E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milo: Opozita po përçahet çdo ditë, se e ka mendjen tek Berisha



Një apel të qartë dhe të fortë ka bërë dje ndaj kolegëve të tij opozitarë kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo. Ai e cilësoi opozitën të përçarë dhe të papërgatitur për të përballur mazhorancën dhe Kryeministrin Berisha në zgjedhjet e ardhshme. Pasi bën një tablo negative të qeverisjes së vendit, Milo kthehet nga opozita duke shtruar pyetjen se çfarë duhet të bëjë ajo në këtë situatë. Ai e sheh shumë pesimiste situatën në kampin e majtë dhe ironizon madje dhe krijimin e partisë më të re drejtuar nga Petro Koçi, PS ’91. “Opozita është e përçarë. Ajo në vend që të bashkohet, klonon çdo sezon nga një fraksion parti”, - shprehet Milo. Megjithëse s’ka vendosur akoma se ku do të vendoset para zgjedhjeve, në koalicionin e Ramës apo të Metës, kreu i PDS-së apelon për një bashkim. Sipas tij, “opozita më shumë po lufton veten sesa kundërshtarin e saj të fortë politik. Opozita nuk ka një filozofi të qartë dhe unike për të ndërtuar një opozitarizëm optimist e të suksesshëm, një parti i bie gozhdës e tjetra patkoit”. Në këtë kontekst, ai mban të njëjtin qëndrim për të dyja palët, LSI-në dhe PS-në, duke deklaruar se “thelbi i grindjes nuk është parimor, kush kërkon ta ngrejë në këtë nivel bën vetëm demagogji të pastër”. Por në këtë moment Milo gjen dhe pikën e bashkimit duke tentuar të bëhet kështu ndërmjetësi i një bashkëpunimi mes palëve. Megjithëse nuk ka marrë ndonjë nismë konkrete për t’i pajtuar Ramën e Metën, ai bën apel publik për bashkëpunim. “Ka një shans që nuk duhet humbur dhe që mund të shërbej si katalizator për të afruar e bashkuar të majtën: ky është Kodi Zgjedhor ende i pakryer, pranimi dhe legjitimimi i kërkesës për korrektim kombëtar proporcional në zgjedhjet e ardhshme”, - mendon Milo. Ai thekson se PDS vazhdon të jetë për bashkimin. Duke sqaruar pozicionim e partisë së tij deri më tani në këtë debat, Milo shton se “PSD nuk bën lojën e askujt dhe as ka qenë dhe nuk do të jetë zëdhënës i askujt”. Ndërkohë ai bën të qartë se s’ka asnjë vendim për vendin që do mbajë kjo parti para zgjedhjeve. “Për koalicionin do të vendosim kur të vijë koha, askush të mos bëjë llogari paraprake. Ne po përgatitemi seriozisht për zgjedhjet. Prej tyre, PDS do të dalë me grup parlamentar”, - përfundoi Milo dje në një konferencë për shtyp.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›