E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Antikorrupsioni, me reformat do të kapim 20 vendet e para



Kryeministri bën bilancin e reformave trevjeçare antikorrupsion

“Drejtësia nuk ka gjetur moralin për të bërë reformë”

Kryeministri Sali Berisha bëri ditën e djeshme një bilanc trevjeçar të reformave që ka ndërmarrë qeveria në luftën ndaj korrupsionit, duke deklaruar këto vite ishin konkretizim i punës që nisi në vitin 2005. Berisha u shpreh i sigurt se reformat e ndërmarra në këto vite, do të sjellin si rezultat, që vendi të jetë në 20 vendet me korrupsion më të pakët në botë. Kryeministri u shpreh më tej se raporti i “Transparence International”, i cili vlerësoi Shqipërinë me një rritje, duke u ngjitur 20 shkallë, nuk ishte i rastësishëm por fryt i reformave qeveritare. “Në shkallë botërore Shqipëria lë mbrapa 95 vende të botës. Me këtë rezultat Shqipëria kalon nga gjysma e errët e hënës në anën me dritë të saj. Shqipëria në garën botërore u rendit si një nga vendet 10 më të suksesshme në luftën korrupsionit”, - deklaroi para mediave Kryeministri. Përpara gazetarëve, Berisha u shpreh i sigurt se reformat e ndërmarra nga qeveria do të bëjnë të mundur që vendi të jetë në vendet me korrupsion më të pakët, pra në 20 vendet e para. “20 vendet më të pastra të botës janë edhe 3.7 pikë para nesh. Ne kemi 3 ose 4 km për të bërë dhe në rast se do ruajmë këto ritme, do t’i kalojmë ato më shpejt. Tani që mund të ecim në dritë do të mund të ecim më shpejt. Kjo luftë kërkon që ne politikanët të jemi të barabartë para ligjit. Jam i sigurt se do kapim 20 vendet e para. Mund të duhet njëfarë kohe për këto 4 kilometra, por janë krejtësisht të arritshme”, - u shpreh Berisha.

Drejtësia

Ashtu si raporti i “Transparence International”, i cili shihte sistemin e drejtësisë si më të korruptuarin në vend, edhe Kryeministri Berisha, deklaroi se ky sistem nuk po gjen dot moralin për të kryer reformë, për të ndalur korrupsionin. Berisha tha se “është e dhimbshme që drejtuesit e këtyre institucioneve nuk kanë gjetur forcën morale për të vendosur para ligjit asnjë gjykatës, asnjë prokuror, apo për të ndërmarrë reforma që për t’i vendosur atyre gjyzlykë të zeza dhe nuk i shohin këto”. Kryeministri Berisha akuzoi më tej duke thënë se gjykatës dhe prokurorë kanë nxjerrë të pafajshëm njerëz të inkriminuar. “Beteja është betejë. Ato që mendojnë se mund ta përdorin pavarësinë për të mos luftuar korrupsionin, gabohen rendë. Prapanicën nuk e ka lëvizur asnjë gjykatës apo prokuror edhe kur janë filmuar duke marrë para, edhe kur kanë liruar vrasësit, apo e kanë nxjerrë të pafajshëm trafikantin, kur kanë falsifikuar dosje. Kjo është e papranueshme. Jemi të gatshëm të japim ndihmesën më të madhe, por ne nuk pajtohemi me këtë situatë”, deklaroi kryeministri Berisha.

Hapat e mëtejshme

Kryeministri tha më tej se procesi i reformave në vazhdim do të përqendrohet në lehtësimin procedurave. Sipas tij, të gjitha shërbimet publike do të digjitalizohen si dhe do të privatizohen sektorët kuç në ekonomi, duke vendosur sipas tij, qytetarin në një marrëdhënie të re me shërbimet publike. “Do të ketë procedura digjitale në prokurime, në taksa dhe gjithë shërbimet e tjera. Do të ketë privatizim të plotë. One stop shop për lejet dhe licencat. “Heshtja është miratim” nuk do të jetë për lejet por të gjithë proceset me radhë”, tha Berisha. Kryeministri, ne deklaratën e djeshme u shpreh më tej se qeveria e drejtuar prej tij, bëri të mundur që administrata të largohet nga konflikti i interesit. “Ne e morëm pushtetin në kushtet e kleptokracisë, kriminalitetit, emigracionit. Duke e konsideruar murin e tij si pengesë për integrimin, ne shpallëm në program luftën kundër korrupsionit. Nxjerrjen e administratës jashtë konfliktit të interesit, transparencës ndaj vendimeve të ministrave dhe Këshillit të Ministrave, qeverinë e vogël, bashkëpunimin me shoqërinë civile ndaj korrupsionit, mbështetje e plotë e prokurorisë për korrupsionin”, nënvizoi në fjalën e tij kryeministri Berisha.

Misioni i FMN-së, Berisha:Rama spekuloi

Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, kryeministri Sali Berisha, e cilësoi deklaratën e kreut të PS-së Edi Rama për largimin e FMN-së, si një spekulim mediatik për qëllime të dobëta politike. Sipas kryeministrit, FMN-ja do të jetë prezent në Shqipëri por me një program tjetër pasi vendi sot cilësohet si vend me të ardhura të mesme, duke nënkuptuar se Shqipëria i ka shpëtuar varfërisë ekstreme. “Do më falni po në mënyrë absolute deklarata e Ramës ishte trillim i mirëfilltë, bukëvale tjetër e politikës së re për FMN-në. Ky fond dhe qeveria kanë qenë dhe janë në fundin e marrëveshjes së bashkëpunimit të tyre me këtë program”, tha Berisha. Më tej Berisha tha “Shqipëria nuk futet më në vendin me ardhura të ulëta, po në ato me të mesme. Në këtë kontekst, fundi është sukses i vërtetë si për Shqipërinë ashtu dhe për FMN-në që ka pasur bashkëpunim që në 1991”. Sipas Berishës, roli i FMN-së në Shqipëri do të jenë në bazë të një programi tjetër. “Tani Shqipëria nuk ka ndërprerje, por fundi i programit dhe fillimi i një tjetri, bashkëpunim mbi bazën e artikullit 4. Kjo shtrihet në të gjitha vendet e botës. Ka patur vende që e kanë ndërprerë këtë bashkëpunim. FMN-ja është institucion i pazëvendësueshëm për sa i përket stabilitetit makroekonomik. Unë mendoj se të gjithë vendet që dolën nga diktatura dhe arritën që të reformojnë ekonominë, në ekonomi tregu”, deklaroi kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›