E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama cakton kujdestarë për punën e deputetëve



Çdo anëtar kryesie do përgjigjet për një qark

Fushata zgjedhore, monitorim punës së partisë në bazë

Anëtarët e kryesisë së Partisë Socialiste do të jenë përgjegjës të organizimit të fushatës elektorale dhe ecurisë së përgatitjeve të saj në bazë. Ndarja fillestare është e bazuar në qarqe, por ajo çfarë është e re në këtë organizimin qëndron tek emërtimi që marrin anëtarët e kryesisë, që janë përgjegjës të qarqeve përkatëse. Çdo anëtar kryesie që është përgjegjës për gjithë qarkun do të quhet kujdestar. Një emërtim i ri, larg përcaktimeve të zakonshme si koordinator apo sekretar rajonal etj. Duket se dhe ky lloj emërtimi është një risi e sjellë nga kryetari i ri, Edi Rama, pasi shumë struktura dhe mënyra e organizimit të punëve dhe emërtimi i detyrave që marrin zyrtarët socialistë kanë ndryshuar që nga ardhja e tij në krye të partisë. Kujdestari ka për detyrë të organizojë krerët vendorë si dhe deputetët e zonës brenda këtij qarku, të mbledhë informacion dhe të përpilojë raporte mbi ecurinë e procesit. E duket se organizimi i deputetëve është dhe më interesantja e kësaj detyre, sepse në PS deputetët kanë nisur ta etiketojnë njëri-tjetrin me epitetin “kujdestari im”, duke shprehur me humor pakënaqësinë për të raportuar tek një koleg për punën e tyre gjatë fushatës zgjedhore. Por, kujdestari do të merret me gjithçka që i duhet partisë. Bëhet fjalë për të gjitha detajet, hollësitë apo elementët që lidhen me fushatën. P.sh., gjendja e anëtarësisë, evidentimi përmes krerëve të degëve në fshat dhe në qytet të njerëzve të besuar, përcaktimi i njerëzve që përmbushin kriteret për kandidatë për deputetë etj. Kujdestarët janë në varësi direkte të kryetarit të Partisë Socialiste dhe përgjigjen përgjithësisht tek ai.

Ndarja

Burime nga Partia Socialiste konfirmuan se ka një ndarje paraprake të kujdestarëve në bazë të qarqeve. Për shembull, deputeti socialist, Erion Braçe, është kujdestar i qarkut të Beratit, duke përfshirë këtu degët e PS-së në Kuçovë, Çorovodë, Poliçan, Urë Vajgurore. Namik Dokle lëviz nga Elbasani ku është deputet për të qenë kujdestar i qarkut Durrës, ndërsa anëtarja tjetër e kryesisë, Ermelinda Meksi, shkon nga Tirana si përgjegjëse për qarkun e Fierit. Pandeli Majko edhe pse është deputet i zonës së Korçës, i është lënë kujdestaria e qarkut më të rëndësishëm, Tiranës. Për qarkun Korçë, kujdestarinë e ka Ben Blushi si deputet në këtë zonë. Ndërsa Gramoz Ruçi, kryetari i AK-së si dhe deputet në zonën e Tepelenës është kujdestar i qarkut Gjirokastër. Të gjithë kujdestarët do të ndihmohen në punën e tyre nga deputetët e zonës, nga krerët e partisë në rrethe, koordinatorë apo sekretarë rajonalë. Ndërkohë që në selinë rozë një grup deputetësh, anëtarë të kryesisë dhe asamblesë kombëtare janë duke punuar për fazat e organizimit të fushatës elektorale. Shtabi përbëhet nga minigrupe, që janë përgjegjës për aspekte të ndryshme të fushatës. Brenda këtyre ditëve pritet që mbledhja e kryesisë të japë miratimin e startit të organizimin të saj nga qendra deri në bazë. Janë anëtarët e kryesisë ata që kanë detyrën më të vështirë të organizimit të saj që nis me mbledhjen e informacionit, zgjidhjen e problemeve dhe raportimin te kryetari i partisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›