E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: As Topi, as Nano, presidenti i ri nga PD-ja

TIRANE-Kryeministri, Sali Berisha në një intervistë të dhënë dje për emisionin “Opinion” në Tv Klan konfirmoi se Bamir Topi dhe Fatos Nano nuk do të propozohen nga Partia Demokratike si kandidatura për postin e Presidentit të Republikës.

I pyetur për emrin e Fatos Nanos si kandidat për President, Berisha tha se Partia Demokratike do të ketë kandidatin e vet për President dhe do ta zgjedhë atë kandidat.
“Partia Demokratike ka të drejtën e saj të kandidojë çdo drejtues të saj për President të Republikës. Ka një numër të madh personalitetesh që mund t'i promovojë në atë post. PD nuk ka pengesë për të përzgjedhë kandidatin më të mirë që ajo mendon për postin e Presidentit. I kemi votat të plota me aleatin tonë LSI. Ky koalicion ka funksionuar në mënyrë të përsosur. Ka një formulë që ka funksionuar shumë mirë”, tha Berisha.

I pyetur për emrin e Jozefina Topallit, kryeministri tha se pavarësisht çka ka thënë për zotin Topi ai është president deri ditën që i skadon mandati dhe nuk do të ketë asnjë emër deri ditën kur të mbarojë mandati. “Zonja Topalli dhe disa zonja e zotërinj në PD kanë kualitetet dhe cilësitë për të qenë në atë post. Nuk ekziston asnjë kandidaturë deri sa të nisë gara. Zoti Fatos Nano është lider historik i së majtës dhe nuk do të propozohet prej nesh. Ne do të kemi kandidatin tonë”, tha Berisha.

Sipas kryeministrit, presidenti i vendit është post politik dhe nuk mund të vijë jashtë saj.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›