Sulmi dhe mbrojtja e Limajt
Mentor Nazarko
Të përfshira në debatet tipike të një fillimfushate elektorale dhe zhvillimet interesante të dosjes Gërdeci, mediat e Shqipërisë e kaluan thuajse pa vëmendje një konferencë emocionale shtypi të ministrit të Transporteve të Kosovës, Fatmir Limaj. Arsyet e daljes së tij dhe pozicionimit njëherësh sa emocional dhe aq të fortë i bëri të ditura vetë Limaj, një nga figurat kosovare më të njohura dhe të respektuara në Shqipëri për nga historia e tij personale, me gjithë moshën e tij të re. Limaj njihet si komandant i suksesshëm i UÇK-së... fitues i një maratone gjyqësore në Hagë, prej të cilës pas një kohe të gjatë i burgosur doli i pafajshëm, por dhe për betejat politike që e shohin sot si politikanin e dytë më të votuar në Kosovë, pas Hashim Thaçit. Pa lënë mënjanë faktin që ai është sot titullar i një dikasteri të rëndësishëm të qeverisë së PDK-së, qoftë për nga sektorët që mbulon, frontet e punës që janë hapur dhe buxheti që administron.
Limaj tha se ai është vendosur në qendër të sulmeve mediatike dhe politike, (gazeta serbe dhe opozita e Kosovës) që e akuzojnë veç të tjerash, për transferta parash jashtë shtetit nëpërmjet familjarëve të vet. Sipas tij, kjo ndodh pikërisht kur këta familjarë të akuzuar gjenden në spitale apo në shtrat në gjendje mjaft të rëndë dhe me rrezik për jetën. Kjo duket një alibi e vërtetueshme lehtësisht, pra që e shfajëson Limajn në një mënyrë të plotë nga kjo akuzë, sakohë që po lehtësisht mund të vërtetohet gjendja shëndetësore e familjarëve të tij dhe lëvizjet apo moslëvizjet e tyre jashtë vendit.
Ecim më tej. Ndoshta ministri bëri gabim duke replikuar me gazeta serbe, duke i dhënë atyre amplifikim në mjedisin kosovar. Ndërkohë nuk shihet asnjë lidhje midis akuzave për korrupsion të Limajt prej këtyre mediumeve dhe opozitës së Kosovës. Ajo që të bie në sy shikuar nga Shqipëria, nuk duket vërtetësia e akuzave për korrupsion, por diçka tjetër: pse akuzohet Limaj? Besnik i një parimi që konsideron akuza të tilla, vetëm pasi vërtetohen nga gjykatat, e kam më të lehtë të besoj se Limaj akuzohet për atë çfarë ai përfaqëson politikisht. Nëse ndonjë gjykatë apo ndonjë media serioze vendase apo ndërkombëtare do të vërtetonte akuzat ndaj Limajt, atëherë sigurisht mund të flisja ndryshe. Ndërkohë duhet bërë një ndarje midis pse Limaj akuzohet nga AAK dhe pse nga mediat serbe. AAK, me gjithë ashpërsinë verbale praktikisht mbetet opozita e vetme në Kosovë dhe roli i saj është për t’u përshëndetur përballë PDK-së së fuqizuar mjaft në sondazhe, në kurriz të LDK-së, me mbi 40%. AAK e drejtuar nga një figurë legjendare si Ramush Haradinaj, një kryeministër impresiv edhe në sytë e botës në 100 ditët e qeverisjes së vet, vepron brenda kontureve të një opozite në një vend normal. Kudo opozita artikulon akuza politike, për më shumë ndaj dikastereve që administrojnë buxhete të mëdha, dhe për më shumë në vetëmbrojtje pas akuzave për abuzime gjatë kohës së qeverisjes së saj. AAK do ta sulmonte Limajn në çdo rast, edhe sikur të mos e akuzonin gazetat serbe, pra nuk duket se ka ndonjë problem këtu.
Ndërsa për mediat serbe është shumë e lehtë të besohet se në atë vend ekzistojnë qarqe të fuqishme që përpiqen ta ndikojnë jetën publike në Kosovë, duke diskredituar figurat më të rëndësishme të saj. Nuk është e vështirë që me këto pikësynime, nga zyra të veçanta të filtrohen në mediat serbe, akuza për një politikan të Kosovës që e ka mundur disa herë Serbinë.
Ja disa arsye pse mund të sulmohet Limaj
Limaj është e vetmja figurë me autoritet në një parti si PDK-ja që po vendoset në dominimin e plotë të zotit Thaçi me metodat rugoviane të kontrollit të pushtetit. Asnjë akuzë, asnjë sulm ndaj askujt, tone të qeta në betejat politike, artikulim të saktë dhe pa gabime, në një ligjërim pa asnjë moment emocional, Thaçi jo vetëm po kontrollon qeverinë, PDK-në, por dhe duket se ndikon gjerësisht dhe në LDK, duke dëshmuar talent politik dhe maturimin e tij në këto vite eksperience. E pra përballë tij, afër tij, në një marrëveshje luajaliteti të qartë, respekti dhe bashkëpunimi reciprok me Thaçin, e vetmja figurë me shkallë të lartë autonomie në vendimmarrje është Limaj. Pikërisht tek aleanca Thaçi-Limaj duket se qëndron njëri nga boshtet e forcës së qeverisë së PDK-së dhe në përgjithësi i shumicës që ata kontrollojnë. Limaj është një figurë që pikërisht për shkak të daljes me sukses nga Haga, ka arritur automatikisht një lloj korace pandëshkueshmërie, për pasojë edhe force njëlloj si dhe Haradinaj në marrëdhëniet e brendshme, por dhe me jashtë. Ai është njëri nga pak liderët kosovarë për të cilin mediat serioze ndërkombëtare kanë folur në vetë të parë si p.sh. autoritarja Christian Science Monitor me titullin “Ai ndërton shpresën me rrugë të reja”. Kjo duket se e tërbon dhe Beogradin. Pikërisht kur ai po mbledh frytet e një politike aktive investimesh në rrugë dhe në sektorët që drejton, prokuroria serbe reagon politikisht ndaj tij duke thënë se ka fakte të reja që e implikojnë atë në krime lufte.
Në pozitën që ka, Limaj mund të krijojë lehtësisht armiq, me para ose jo, që mund të gjenden të përjashtuar nga vendimmarrja e dikasterit të tij për tendera, rrugë etj., etj. Të administrosh një dikaster aq të madh, aq shumë para, në kushtet e një mungese tradite qeverisje në liri, pa kuadër ligjor, në presion të fortë për punë apo punësim, që vijnë nga një shoqëri tradicionalisht klanike si ajo e Kosovës, me siguri do gabosh dhe do të krijosh armiq.
Pra duket se ka shumë arsye për ta sulmuar Limajn. Nga aktorë që në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, vendosin ta bëjnë këtë pikërisht në këtë kohë.
Një shkak për të lavdëruar Limajn
Por nëse ka arsye për ta sulmuar, ka të paktën një arsye të vetme për të vlerësuar punën e Limajt. Ideja e tij për ngritjen e një banke të lidhur me Postë Telekomin e Kosovës, e që administron paratë që qarkullon një institucion publik si ajo. PTK-ja është një institucion i fuqishëm që zotëron qindra miliona euro, duke përfaqësuar klientin kryesor të bankave të huaja tregtare që veprojnë në territorin e Kosovës.
Kjo është një ide shembullore për disa arsye.
E para, se tregon vizion në një moment të jashtëzakonshëm krize si ajo që po kalon bota dhe që i ka shtrirë efektet dhe në Kosovë. Një ent publik kosovar si Bordi i Trustit Pensional ka humbur 130 milionë euro pikërisht si pasojë e lidhjes së tij me financën globale dhe të krijosh një institucion të pavarur prej kësaj finance si Banka e Postës duket një lëvizje e mprehtë, megjithëse formalisht me natyrë stataliste. Kështu priten një pjesë të lidhjeve të parasë publike kosovare nga institucionet financiare të huaja vepruese në Kosovë, mbi të cilat mbërrijnë valët e krizës së kompanive mëmë. Duke i bërë këto para më të sigurta.
Një bankë publike kosovare me interesa të arsyeshme për kredi do të shërbejë për të rritur konkurrencën në një sektor bankar si ai i Kosovës (i ngjashëm me atë të Shqipërisë në fakt), që praktikisht nuk i ka ndihmuar dhe aq zhvillimit të Kosovës, por me paratë e emigrantëve po siguron fitime gjigante. Pikërisht lakmia e bankave të huaja qëndron në bazë të problemeve të tyre sot dhe një bankë me interesa të pranueshme do të ndikojë në një rimodelim të tregut bankar në Kosovë.
Banka e re e Postës imagjinohet të jetë në planin e ministrit Limaj, instrument politikash punësimi, mbështetje për çiftet e rinj me kredi në vendin më të varfër në Europë, me përqindjen më të lartë të rinjve të papunë. Ky sigurisht është një element për t’u përshëndetur gjithashtu, megjithëse mund të duket si njëlloj kthimi mbrapa në raport me trendin thuajse të përfunduar gjetkë në Lindje, ku bankat janë privatizuar totalisht. Por Kosova në shumë aspekte duket një vend i veçantë dhe ku ciklet e zhvillimit janë të një natyre tjetër nga vendet e tjera të Lindjes. Në Kosovë po themelohet një shtet i ri, i cili ka nevojë për instrumente të fuqishëm politikash zhvillimi dhe politikash sociale.
Një bankë e tillë do të rriste fuqimisht vlerën e PTK-së së Kosovës, kompania mëmë që do të privatizohet, ashtu si dhe lëvizja tjetër për blerjen e një licence në telefoninë celulare në Shqipëri. Të rrisësh vlerën e kompanive publike në këtë kohë, kur në Shqipëri priren t’i zhvleftësojnë, është meritë gjithashtu.
Të ndërmarrësh një nismë të tillë në Kosovën e komanduar gjerësisht nga ndërkombëtarët të lidhur me bankat e tyre me shumë fije, duket dhe akt kurajoz, që duhet mbështetur. Sigurisht bankat janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe një veprim i tillë mund të ketë efekte negative domino që duhen reduktuar. Bash për këtë arsye një veprim i tillë duhet gradual dhe i studiuar. Por me siguri duhet mbështetur duke i dhënë kredit publik, domethënë duke i dhënë mbështetje publike ideatorit të saj që vjen nga lufta, por po lufton fort dhe në paqe.