E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njolla historike

Nga “Deutsche Welle”

Më 13 maj të vitit 1999, NATO kishte gati dy muaj që bombardonte Jugosllavinë për të detyruar Millosheviçin të tërhiqte trupat nga Kosova. Pikërisht atë të diel, Partia e Gjelbër ishte mbledhur në një kongres të jashtëzakonshëm dhe kërkonte nga ministri i Jashtëm, Joschka Fischer, që të ndërpriste luftën. Për të kjo do të thoshte që gjashtë muaj mbas ardhjes në pushtet të dorëzonte postin e ministrit të Jashtëm. Beteja e tij me bazën ishte e ashpër, jo vetëm me fjalë.

“Joschka Fischer-it, siç marrim vesh, po i rrjedh gjaku nga veshi. Se çfarë ka ndodhur, këtë nuk mund ta shohim. Truprojat e kanë rrethuar ministrin e Jashtëm. Një grup penguesish ka hyrë në sallë”, - dëgjohet zëri i gazetarit të televizionit publik gjerman, që raporton drejtpërdrejt nga Kongresi i jashtëzakonshëm i Të Gjelbërve, në Bielefeld. Është 13 maji i vitit 1999. Situata është shumë e tensionuar, por gjendja e ministrit nuk qenka aq tragjike: “Me sa duket, paska qenë një qese me bojë, që dikush i ka hedhur ministrit, pra nuk është gjak, por bojë e kuqe”, - shpjegon gazetari.

Siç bëhet e ditur më vonë: Dorasi ishte një autonom i qarqeve të majta. Samir F., kërkon me këtë sulm ndaj ministrit të Jashtëm, të protestojë kundër luftës së NATO-s në ish-Jugosllavi.

Të Gjelbrit, tradicionalisht pacifistë, nuk ishin të gatshëm të pranonin angazhimin e ushtrisë gjermane në bombardimet ajrore të NATO-s kundër Jugosllavisë së Millosheviçit, të cilat tashmë zhvilloheshin prej gati dy muajsh. Joschka Fischer kishte thënë se nuk do të merrte parasysh kërkesën e tyre dhe ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen. Me dhimbje në daullen e veshit dhe fytyrë të skuqur nga boja, pak më pas Fischer doli para delegatëve për të mbrojtur politikën e qeverisë së socialdemokratëve dhe të gjelbërve: “Të dashur miq dhe të dashur armiq, armiqtë e mi të dashur....” filloi ministri fjalimin e tij dhe menjëherë u dëgjuan protestat e para: “Vrarës! Nxitës lufte!” - akuzuan zërat nga salla. “Aha, mua më thoni nxitës lufte, ndërsa Millosheviçin doni ta propozoni për çmimin Nobel!” - u kundërvihet ministri.

Në 20 minutat në vazhdim ai mbajti një fjalim të zjarrtë, i cili u ndërpre herëpashere nga ata që kërkonin përfundimin e menjëhershëm të bombardimeve. Zëri i tij në fund të fjalimit ishte gati i çjerrë: “I kuptoj shumë mirë emocionet tuaja, i kuptoj edhe argumentet refuzuese. Secili prej nesh i ka ato brenda vetes ... Por ajo për çfarë do t'ju lutesha si ministër i Jashtëm është që të më ndihmoni, që të më jepni mbështetje, dhe të mos më hidhni gurë nëpër këmbë, në mënyrë që nga ky kongres të mos dalim më të dobët, por më të fortë...”

Ky fjalim e arriti rezultatin e dëshiruar: Baza e partisë votoi me 318 nga 444 votat, pro vazhdimit të bombardimeve, duke konfirmuar kështu edhe karrierën e Fischer-it si ministër i Jashtëm. Mbas fjalimit, atij iu desh të shkojë në klinikë për t'u kuruar. Katër ditë më vonë, sulmuesi iu vetëdorëzua policisë.

“Në ato 20 minuta nuk mbajta fjalimin më të mirë, por sigurisht fjalimin më të rëndësishëm të jetës sime”, - do të shkruajë Fischer në librin e tij “Vitet kuq e gjelbër”, gati tetë vjet më vonë. Kongresi i posaçëm i Bielfeldit shënoi kthesën më të rëndësishme në historinë e Të Gjelbërve, tradicionalisht pacifistë.

Se kush kishte më shumë meritë, fjalimi i ministrit apo ai sulm me bojë të kuqe, që i dha atij edhe një fije martirizimi, kësaj le t'i përgjigjen më mirë njerëzit e profesionit. Kostumi i njollosur i Fischer-it prej kohësh ka hyrë në histori dhe mund të shihet në Muzeun e Republikës Federale Gjermane, në Bon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›