte vendi ynë duke rrezikuar futjen në NATO e BE. Diplomati, deklarata e të cilit nuk u hodh poshtë nga zyra e shtypit pranë kësaj ambasade, shprehte shqetësim për sulmet ndaj prokurorisë. Sipas tij, është skandaloze letra e Kryetares së Kuvendit Topalli dërguar kryeprokurores Ina Rama me qëllim që të orientojë hetimet ndaj Gërdecit. Gjithashtu, ai shetësohet për një pr/ligj që pritet të hyjë me procedurë të përshpejtuar në vjeshtë, i cili sipas tij parashikon uljen e profilit të këtij institucioni dhe rritje të ndikimit politik ndaj këtij institucioni. Diplomati në fjalë shprehte shqetësim dhe për “raportet e deformuara” të shumicës me Presidentin, dhe sidomos përpjekja për të rrenuar autoritetin e Gjykatës së Lartë, duke hedhur poshtë në bllok gjashtë kandidaturat e para. Sipas tij, shumica u përpoq të diktonte përbërjen e gjykatës sipas shijeve të saj politike. Me dyshim shihen dhe sulmet ndaj KLD–së dhe përpjekjeve për ta vënë atë në kontroll. Gjithashtu, ai kritikon dhe sulmin e fshehtë që sipas diplomatit po përgatiste qeveria ndaj OSBE-së. Burimi diplomatik iu referua një fjalimi të ambasadorit shqiptar në Vjenë, i cili la të nënkuptonte te ndërkombëtaret se ky mision në Tiranë është i panevojshëm. Sipas tij, shihet me dyshim largimi i monitoruesve të huaj pikërisht në prag të një viti elektoral.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›