E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Arsimi është një ndër prioritetet e qeverisë shqiptare

Në ditën e dytë të qëndrimit në Katar, Kryeministri Berisha zhvilloi një vizitë në Fondacionin e Katarit (Qatar Foundation), ku u prit nga Zëvendës/presidenti i këtij Fondacioni. Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Bordin Drejtues dhe  e njohu me arritjet në fushën e arsimit dhe prioritetin që i ka dhënë qeveria zhvillimit të arsimit në Shqipëri. Arsimi, - tha Kryeministri - është ndër prioritetet e qeverisë. Ne kemi dyfishuar buxhetin për arsimin, kemi rritur numrin e studentëve deri në 150 mijë, po vazhdon me sukses projekti për shtrirjen e internetit në çdo shkollë etj. dhe me reformat e saj, qeveria do të vazhdojë të rrisë mbështetjen për arsimin.  

Zëvendës/presidenti i Fondacionit u shpreh se ky Fondacion është  në kërkim të mundësive për bashkëpunim me Shqipërinë dhe bëri të ditur se do të japë disa bursa studimi Master pasuniversitare. Më pas, Kryeministri Berisha vizitoi ambientet e kryesore të Qatar Foundation. Qatar Foundation është një qendër e madhe për edukim dhe kërkim shkencor, e cila ka dhënë një kontribut real jo vetëm në Katar, por në mbarë rajonin për zhvillimin e shkencës, kulturës dhe zhvillimin e komunitetit. Ajo është një organizatë joqeveritare e themeluar në vitin 1995 nga Emiri i Katarit dhe lidershipin e kësaj organizate e ka zonja e tij, Sheikja Al Missned. 

Qatar Foundation është qendra më e njohur në botë, e cila është e binjakëzuar me 6 degët më të njohura të universiteteve amerikane, në fushën e teknologjisë së lartë, të mjekësisë, të jurisprudencës, shkencave të komunikimit dhe gazetarisë. Ndërkohë  që së shpejti pritet përurimi i Parkut të Shkencës dhe Teknologjisë në brendësi të Fondacionit të Katarit që është më i madhi në botë dhe që ka kushtuar 5 miliardë dollarë. Qatar Foundation ka shkencëtarët dhe specialistët më të mirë të botës që punojnë për të. Më pas, Kryeministri Berisha zhvilloi një vizitë në Muzeun e Artit Islamik në Doha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›