E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kunati i Selmanllarit drejtonte grupin ‘hije’ të trafikut në Gërdec

Nga Tema

Rrahman Selmanllari, miku i ngushtë i djalit të kryeministrit, Shkëlzen Berisha, është një nga pronarët e Fabrikës së Vdekjes në Gërdec.

Dëshmia e tij në prokurori rrëzohet nga provat e sekuestruara nga organi i akuzës, që faktojnë se pas firmës amerikane, “Southern Ammunition”, qëndronte vetë Rrahman Selmanllari.

“Nuk jam angazhuar në ndërtimin e fabrikës së demontimit në Gërdec”, - deklaron në dëshminë e tij Selmanllari (FAKSIMILE 1). Por një autorizim i datës 30 prill 2007 (FAKSIMILE 2), rrëzon të gjithë dëshminë e Selmanllarit që duhet thënë se është e mbushur me gënjeshtra. E vetmja e vërtetë është që ai është mik i ngushtë me djalin e kryeministrit Berisha.

“Unë e njoh shtetasin Shkëlzen Berisha. Kemi lidhje shoqërore për më tepër se dhjetë vjet. Kur është në Shqipëri, takohemi shpesh me njëri-tjetrin”, - deklaron Selmanllari.

Në autorizimin e SAC thuhet se do jetë Selmanllari që në emër të kompanisë amerikane do nënshkruajë marrëveshjet me Ministrinë e Mbrojtjes për ndërtimin e fabrikës së demontimit në Gërdec, Vorë.

Por dëshmia e tij bëhet akoma më e rëndë, kur asaj i shtohet dëshmia e një grupi punonjësish, të njohur si grupi “hije”, që vepronte në turnin e tretë në Gërdec, dhe që merrej me organizimin e municioneve.

Njerëz të afërm të Selmanllarit ishin pjesë e këtij grupi dhe dëshmitë e tyre janë të mbushura me kundërshti dhe gënjeshtra. Por prokuroria nuk ka hetuar më tej për këtë grup, që në fakt përfaqëson krahun e Selmanllarit në pronën e tij.

Grupi hije i Selmanllarit

Bëhet fjalë për shtetasit Seran Maçi, Nazmi Isufaj, Haxhi Mara, Kledian Qefaliaj, Benard Kaçaça, Shpëtim Kaçaça dhe baxhanaku i kryeministrit, Muhamet Hoxha. Të gjithë të afërm, kunetër, krushq e miq të Selmanllarit punonin turni i tretë, nuk përziheshin me punonjësit e “AlbaDemil”, nuk merrnin paga përmes borderove, por bënin pjesën e punës për pasurimin me anë të trafikut në këtë punishte.

“Shtetasin Rrahman Selmanllari e njoh prej vitesh, pasi vëllai im, Pasha Maçi, ka marrë për grua motrën e këtij shtetasi, Kujtesën”, - deklaron në dëshminë e tij Seran Maçi.

Ndërsa Nazmi Isufaj deklaron se Selmanllari është kunati i tij.

“Shtetasin Rrahman Selmanllari e njoh, pasi ai është kunati im (vëllai i gruas), me këtë shtetas njihem prej vitesh dhe nuk kam dijeni për aktivitetin privat që ushtron. Me Rrahmanin kam gati dy vjet që nuk jam takuar dhe nuk kam komunikuar me telefon”, - thuhet në dëshminë e tij.

Më pas i gjithë grupi plotësohet përmes njohjeve.

“Babai im është shok me shtetasin Seran Maçi, i cili ka punuar si magazinier i ndërmarrjes MEICO në Gërdec. Serani i ka thënë babait tim që unë të shkoja në Vorë, ku punonte vetë Serani, pasi ekzistonte një mundësi që unë të punoja aty ku punonte Serani”, - deklaron Kledian Qefaliaj.

Selmanllari, pronari i Gërdecit

E thonë punëtorët e grupit “hije”, që ishin marrë nga vetë ai, nën kujdesin e kunatit të tij.

“Nuk kam vizituar asnjëherë reparte ushtarake, përfshi këtu Gërdecin”, - thotë Selmanllari në dëshminë e tij.

Por punëtorët thonë të kundërtën.

“Shtetasin Rrahman Selmanllari nuk e njoh fizikisht, por për të kam dëgjuar se ai ishte njëri nga bashkëpronarët e fabrikës në Gërdec. Gjithashtu, krahas tij di që pronar ishte Mihal Delijorgji, Davidi, shtetas amerikan dhe Ylli Pinari si drejtor i MEICO-s.

Dua të sqaroj se unë punoja gjithmonë turni i tretë dhe gjatë kohës së punës nuk e kam parë ndonjëherë shtetasin Rrahman Selmanllari, por gjatë punës kam dëgjuar se ky shtetas kishte ardhur në fabrikë paradite me makinën e tij “Benz ML”, - thotë Qefaliaj në dëshminë e tij.

Po kështu, në repart shkonte shpesh Mihal Delijorgji. Këtë e konfirmon dhe Seran Maçi. “Në repart vinte shpesh shtetasi Mihal Delijorgji, për të cilin thoshin se është presidenti i firmës së demontimit”, - thotë ai.

Mashtrimet me dëshmitë

Të gjithë pjesëtarët e këtij grupi që punonte natën mohojnë në disa raste të kenë njohur njëri-tjetrin, edhe pse punonin së bashku. Por dëshmitë e tyre nuk janë të sintonizuara dhe ata nxjerrin në pah të vërtetën duke mashtruar.

“Askush nga familja ime nuk ka qenë i punësuar në këtë lloj aktiviteti”, - thotë në dëshminë e tij Selmanllari, por deklarimet e mësipërme të Isufajt dhe Maçit hedhin poshtë këtë pretendim.

Më të kujdesshëm për të mos nxjerrë emrat e grupit janë Isufaj dhe Maçi.

Maçi thotë se nuk i ka parë asnjëherë në Gërdec personat që kishte në grupin e tij të punës.

“Shtetasin Muhamet Hoxha nuk e kam njohur asnjëherë dhe nuk e di se çfarë përfaqëson ky person.

Po kështu dua të them për shtetasit Haxhi Mara dhe personin me emrin Benard, të cilët nuk i njoh dhe nuk e di se kush janë këta persona.

Shtetasin Nazmi Isufaj e njoh prej vitesh, se e kam bashkëfshatar. Në lidhje me Rrahman Selmanllarin dhe Nazmi Isufajn, të cilët unë i njoh, nuk i kam parë asnjëherë në territorin e fabrikës, vetëm apo të shoqëruar me persona të tjerë”, - deklaron në dëshminë e tij Seran Maçi.

Isufaj shkon më tej, kur thotë se nuk ka punuar asnjë ditë në Gërdec dhe ky është një mashtrim mediatik. Kunati i Selmanllarit thotë se ka vite që nuk e ka parë atë.

“Shtetasin Rrahman Selmanllari e njoh, pasi ai është kunati im (vëllai i gruas), me këtë shtetas njihem prej vitesh dhe nuk kam dijeni për aktivitetin privat që ushtron. Me Rrahmanin kam gati dy vjet që nuk jam takuar dhe nuk kam komunikuar me telefon.

Me shtetasin Seran Maçi njihem prej vitesh, ai është bashkëfshatari im dhe banojmë bashkë në një lagje, krahas lidhjes së mësipërme, unë me të kam edhe lidhje miqësore, pasi ai është vëllai i baxhanakut tim, Pasha Maçit.

Me Seranin kemi punuar bashkë në kooperativë dhe më pas te ndërmarrja e ujësjellësit. Më pas për të di se ka punuar si magazinier i MEICO-s, detyrë të cilën e ushtronte në Gërdec.

Shtetasin Mihal Delijorgji e kam njohur nëpërmjet medias. Po të njëjtën gjë kam për të deklaruar për Dritan Minxollin dhe Ylli Pinarin, të cilët i kam njohur nëpërmjet medieve.

Me Haxhi Marën nuk jam takuar që prej kohës së ushtrisë dhe për të nuk kam asnjë dijeni.

Për personat e fundit, Ilirian Malçi dhe Muhamet Hoxha, ju sqaroj se asnjërin prej tyre nuk e kam njohur më parë dhe nuk kam asnjë lloj lidhjeje me ta”, - thotë Isufaj.

“Dua të sqaroj se unë nuk kam punuar as në Shkozet dhe as në Gërdec dhe për të gjitha sa thashë më sipër, jam i gatshëm të ballafaqohem me ta”, - vijon më tej ai.

Por dëshmia e tij është krejt e kundërta e asaj çka thotë Kledian Qefaliaj në dëshminë e tij.

“Ka qenë fundi i qershorit, kur unë kam vajtur në Vorë dhe kam komunikuar me Seran Maçin, i cili më dha numrin e telefonit të shtetasit Nazmi Isufaj dhe më tha që të komunikoja me të. Sapo zbrita nga autobusi në Vorë, pashë që ai ishte atje dhe po më priste. U takova me Nazmiun dhe së bashku me motorin e tij “Papaq” kemi shkuar në fabrikën e Gërdecit.

Aty u takova me Seran Maçin, të cilin e kam njohur për herë të parë si fytyrë në Gërdec. Serani më tha se do të punoja me ta, ai më prezantoi me Haxhi Marën, Nazmi Isufajn dhe me Benard Kaçaçin ose Koçaçin.

Sapo kam filluar punë, jam marrë vetëm me numërimin e arkave me municion në makinat ushtarake që vinin nga repartet ushtarake. Të dhënat që ne mbanim nga numërimi ia kalonim direkt Seran Maçit, sqaroj se të njëjtën punë me mua bënin dhe Nazmi Isufaj, Haxhi Mara, Benard Kaçaça dhe i ndjeri Muhamet Hoxha, ku ky i fundit ka ardhur në punë gjatë kontratës së dytë dhe për të unë e dija që quhej Xhimi, pasi kështu e thërrisnim të gjithë, përveç kësaj pune, ne nuk kemi bërë asnjë punë tjetër. E them me bindje se personat që ju përmenda më sipër nuk kanë bërë asnjë punë tjetër përveçse numërimit të arkave me municion në makinat e ushtrisë, përpara se këto makina të shkarkoheshin.

Ju sqaroj se pa u bërë numërimi i arkave me municion në makinat e ushtrisë nga ana e grupit tonë, nuk shkarkohej asnjë makinë e ushtrisë”, - thotë Qefaliaj.

Dëshmia e Benard Kaçaçës është edhe më flagrante. Ai thotë se nuk ka njohur asnjë nga emrat që kishte në grupin e natës, por, ndërsa prokuroria i vendos përpara telefonin e tij, ku janë të regjistruar emrat e Isufajt, Maçit dhe të tjerëve, ai deklaron se mund të jenë klientë të babait të tij.

“Nuk njoh asnjë nga personat që përmendet më sipër. Këta persona me këta numra nuk i njoh, por mund të jenë klientë të babait”, - thotë Kaçaça.

Edhe babai i tij, Shpëtimi, deklaron se nuk njeh asnjërin, por dëshmia e Qefaliajt i rrëzon pretendimet e tij.

Duke përshkruar mënyrën se si shkonin në punë, Qefaliaj tregon se çfarë makinash kishin anëtarët e grupit. “Serani ka pasur një “Benz” me ngjyrë gri me targa Tirane. Benardi ka pasur një “Peugeot” ngjyrë jeshile”, - thotë Qefaliaj në dëshminë e tij, e cila konfirmohet dhe nga Shpëtim Kaçaça.

“Seran Maçin e njoh, se i kam rregulluar makinën e tij, tip “Benz” 190. Të tjerët nuk i njoh.

Ne kemi një makinë tip “Peugeot” që e përdor djali, Benardi”, - thotë Kaçaça.

Trafiku

Grupi “hije” i Selmanllarit kujdesej gjatë gjithë natës për pjesën e trafikut me këtë pasuri që mbërrinte aty. Ata ishin të pavarur në punën e tyre, madje shpesh mund të kishin dhe përplasje me përfaqësuesit e “AlbaDemil”.

E gjithë ngarkesa e këtyre kamionëve që vinte aty, numërohej nga grupi i Selmanllarit, dhe në rast se do të kishte municione çeliku, ata ktheheshin pas, sepse interesi ishte te tunxhi.

“Di që në dy-tri raste kam kthyer mbrapsht kamionë që kanë ardhur nga Qafë-Molla, me municione me gëzhojë çeliku, d.m.th., që interesi i firmës ishte te gëzhojat e tunxhit”, - thotë Seran Maçi në dëshminë e tij.

Ndërsa Kledian Qefaliaj konfirmon pistën e trafikut duke deklaruar se predhat hynin ashtu dhe dilnin si gëzhoja e barut që ngarkoheshin në makina të Holandës.

“Realisht, ne si grup apo dhe unë si individ nuk kisha asnjë lloj varësie nga Dritan Minxolli apo dhe nga Mihal Delijorgji.

I vetmi kontakt që ne kishim ishte në përcaktimin e llojit të metalit që ishte municion, pra, nëse ishte çelik, duhej të kthehej mbrapsht, nëse ishte tunxh duhej të vazhdonte numërimi dhe shkarkimi.

Endri Dvorani na ndihmonte të mos kishim konflikte me Dritan Minxollin.

Gjatë kontratës së parë unë kam punuar një muaj paradite dhe më pas deri ditën e ngjarjes kam punuar vetëm natën.

Sa për kontratën e dytë, aty kanë hyrë shtimje, ose predha dhe kanë dalë gëzhoja dhe barut, i cili është marrë nga makina të Holandës”, - deklaron Qefaliaj.

Borderotë

Grupi nuk paguhej asnjëherë me anë të borderosë.

“Ju sqaroj se rrogën e kam marrë nga shtetasi Seran Maçi, ndërsa gjatë kontratës së dytë me predhat, në të shumtën e rasteve rroga më është dhënë nga shtetasi Haxhi Mara që ishte përgjegjësi i grupit që rrinim natën.

Unë nuk kam firmosur në asnjë bordero për marrjen e pagës, po ashtu nuk kam marrë pagë nga asnjë personel i firmës “AlbaDemil”. Me sa kam dëgjuar, rrogat tona vinin nga ndërmarrja MEICO”, - thotë Qefaliaj.

Të njëjtën gjë konfirmon dhe Benard Kaçaça. “Nuk kam firmosur në asnjë bordero për marrjen e pagës”, - thotë në dëshmi ai.

Ndërsa Haxhi Mara thotë se ai firmoste në bordero për rrogën dhe atë ia kishte caktuar Dritan Minxolli me pëlqimin e Mihal Delijorgjit.

“Mua rrogën ma ka caktuar Dritan Minxolli në fund të muajit të parë të punës, ku ai më tha se, pasi kishte folur me Mihal Delijorgjin, kishin vendosur që të më paguanin me 50.000 lekë në muaj”, - thotë Mara. Por, ndërsa prokuroria i konfirmon se emri i tij nuk figuron në asnjë bordero, atëherë Mara thotë se di që diku ka hedhur një firmë.

Roli i baxhanakut të kryeministrit

Që Muhamet Hoxha, baxhanak i kryeministrit, Sali Berisha, ishte i privilegjuar, kjo nuk do mend. Ai mbërriti në këtë punë gjatë kontratës së dytë dhe u bë pjesë e grupit të Selmanllarit, mikut të ngushtë të Shkëlzen Berishës.

Duket se ai nuk bënte punën që thotë familja kryeministrore, atë të ngarkimit të arkave, por thjesht të numërimit, madje, siç thonë punëtorët e tjerë të grupit të Selmanllarit, edhe këtë gjë e bënte me përtesë.

“Debat i madh është hapur, kur ka ardhur në punë i ndjeri Muhamet Hoxha, për të cilin Haxhiu dhe Nazmiu debatonin, sepse ai nuk hipte në makinë për të numëruar municionet”, - thotë në dëshminë e tij Qefaliaj.

Ai rrëfen dhe momentet si ka gjetur vdekjen baxhanaku i kryeministrit Berisha.

“Nazmiu na tregoi se kishte shkuar te makina e Muhamet Hoxhës dhe i kishte rënë xhamit që të zgjohej, pasi Muhameti ishte në gjumë në makinë. Nazmiu na ka thënë se më pas së bashku me Seranin, Julianin dhe Artur Ballabanin kishin mundur të largoheshin me vrap nga mbrapa godinës duke iu ngjitur kodrës”, - thotë në dëshminë e tij, Kledian Qefaliaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›