Bogdani: Erion Veliaj t’i ankohet Ramës për romët
Një vizitë e kreut të G99-s, Erion Veliaj, tek komuniteti rom, ku akuzoi qeverinë se i ka lënë në harresë, ka sjellë dhe reagimin e Partisë Demokratike nëpërmjet zëdhënësit të saj, Gerti Bogdani. “Nënkryetari de fakto i PS, Erioni, që ndërtoi vilën me paratë e “Mjaft”-it dhe mori me vete kompjuterin që mbante financat, shkoi tek romët, të cilët kryetari i tij i kishte cilësuar jo shumë kohë më parë, si njerëz vetëm të ahengut. Nënkryetari i Ramës sulmoi qeverinë se nuk paska ndërtuar shkolla për romët. Ndërkohë që qeveria i ka dhënë kryetarit me korrespondencë të bashkisë, 2.2 miliardë lekë për ndërtimin e 7 shkollave dhe rikonstruksionin e 12 të tjerave”, - u shpreh dje Bogdani, duke replikuar me akuzat e Veliajt. Madje Bogdani bën të qartë se është pikërisht Bashkia e Tiranës përgjegjëse për ngritjen e shkollave dhe vënien në zbatim të programeve sociale për këtë kategori. Sipas Bogdanit “me këto para kryetari me Erionin mund të ndërtonin jo një, por disa shkolla për romët e Tiranës. Mirëpo këtë ai s'mund ta bëjë, sepse trojet i ruan për pallatet që ndërton me gonxhet e tij”. Më tej, ai sqaron se “Partia Demokratike dhe kjo qeveri janë të vetmet që kanë vendosur një program për strehimin, shkollimin dhe punësimin e romëve, por fatkeqësisht fondet e dedikuara atyre, Bashkia e Tiranës i përdor për të vaditur gonxhet në lulishtet e firuara të kryeqytetit”. Bogdani akuzon kryebashkiakun Edi Rama se u ka shembur shtëpitë romëve. “Sot romët kanë në të vërtetë probleme të mëdha, por kryetari i bashkisë jo vetëm nuk po bën asgjë për t'i ndihmuar, por po i nxjerr nga shtëpitë e tyre me dhunën e Policisë Bashkiake, jo për të ndërtuar shkolla e banesa sociale, por pallate”, - përfundon Bogdani.