Gratë që do ulen në karriget e PD-së
Kush janë 14 gratë kandidate për deputete
Në listë futen të gjitha zv.ministret
Burrat e PD-së bindin vetveten, më shumë gra përkrah tyre në karriget e Parlamentit të ri. Si rrallë ndonjëherë, PD-ja arrin të krijojë listën më të gjatë të grave që do konkurrojnë në zgjedhjet parlamentare të 2009-s. Gazeta ka mundur të sigurojë listën e femrave demokrate që do të përfshihen në betejën e re elektorale të vitit të ardhshëm. Ato janë 14 gra, me mjaft integritet dhe që premtojnë shumë në politikën e djathtë shqiptare. Ndryshe nga vitet e mëparshme, ku përkrah burrave të politikës së djathtë listoheshin 3 deri në 5 femra, këtë herë lidershipi i PD-së ka besuar më shumë tek gjinia femërore, duke shtuar kuotat e saj. Bëhet fjalë për emra të njohur të politikës aktuale të së djathtës, por që listën e dominojnë zëvendësministret e qeverisë “Berisha”, post i cili përgjatë 3 viteve të qeverisjes u dha mundësinë për të nxjerrë në pah aftësitë profesionale. Por tashmë ato do të përfshihen edhe politikisht në Parlamentin e ri të 2009-s. Nga lista prej 14 emrash, vetëm 5 prej tyre rikandidarojnë ndërkohë që 9 gra të tjerë provojnë për herë të parë ethet e zgjedhjeve të përgjithshme. Listën e gjatë, e cila mendohet të jetë e pandryshueshme deri në momentin e zgjedhjeve, e kryeson gruaja më e pushtetshme e demokratëve, Jozefina Topalli. Ajo ndiqet nga ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, deputete dhe pjesë e strukturave të larta të PD-së. Marjeta Zaçe, ish-deputete, aktualisht zëvendësministre e Punës dhe Çështjeve Sociale është sërish pjesë e listës së demokratëve. Garën elektorale të 2009-s do ta provojë për herë të dytë edhe Arenca Trashani, momentalisht deputete e Shkodrës dhe ish-ministre e Integrimit. Po ashtu dhe deputetja Lajla Përnaska. Pjesa tjetër e listës janë emra të njohur për PD-në në periudha të ndryshme të aktivitetit të saj politik. Por janë dhe 5 zëvendësministre të tjera, që Kryeministri Sali Berisha do u besojë konkurrimin nën siglën e PD-në në qershor të 2009-s. Ato janë Iva Zaimi, zëvendësministre e Punëve të Brendshme, Zana Turku, zëvendësministre e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Adriana Gjonaja, zëvendësministre e Arsimit dhe Shkencës dhe Edith Harxhi, zëvendësministre e Punëve të Jashtme. Në rast se emrat e mësipërm kanë mbështetjen e Kryeministrit Berisha, zëvendësministrja tjetër, Zana Xhuka, aktualisht tek Mbrojtja shqiptare, mësohet të jetë propozim i kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Zhuka i përket shtresës së të persekutuarve politikë, fakt që e bën të parefuzueshme në një garë të tillë elektorale si ajo e 2009-s. Por në listën e re të PD-së figurojnë dhe dy këshilltare të z. Berisha. Njëra prej tyre, Zana Guxholli, këshilltare për ekonominë në Kryeministri dhe Mimoza Vokshi, drejtoreshë e Departamentit të Koordinimit në qeveri. Në listën e 14 emrave është dhe ish-këshilltarja e Berishës në kohën kur ishte President, znj. Elisabeta Semini, aktualisht drejtoreshë e Autoritetit Mbikëqyrës të Shoqërive të Sigurimeve. Elfrida Zefi, prefekte e Korçës, është një tjetër emër në listën e PD-së, për të cilën mësohet se është zgjedhja e ministrit të Financave, Ridvan Bode, njëherësh dhe deputet i Korçës. Numri prej 14 grave përfshirëse në listën e kandidateve për deputete në parlamentaret e 2009-s është në përputhje të plotë me kuotën që përcakton statuti i PD-së. Sipas këtij statuti, numri i zonjave fituese të mos jetë më pak se 25%.
Ky kriter dhe kjo përqindje e vendimmarrjes së femrave do të ndikojë më së shumti në uljen e “tensioneve” politike brenda partisë në pushtet, që jo rrallë janë vënë re gjatë këtij mandati qeverisës në periudha të ndryshme të PD-së.
PD, lista e kandidateve për deputete në 2009-n
1. Jozefina Topalli, kryetare e Kuvendit
2. Majlinda Bregu, ministre e Integrimit
3. Marjeta Zaçe, zv.ministre e Punës e Çështjeve Sociale
4. Iva Zaimi, zv.ministre e Brendshme
5. Mimoza Vokshi, drejtoreshë e Departamentit të Koordinimit në qeveri
6. Elisabeta Semini, drejtoreshë e Autoritetit Mbikëqyrës të Shoqërive të Sigurimeve
7. Zana Turku, zv.ministre e Kulturës
8. Adriana Gjonaj, zv.ministre e Arsimit dhe Shkencës
9. Edith Harxhi, zv.ministre e Punëve të Jashtme
10. Arenca Trashani, ish-ministre e Integrimit, deputete
11. Lajla Përnaska, deputete
12. Elfrida Zefi, prefekte e Korçës
13. Zana Xhuka, zv.ministre e Mbrojtjes
14. Zana Guxholli, këshilltare e Kryeministrit për Ekonominë
Statuti
h. Anëtarë të zgjedhur sipas nenit 39 të statutit sipas një përfaqësimi territorial të vendosur nga kryesia qendrore. Numri minimal i anëtarëve të zgjedhur sipas germës “h” është 100 (njëqind) persona, por në çdo rast nuk duhet të mos jetë më i vogël se shuma totale e dalë sipas germave të tjera. Numri i zonjave fituese të mos jetë më pak se 25%. Në rast se ky kriter nuk plotësohet në renditjen e dalë pas votimit, atëherë renditja e tyre veçohet nga ajo e përgjithshmja.
Topalli: Gratë në politikë, sipas meritës
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, e cilëson si mjaft të rëndësishme rritjen e pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje, por sipas saj, përfaqësimi i tyre në politikë duhet të jetë i merituar. Gjatë një takimi të zhvilluar dje me rrjetin e grave për demokraci, Topalli vuri theksin mbi atë që në Kuvendin e vitit 2009, kuota prej 30 për qind të përfshijë gra me profil të dashur për publikun, me integritet dhe të afta profesionalisht. "Nuk besoj se ne gratë kemi nevojë për mëshirë, nuk pretendojmë se jemi më të zonjat sesa burrat, por besoj se mund të sjellim një ndjeshmëri apo trajtim pak më ndryshe të çështjeve, sesa burrat", - u shpreh znj. Topalli. Ajo vlerësoi se për të rendur drejt atij 30-përqindëshi që përcakton ligji i barazisë gjinore, apo për ta tejkaluar atë, gratë duhet të bëjnë një garë të denjë me opozitën e tyre. Në këtë takim kryeparlamentarja Topalli evidentoi qartë se kjo kuotë përfaqësimi në Parlament nuk duhet të konsiderohet si dhuratë, por të shihet si një garë reale. Takimi i kryeparlamentares Topalli me përfaqësueset e shoqërisë civile vjen në vijimësinë e përpjekjeve dhe mbështetjes që kryetarja e Kuvendit, po i jep përfshirjes në legjislacion për herë të parë të kuotës së grave prej 30 %, në Parlamentin e Shqipërisë. Gjatë takimit, përfaqësueset e shoqërisë civile theksuan si shumë të nevojshme dhe të rëndësishme lobimin për pjesëmarrjen e grave në Parlament, si ndryshim me standarde evropiane të politikës shqiptare. Topalli vlerësoi dje kuotën 30 % të përfaqësimit të grave në Parlament, si një arritje për shoqërinë shqiptare. Kurse përfaqësueset e shoqërisë civile, duke vlerësuar rolin e saj në fushatën e lobimit të përfaqësimit të grave në Kuvend, e cilësuan shumë të rëndësishme "nxitjen e shpirtit të garës dhe jo të përpjekjeve artificiale", siç u shprehën ato. Në emër të “Lobimi të Grave për Demokraci”, Jeta Katro, vlerësoi vullnetin politik të kryetares së Kuvendit në rritjen e përfaqësimit politik të gruas, duke theksuar "mbështetjen, që gratë të kenë shanse, që u janë mohuar deri tani nga barriera të ndryshme dhe nga mentaliteti patriarkal i shoqërisë".