"Tetori Gjerman", 1 muaj kushtuar 20-vjetorit të miqësisë Shqipëri-Gjermani
Gjatë vitit të kaluar fokusimi ishte tek aktivitetet kulturore, këtë vit krahas tyre do të ketë dhe veprimtari të shumta mbi bashkëpunimin ekonomik
2008-a është 20-vjetori i bashkëpunimit për zhvillim Shqipëri - Gjermani. Nëse vitin e kaluar ishin në axhendë thuajse vetëm aktivitete me kulturore e artistike, këtë vit do të ketë dhe veprimtari me karakter ekonomik. Më 21 tetor të vitit 1988 Republika Federale e Gjermanisë dhe Shqipëria firmosën një marrëveshje mes tyre për bashkëpunimin teknik. Duke pasur parasysh se në atë kohë Shqipëria ishte ende nën regjimin komunist dhe me fobi ndaj kapitalizmit, projektet fillestare ishin modeste, si nxitja e prodhimit dhe përpunimit të qumështit, ristrukturimi i Qytetit të Studentëve në Tiranë etj. Por gjatë dy dekadave në vijim, bashkëpunimi për zhvillim mes dy vendeve është rritur e forcuar progresivisht. Në këtë sfond të 20-vjetorit të bashkëpunimit për zhvillim mes dy vendeve, në Tiranë dhe në disa rrethe të tjera të vendit do të zhvillohet "Tetori Gjerman 2008", një axhendë e pasur veprimtarish që do të organizohen deri në datën 2 nëntor. Duke prezantuar kalendarin dhe synimet e "Tetorit Gjerman 2008", zëdhënësja e ambasadës se Gjermanisë në Tiranë, Irene Ajdemyler (Eidemüller), thekson faktin se kjo është hera e dytë që “Tetori Gjerman” zhvillohet në Shqipëri: "Nëse gjatë vitit të kaluar ishim të fokusuar më shumë tek aktivitetet kulturore, këtë vit krahas tyre do të ketë dhe veprimtari me karakter ekonomik, për të evidentuar edhe më shumë 20 vitet e bashkëpunimit për zhvillim mes dy vendeve".
Një nga veprimtaritë kryesore të "Tetorit Gjerman 2008" është dhe konferenca ekonomike shqiptaro-gjermane "Perspektivat e tregut në Shqipëri: Energjia, mjedisi e ndërtimi", e cila synon të paraqesë perspektiva të reja për investime, tregti e bashkëpunim në këto tri aspekte mjaft të rëndësishme për ekonominë shqiptare. Zëvendësdrejtori i Shoqatës Gjermane për Bashkëpunim Teknik, GTZ, Ismail Beka, thotë se për herë të parë në këtë konferencë "aktive do të jetë dhe Dhoma e Industrisë dhe Tregtisë Gjermane në Shqipëri, DIHA, e krijuar vetëm pak ditë më parë". Në fokus të aktivitetit do të jenë para së gjithash dhe kontaktet mes bizneseve me shkëmbim informacioni, vizita individuale të kompanive të interesuara etj. Në mes të javës që vjen është programuar të zhvillohet dhe konferenca e parë shqiptaro-gjermane për rolin e gruas në biznes. Enkelejda Goxhaj, si përfaqësuese e GTZ-së për programin e zhvillimit ekonomik dhe nxitjes së punësimit në Shqipëri, thotë se "aktiviteti do të tentojë të sjellë së bashku përfaqësues të biznesit nga dy vendet, për shkëmbim intensiv dijesh dhe përvojash, të përcjellë përvojën pozitive të punës së GTZ-së në rajon dhe më gjerë tek përfaqësueset në konferencë, të iniciojë ngritjen e një rrjeti ndërkombëtar kooperimi për nxitjen e marrëdhënieve të biznesit etj."
Irene Ajdemyler, zëdhënëse e ambasadës gjermane në Shqipëri thotë se disa nga veprimtaritë kryesore që do të zhvillohen jo vetëm në Tiranë, por dhe në Durrës, Pogradec e Shkodër në kuadër të "Tetorit Gjerman 2008" janë dhe workshop-i i artistëve gjermanë, francezë e shqiptarë, mbrëmja poetiko-muzikore kushtuar poetit Gottfried Benn, pjesët teatrale "Me syrin e një klouni", të Hajnrih Bëlit dhe "Ariu" nga Anton Çehov, hapja e ekspozitës së librave mbi temën: "Shqipëria. Reportazhe udhëtimesh dhe libra specialiteti në gjuhën gjermane", ditët e filmit gjerman 2008, diskutimi me Marianne Birthler, drejtuese e zyrës federale për dosjet e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit të ish-RDGJ-së, shfaqja e filmit "Jeta e të tjerëve", prezantimi i librit: "Tregimtarë të gjuhës gjermane 1900-1945" etj.