E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ata që më futën në listën e dhjetë armiqve kryesorë të shtypit, të çmendur

Nga Tema

Gazeta “TemA” vijon botimin e një interviste të kryeministrit, Sali Berisha, dhënë për gazetarin e “Zërit të Amerikës”, A. Fetahu, në dhjetor të vitit 1997. Intervista do të përdorej nga gazetari për të shkruar një libër mbi zhvillimet në Shqipëri gjatë vitit 1996-1997

Çfarë roli kanë luajtur këto fondacione dhe epidemia e fajdeve në rezultatet pozitive për Partinë Demokratike në zgjedhjet e 20 tetorit 1996?

Rezultatet e zgjedhjeve të 20 tetorit ripërsëritën rezultatin e zgjedhjeve të 26 majit, para të cilave fondacionet e mëdha nuk kishin marrë ndonjë përhapje të madhe. Fondacionet ishin tërësisht të kontrolluara nga PS. Nuk mendoj se kjo parti ishte e interesuar për rezultatin që Partia Demokratike realizoi më 20 tetor sesa për qëllime të tjera. Fondacioni “Populli” drejtohej nga Sh. Driza, ish-oficer i Sigurimit të Shtetit, ndërsa fondacioni “Xhaferri” drejtohej nga një ish-oficer tjetër. Shumë e vështirë të besohet se ato kishin qëllim t'i siguronin Partisë Demokratike rezultatin që ajo arriti më 20 tetor; pas paralajmërimit të hapur të ministrit të Financave në shtator të vitit 1996, paralajmërimeve serioze të disa deputetëve në parlament për rrezikun e madh të tyre, si dhe pasi unë njoftova në shtator, pas takimit me FMN për ligjin që do të hartonim për kontrollin e tyre, fondacionet mblodhën depozita në dy muajt e fundit të vitit disa herë më shumë sesa gjatë gjithë vitit. Jo në tetor, por në muajin dhjetor, TV shqiptar paraqiti një skenë, në të cilën njerëzit që kishin humbur paratë nga falimentimi i fondacionit “Sude” qanin të zemëruar te sporteli i saj dhe kërkonin paratë e humbura. Ndërsa në sportelin e “Xhaferrit” që ishte në apartamentin ngjitur me sportelin e “Sudes”, në të njëjtën kohë, njerëzit mbanin radhë të gjatë për të vendosur aty paratë e tyre, sikur bashkëqytetarët ngjitur me ta të mos kishin humbur, por të kishin fituar.

Ju fillimisht jeni vlerësuar si vendi më i bindur ndaj rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar. A morët paralajmërime prej këtij institucioni për skemat piramidale dhe, nëse po, përse nuk vepruat?

Në dokumentet zyrtare të FMN dhe BB Shqipëria është vlerësuar si vendi më i suksesshëm ose ndër më të suksesshmit, por më duhet t'ju qartësoj se kjo nuk do të thotë vendi më i bindur. Kyçi i suksesit nuk ka qenë i njëanshëm, por ka qëndruar në bashkëpunimin bilateral. Unë kam mbështetur me vendosmëri programin e miratuar së bashku, por ai ka qenë fryt bashkëpunimi, negocimi dhe në asnjë rast thjesht një formulë e njëanshme. Janë jo të pakta rastet kur FMN ka pranuar sugjerimet tona, ose kur nuk janë pranuar, ose janë tejkaluar sugjerimet e FMN. Por, unë kam vlerësimin më të madh për bashkëpunimin me këtë institucion. Mendoj se ky institucion i ka dhënë Shqipërisë një ndihmë të madhe. Dëshiroj t’i falënderoj për këtë ndihmë zyrtarët e tij të të gjitha niveleve që kanë ndihmuar Shqipërinë dhe t’i siguroj ata se edhe në të ardhmen Shqipëria do të bashkëpunojë ngushtë me Institucionet e Breton Woods. Paralajmërimet e këtij institucioni për rrezikun e tregut informal kanë ardhur në fillimin e gjysmës së dytë të vitit 1996 dhe çdo pretendim tjetër është i pavërtetë. Për këtë ekzistojnë dokumente të pakontestueshme. Shqetësimet dhe paralajmërimet e FMN janë vlerësuar dhe marrë në konsideratë. Unë pranoj se nuk kam ditur përmasat e fenomenit, as dhe mekanizmat për të vërtetën e humnerës së tij, por jo se nuk kemi qenë të shqetësuar për ekzistencën e tij. Para se të vinte misioni i Fondit Monetar, në gjysmën e dytë të vitit 1996, në një seri mbledhjesh me ministrin e Financave, Guvernatorin, këshilltarët e mi, ne arritëm të përpunonim konceptin e kontrollit të tyre, konceptimin dhe më pas hartimin e miratimin e një ligji të veçantë për kontrollin e kësaj veprimtarie të palicencuar të këtyre kompanive. Por, theksoj se asnjë ekspert apo institucion joshqiptar nuk më kishte dhënë, nuk kishte hartuar një model apo direktivë të qartë për trajtimin e tregut financiar informal. Në fillim kam insistuar të hartojmë një ligj që të lejojë kontrollin e firmave rentiere dhe fondacioneve nga Banka e Shtetit, por Guvernatori e kundërshtoi jo pa argumente këtë ide. Ai nuk ishte kundër kontrollit, por vetëm kundër varësisë së tij nga Banka. Kështu që ne vendosëm të ngremë me ligje, mbi këtë parim, një komision të pavarur ekspertësh, jashtë institucioneve, që do të varej nga parlamenti, që t'i kontrollonte fondacionet dhe kompanitë rentiere dhe, në rast se ato do të gjendeshin piramidë, të mbahej qëndrim ligjor ndaj tyre. Në shtator, erdhi në një takim në Tiranë misioni i Fondit Monetar. Ky mision ngriti preokupimin e FMN për tregun informal. Unë nga ana ime së bashku me zyrtarët dhe ekspertët tanë paraqitëm qëndrimin tonë të vendosur për të qëndruar ndaj çdo spekulimi. I njohëm ata me parimet e ligjit që do të hartonim dhe miratonim për kontrollin e kompanive piramidë. Misioni ka qenë plotësisht dakord me parimet e këtij ligji. Ekziston e gjithë korrespondenca dhe dokumentacioni për këtë. Është e vërtetë se mund të ecej më shpejt, por në kushtet e shtetit ligjor nuk mendoj se mund të ecej pa ligje. Kishim të bënim tërësisht me një veprimtari private, që për fat të keq kishte një mbështetje në Kodin Civil të Shqipërisë. Mirëpo, si për paradoks, pasi njoftuam publikun se do të hartonim ligjin dhe pasi ministri i Financave njoftoi publikun në RTV për rrezikun e madh të skemave piramidë, fenomeni i “etheve të floririt” në Shqipëri arriti kulmin. Vetëm në muajin nëntor, të gjitha kompanitë rentiere grumbulluan në banka 140 milionë dollarë, kundrejt rreth 40 milionë që ato kishin së bashku në banka në qershor të vitit 1996. Në dy muajt e fundit të vitit 1996 depozitimet në të gjitha fondacionet dhe firmat u rritën 6-8 herë në krahasim me dymujorët e tjerë të vitit 1996.

Ish-Guvernatori i Bankës Kombëtare thotë se ju ka paralajmëruar për skemat. Cili është komenti juaj?

Është e vërtetë se ish-Guvernatori ka nisur një seri shkresash në drejtim të qeverisë dhe për dijeni edhe presidentit. Por është e vërtetë se mjerisht, në këto shkresa ai ofronte si rrugëdalje me shkrim formalizimin e këtij tregu. Ish-Guvernatorit të Bankës i është kërkuar në mënyrë të përsëritur nga unë që ai t'i drejtohej gjykatës për këtë çështje. Dëshiroj të shtoj këtu, se në asnjërën prej shkresave të tij nuk sugjerohej asnjë zgjidhje ligjore konkrete për problemin që ngrinte përveç mundësisë së kthimit të këtyre kompanive në banka private. Në Shqipëri lidhur me fajdet kishte jo vetëm boshllëk ligjor, por edhe konflikt ligjor. Kishte konflikt ligjor, sepse ligji i Bankës së Shqipërisë ndalonte në mënyrë taksative depozitat jashtë-bankare, ndonëse ky ligj nuk përcaktonte asnjë sanksion për ata që grumbullonin. Kurse Kodi Civil i Shqipërisë lejonte marrjen e huave me interes dhe e garantonte atë. Pikërisht, për këtë arsye, nuk ka pasur asnjë licencë të lëshuar nga asnjë institucion shtetëror për tregun apo veprimtarinë huadhënëse të fondacioneve apo të kompanive rentiere. Por, në rast se ka pasur një person që me ligjet ekzistuese të vendit duhet dhe mund t'i drejtohej gjykatës, ky ishte Guvernatori, i cili, sipas ligjit, ishte autoriteti që duhej të ngrihej në mbrojtje të ligjit të institucionit të tij. Prandaj dhe unë i kisha sugjeruar atij t’i drejtohej gjykatës. Përveç këtyre, mendoj se Guvernatori ishte autoriteti kryesor, që së paku duhet të propozonte zgjidhjen ligjore të këtij fenomeni financiar.

Guvernatori më ka nisur shkresën e parë për të shprehur shqetësimin e tij ndaj tregut informal në fundin e janarit të vitit 1996. Por, unë mendoj se ai vetë nuk ka njohur ose nuk ka besuar se ky aktivitet ishte një aktivitet piramidë. Kjo, sepse në shkresat e tij guvernatori ndër të tjera sugjeronte mundësinë e shndërrimit të këtyre kompanive, sipas rastit, në banka private. Madje, çështja arriti sa edhe në ligjin e Bankës së Shqipërisë, të miratuar më datë 3 mars të vitit 1996, të hartuar nga vetë banka, në një nen të saj, kërkohet apo përcaktohet që këtyre kompanive të mund t’iu jepet licenca si banka private.

Guvernatorit të Bankës, si drejtuesi kryesor i institucionit përgjegjës me ligj për stabilitetin monetar, i takonte të paraqiste skemën, ligjin apo platformën e trajtimit të këtij fenomeni. Gjithashtu, unë mendoj se, në qoftë se guvernatori i Bankës ishte i bindur se këto kompani ishin skema piramidë, nuk besoj se do mund të pranonte mundësinë e shndërrimit të tyre në banka private të licencuara nga Banka që ai drejtonte.

Kur kriza filloi, ju shikoheshit si një njeri autoritar. Përse nuk e frenuat rebelimin dhe përse shteti juaj u tregua i paaftë për të ndaluar shkatërrimin e vendit dhe institucioneve?

Gjatë qëndrimit tim si president kam respektuar ligjet e vendit tim, u jam përmbajtur me konsekuencë parimeve dhe standardeve demokratike.

Një NGO amerikane që merret me shtypin, në vlerësimet e saj vitin e kaluar, më cilësoi si një ndër armiqtë e paktë të shtypit në botë. Mirëpo, aq e vërtetë dhe afër realitetit ishte ky vlerësim, saqë botuesi i gazetës më kundërshtare ndaj meje dhe Partisë Demokratike, dhe jo vetëm ai, kur e pyetën për këtë vlerësim, u shpreh se ai personalisht nuk beson se një vlerësim i tillë të mund të ishte bërë dhe duke e konsideruar një gjë të tillë si krejt të pamundur, deklaroi se “kjo nuk mund të ketë ndodhur dhe në rast se vërtet ka ndodhur, zotëria në fjalë është i çmendur”. Në të vërtetë, ajo kishte ndodhur dhe zotëria në fjalë nuk ishte i çmendur, por ishte një personazh në jetë i tipit Harry Matswov, të Khant, të Xheri Fint dhe të Larnit. Kaq afër realitetit janë edhe vlerësimet që ju thoni për autoritarizëm. Meqenëse ju jeni shqiptaro-amerikan, do t’ju paraqes edhe një shembull shqiptar. Në marsin e vitit 1997, rreth 13 ish-ministra dhe zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike, me të cilët kisha bashkëpunuar për disa vite, me frymë tërësisht të hapur në politikën e jashtme, privatizime dhe që kishin votuar më datë 24 shkurt në mbledhjen e Këshillit Kombëtar dhe më datë 3 mars në Kuvendin Popullor, fshehtas për kandidaturën time për president deklaruan se do të largohen nga Partia Demokratike, se nuk duronin dot diktatin tim dhe autoritarizmin tim, në një kohë kur vetëm dy javë më parë më kishin votuar në fshehtësi si demokrat. Këto deklarata lidhur me qenien time autoritar janë në tërësi trillime të propagandës së komunistëve shqiptarë, të cilët duhet pranuar se trashëguan njërën prej fuqive propagandistike mashtruese më të madhe në vendet ish-komuniste, trashëguan dhe lidhje jo të pakta dhe realisht, në vitet e fundit, jo në Lindje po me qarqet marksiste maoiste-kastriste perëndimore. Dokumentet provojnë se vetëm në Bruksel shërbimet shqiptare shpenzonin çdo vit rreth 6 milionë dollarë, të siguruara kryesisht me kontrabandën e cigareve. Të jeni i sigurt se jo pak kanë shpenzuar edhe në vende të tjera perëndimore.

Mendoj se një president apo njeri autoritar, në sensin që ju përdorni këtë fjalë, do mund të kishte përdorur pa vështirësi “autoritarizmin” e tij për një përgjigje të prerë dhe përfundimtare ndaj atyre që organizuan kurthe, atentate dhe sulme terroriste kundër tij dhe institucionit që ai përfaqësonte dhe jo të bllokonte ndofta edhe duke lëshuar ato përgjigje që mund të jepeshin pa vështirësi. Unë u jam përmbajtur me gjakftohtësi në çdo rrethanë parimeve që unë kam besuar dhe për të cilat kam hyrë dhe vazhdoj të jem në politikë.

Unë nuk mbaj mend në asnjë rast, por dhe nuk e përjashtoj që të kem marrë vendime të rëndësishme pa i këshilluar dhe diskutuar gjerësisht me kryeministrin, kryetarin e parlamentit, drejtuesit e partisë, kryetarin e grupit parlamentar, këshilltarët e mi dhe ekspertë të fushave përkatëse. Nuk mohoj se kam qenë i zellshëm dhe kam insistuar në zbatimin e ligjeve. Në rast se kjo ka të bëjë me autoritarizëm, kemi të bëjmë me një keqkuptim.

Në Shqipëri, roli dhe autoriteti i njëshit është tejet i ngulitur në kokën e njerëzve. Por unë këtu kam edhe përgjegjësitë e mia. Pa asnjë dyshim ka pasur vendime që kanë krijuar këtë përshtypje dhe një ndër to ka qenë edhe shkarkimi i Zef Brozit, për të cilin është bërë shumë zhurmë. Dëshiroj të sqaroj se emri i Brozit ka qenë një ndër përzgjedhjet më të gabuara dhe kjo, jo për faktin e qëndrimeve të tij politike, por për sharlatanizmin e tij si gjykatës.

Nuk ka dyshim se duhet të kisha qenë më i vendosur dhe më i vëmendshëm ndaj problemeve të drejtësisë. Kam qenë dhe jam i bindur se për një shoqëri demokratike pavarësia e sistemit gjyqësor është jetike. Pretendimi për ndërhyrje politike në Shqipëri ka ardhur në tërësi nga ata që vetë nuk kanë njohur dhe nuk kanë ditur të jenë të pavarur. Por këtu më duhet të pranoj se ndjeshmëria e institucioneve ndërkombëtare, e administratës amerikane dhe vendeve të tjera mike është padyshim e ligjshme, pavarësisht se mund të ketë kaluar masën.

Së pari, Brozi ishte gjyqtari i fundit shqiptar që kishte mbyllur një njeri për shkaqe politike në spitalin psikiatrik (në vitin 1990) dhe këtë ai e kishte fshehur në deklaratën që kishte bërë, kur ai ka pranuar për të vënë kandidaturën si deputet i Partisë Demokratike, pra kishte mashtruar.

Së dyti, Brozi ishte njeriu që do të arrestonte Fatos Nanon. Për mua dhe për shumë shqiptarë Fatos Nano ishte një i korruptuar në ndihmat italiane. Dosja e tij është shqyrtuar edhe nga grupe ekspertësh ndërkombëtarë. Por unë nuk kam qenë dakord me arrestimin e tij para vendimit përfundimtar të gjykatës. Brozi, si ish-gjykatës i vetëm në grupin parlamentar në një mbledhje të gjerë grupi, ku isha edhe unë, në një fjalim patetik dhe absurd, iu deklaroi deputetëve se Fatos Nano është fajtor dhe se, në rast se nuk do të burgosej ai, do të burgosej Zefi. Ky fjalim pati një rol tejet flakërues në grupin parlamentar. Prokurori i Përgjithshëm e ka akuzuar publikisht Brozin se ai i ka bërë presion atij për arrestimin e Nanos.

Së treti, Brozi ishte një tip i çekuilibruar, i cili kishte bllokuar pa vendime gjykate mbi 200 vendime të Gjykatës së Kasacionit dhe gjykatave të tjera, gjë për të cilën, mbi bazën e dhjetëra e dhjetëra ankesave të qytetarëve, qeveria u detyrua t'i drejtohej Gjykatës Kushtetuese, e cila me vendimin e saj konkludoi se kryetari i Gjykatës së Kasacionit ka shkelur rëndë të drejtat e njeriut dhe se vendimet e tij personale janë antikushtetuese.

Së katërti, Brozi iu kishte caktuar nëpunësve servilë që kishte mbledhur rreth vetes, ish-oficerë të Sigurimit të Shtetit, siç ishte rezidenti i Shqipërisë për shumë vite në Francë, etj., rrogë të barabartë me ato të gjykatësve të Kasacionit. Ju sqaroj se grupi i monitorimit të KE, duke kritikuar mënyrën e shpejtë të shkarkimit të tij, pasi thekson politizimin e Brozit, shton se ai meritonte të shkarkohej vetëm për shkeljen e fundit financiare.

Shkarkimi i tij është bërë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe në përputhje të plotë me dispozitat kushtetuese, të cilat përcaktojnë qartë parlamentin si institucionin që mund të shkarkojë gjykatësit e Kasacionit.

Shtypi kundërshtar, por edhe ndonjë tjetër, çdo ditë propagandonte se çdo gjë varej nga unë dhe se çdo funksionar emërohej nga unë. Këto të gjitha kanë qenë të pavërteta. Neglizhimi nga ana ime i këtyre njoftimeve të pasakta dhe injorimi i tyre ka qenë një gabim që duhet mbajtur parasysh. Nuk kam diktuar asnjë vendim jashtë kompetencave të mia qeverisë shqiptare. Gjatë pesë viteve si president nuk kam emëruar asnjë drejtor në asnjë ministri, mund të kem sugjeruar gjithsej vetëm 2 ose 3 zëvendësministra. Kam emëruar vetëm ata që kanë qenë të përcaktuar në dispozitat kushtetuese. Gabimi im qëndron në faktin se duhet të qartësoja para opinionit të gjitha këto. Mund të jem akuzuar për autoritar, sepse kam insistuar gjithnjë në zbatimin e ligjit. Kam qëndruar i palëkundur në respektimin e ligjeve.

Kundërshtarët e mi, sot në pushtet, prej 9 muajsh kanë aktivizuar me dhjetëra e dhjetëra “ekspertë” për të gjetur shkelje të ligjeve nga ish-presidenti, kanë sajuar në gazetat e tyre dhjetëra raste të tilla. Por nuk kanë faktuar dhe jam i sigurt se nuk do të faktojnë dot asnjë. Dua t'i siguroj se edhe pas rikthimit në pushtet të Partisë Demokratike, do t'iu jap mundësi të vazhdojnë kontrollin e tyre në të gjitha arkivat. Të lodhur në kërkimet e tyre, tani së fundi, me papërgjegjshmëri të plotë, deklarojnë se janë zhdukur dokumentet. Nuk është zhdukur asnjë nga dokumentet e mia si president, si kryetar partie.

Kam konsideruar të ligjshëm zemërimin e njerëzve për humbjen e parave të tyre, natyrisht, jo rebelimin komunist. Kam qenë i vendosur për këtë arsye që shteti të mos vrasë njerëz të zemëruar me të drejtë ndaj tij. Komunistët shqiptarë, për të cilët armiku i brendshëm është dhe “fle” në gjirin e popullit, por edhe mbështetës të tyre, dëshironin shumë që “regjimi” i Berishës të vriste qytetarë dhe të shkohej drejt një luftë civile. Për këtë arsye ata krijuan banda, çeta etj. Për këtë arsye ata u shndërruan në këshilltarë politikë të Zani Çaushit, krijuan komitetet, organizuan thyerjen e bankave, armatosjen e grupeve të tyre mbështetëse. Kam dashur të shmang një luftë civile, e cila do të plagoste rëndë Shqipërinë e shekullit të ri dhe e kam shmangur atë, si dhe simulimin e saj. Institucionet shtetërore ishin të brishta, ato ishin në reformim e sipër, në konsolidim e sipër dhe kjo është një arsye tjetër se përse disa prej tyre edhe u shkatërruan. Një faktor tjetër që ndikoi në brishtësinë e tyre ishte se shumë nga punonjësit e tyre kishin vendosur paratë në skemat piramidë. Krerët socialistë, Meidani, Islami, Gjinushi, Brokaj, Ceka etj., firmosnin në sheshet e protestave peticionet e qytetarëve për kthimin e parave, zotoheshin se ata do t’i gjenin paratë e tyre të humbura në skemat, të cilat, sipas tyre, i kishte grabitur qeveria e Partisë Demokratike për të paguar buxhetorët e tij. Por, theksoj edhe njëherë, ekstremistët e majtë, të inkriminuarit, trafikantët, për fat të keq u mbështetën jo në pak raste nga qytetarë që përveç zemërimit të ligjshëm për humbjen e parave, nuk kishin asgjë të përbashkët me të parët. Në rast se ndaj të parëve shteti mund të mbante qëndrim ndëshkues, mendoj se duhet të ishte tolerant ndaj të dytëve. Ndaj të dytëve ai duhej të bënte zgjidhjen politike, atyre iu detyrohej, jo paratë që nuk u kishte marrë, por mundësinë për të shprehur me votë vullnetin e tyre. Përndryshe, ai duhej të dominonte zemërimin e tyre me dhunë, me zjarrin e armëve, të ripërsëriste qëndrimet e qeverisë komuniste ndaj njerëzve të revoltuar ose të rrezikonte shpërthimin e një konflikti civil. Lufta civile, tejet e preferuar nga komunistët e pareformuar shqiptarë, mund të përfshinte vendin. Ata kërkonin me çdo kusht gjakderdhje. Ekzistojnë fakte të pakontestueshme se një natë para se të vritej Artur Rustemi, celulat komuniste në Vlorë vendosën të qëllojnë mbi njerëzit. Këto i komunikonte motra e njërit prej ekstremistëve kryesorë të PS, në darkën para vrasjes së A. Rustemit. Sipas këtij vendimi, A. Rustemi, ish-anëtar i Partisë Demokratike që në themelimin e saj, u vra nga një oficer Sigurimi, R. N., nga një prej fshatrave të Vlorës.

Vëllai i tij do të takonte dy ditë më vonë në Përmet një zyrtar tonin të lartë, B. Rama, dhe deputetin Butka, ku do t’iu deklaronte se familja e tij e njihte mirë vrasësin e Arturit, por ajo nuk guxon të flasë, sepse i zhdukin të tërë familjen.

Për përleshje dhe luftë civile në Shqipëri ishin të interesuar edhe ata që sollën ngarkesën e armëve në Vlorë me anijen e vogël të pronarit P. St., dhe një anije tjetër, armë me të cilat u sulmua godina e Shërbimit Informativ Kombëtar, pasi u krijua incidenti fals, sikur oficerët e SHIK (që ishin urdhëruar të mos dilnin nga godina), sulmuan universitetin dhe do t’i nxirrnin studentët nga greva.

Por, po t'i rikthehemi edhe njëherë versionit të të qenit autoritar, ky version, përveç keqdashjes, e cila është jo rrallë një realitet, është bazuar në arrestimin dhe penalizimin e dy gazetarëve, për shkak se botuan një dokument të Ministrisë së Mbrojtjes (sekret) dhe me qëllim që të nxisnin reagimin e ushtarakëve shqiptarë, shpallën urdhrin e armëmbajtjes vetëm në shërbim, si një akt të çarmatosjes së ushtarakëve shqiptarë. Personalisht nuk kam qenë dhe nuk jam dakord që të dënohen gazetarët për shkrimet dhe idetë e tyre. Kam dekretuar faljen e tyre, publikisht u kam bërë thirrje zyrtarëve shqiptarë dhe e kam bërë këtë në mënyrë të përsëritur, të mos padisin në gjykata gazetarët, por t'iu kërkojnë atyre përgënjeshtrimin e informacionit që nuk qëndron. Në një vend me mungesë 50-vjeçare të pluralizmit të mendimit, padyshim që shtypi me diversitetin e tij jo nga të gjithë pëlqehet. Kanë qenë gazetarët, të cilët kërkuan në mënyrë të përsëritur ligjin e shtypit. E kundërshtova idenë e tyre për mjaft kohë. Në kodet tona të vjetra, ligji i shtypit është më i miri që mund të ekzistojë:

- Lajmësi nuk preket. Por, mania e ligjeve për çdo gjë, bën që edhe gazetarët, në shkrime të shumta dhe në konferencat e mia të shtypit, të insistonin për ligjin e shtypit. Prandaj dhe unë zgjodha fondacionin gjerman “Ebert Shtiftung”, i njohur për afërsinë e tij me PSD të Gjermanisë dhe i kërkova këtij fondacioni të na ndihmonte me hartimin e një ligji të standardeve evropiane për shtypin. Përfaqësuesit e këtij fondacioni më sollën të përkthyer ligjin më të ri të shtypit në Gjermani, atë të Renani Vestfalis Veriore, që i krahasuar me të gjitha ligjet ekzistuese të Evropës, ai edhe sot është ligji më liberal. Ky ligj, në variantin e tij shqiptar, jo vetëm që nuk u “forcua”, por, përkundrazi, u “zbut”. Natyrisht, ai mund të përshtatej edhe më mirë për Shqipërinë, por ekspertizat pas miratimit për këtë ligj ishin tërësisht jokompetente. Parlamenti aktual e abrogoi atë duke pretenduar se Shqipëria tani u barazua me SHBA, lidhur me shtypin. Mirëpo, gjatë regjimit të Hoxhës, ne kemi pasur vetëm një nen në ligjet tona, atë që ish-komunistët e përcaktuan sërish në vitin 1998 si ligj të shtypit. Shtypi është i lirë. Vrasja misterioze e gazetarit Uka, breshëritë mbi gazetarin Buçpapaj, rrahjet dhe ndalimet e gazetarëve të gazetës “Bulevard”, “Albania”, “Gazeta Shqiptare”, paditja direkt nga kabineti i kryeministrit i një gazetari të radio “Kontakt”, bastisjet e agjencisë së lajmeve “Enter” dhe ballafaqimet e punonjësve të kësaj agjencie me oficerët e Shërbimit Informativ nën dyshimin se punojnë për të huajt, mbyllja e gazetës “Bulevard” pas marrjes pa vendim gjykate nga policia të godinës së saj, dëshmojnë sot qartë “lirinë” e shtypit shqiptar.

Vijon në numrin e nesërm

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›