Psikanaliza e antiçmitizimit
Debati i zhvilluar kohët e fundit mbi historinë shqiptare dhe çmitizimin e Heroit Kombëtar e ka polarizuar ndjeshëm opinionin publik. Ky debat i ka ndarë intelektualët shqiptarë në dy kampe të kundërta, të cilët duket se nuk gjejnë kurrfarë pike të përbashkët për të vendosur një linjë komunikimi. Nga njëra anë kemi të bëjmë me një grup që ka hedhur disa ide të reja, të cilat vijnë nga pikëpamje të mirënjohura filozofike që kanë në qendër të vëmendjes problemet e modernitetit, si dhe strukturat e të menduarit që ai prodhon, ku natyrisht mendimi historik zë një vend të rëndësishëm. Në këtë linjë, ky grup përpiqet të kritikojë historiografinë shqiptare, duke u përpjekur ta çlirojë mendimin historik prej indoktrinimit të trashëguar. Ndërkaq, nga ana tjetër kemi pjesën më të madhe të elitës intelektuale, e cila përpiqet të mbrojë qëndrimet e kësaj historiografie, duke mohuar produktet e tezave që shtrohen prej grupit të parë. Më konkretisht, ideja për çmitizimin e historisë, që në rastin konkret vjen si pasojë e ndikimit të pikëpamjeve postmoderne, çon në domosdoshmërinë për të ridimensionuar mendimin historik, e natyrisht edhe mënyrën se si i shohim dhe mendojmë ngjarjet apo figurat e së shkuarës. Nga kjo pikëpamje rishikimi i historisë do të bënte që këto figura të vendoseshin në këndvështrime të reja, të cilat do të mund të jenë më pranë realitetit historik, si dhe kërkesave intelektuale të kohës. Por e gjithë kjo ka rezultuar e papranueshme për shumicën e klasës intelektuale, e cila duket e tmerruar nga fakti që ngjarjet dhe figurat historike do të mund të rivlerësohen duke dalë jashtë verdiktit të saj të deritanishëm, gjë që do të sillte rrjedhimisht edhe rishikimin e vlerave shoqërore, si dhe impakteve identitare që ato kanë reflektuar deri më tani. Alarmi i ngritur prej tyre, të paktën në atë çka ata shprehin, lidhet me faktin se vënia në dyshim e figurave historike do të bëjë që këto vlera të lëkunden dhe të humbasin peshën e tyre në shoqëri.
Në kundërshtim me të tërë trashëgiminë filozofike e shkencore, e cila, të paktën që nga Dekarti, na thotë se dyshimi është themeli që mban sigurinë e dijes, klasa intelektuale shqiptare e ka shpallur atë një herezi të patolerueshme. Duket sikur ajo i kundërvihet konceptimit kartezian mbi dyshimin për të ofruar një konceptim klerikal, të ngjashëm me atë të inkuizicionit, ku dyshimi përbën një herezi të rrezikshme, e cila duhet eliminuar me çdo kusht. Në këtë mënyrë, ajo ka shpallur të ndaluar çdo akt që vë në diskutim atë që dimë për të kaluarën tonë duke imponuar verdiktin e vet si një dogmë fetare, ndaj së cilës askush nuk ka të drejtë të qaset me metoda të tjera nga ato të përcaktuara prej saj. Kështu, shohim se për muaj me radhë krematoriumet intelektuale të opinionit publik shqiptar janë ndezur fort për të shkrumbuar çdo iniciativë që synon të ofrojë këndvështrime të reja historike e filozofike, a thua se aty buron kërcënimi apokaliptik për shoqërinë tonë. Në këtë mënyrë, “mbrojtja” e Heroit Kombëtar prej “rrezikut” që paraqet çmitizimi është kthyer në një detyrë patriotike, që thërret në angazhim mbarëkombëtar.
Shpërdorimi i nacionalizmit
Një prej keqkuptimeve më të mëdha të këtij debati është ai që ka të bëjë me pozicionimin e palëve në lidhje me nacionalizmin. Në mënyrën se si trajtohen qëndrimet, duket sikur të gjithë intelektualët e hedhur në mbrojtje të figurës së Heroit Kombëtar mbajnë një qëndrimi nacionalist, ndërkohë që të tjerët mbeten rrjedhimisht në botëkuptime jo-nacionaliste, të cilat sjellin zhvlerësimin e vlerave, si dhe dëmtimin e interesave kombëtare. Ky antinacionalizëm, sipas tyre shfaqet në forma të ndryshme që kanë në thelb ksenocentrizmin ndaj kulturave të huaja inferiore. Ksenocentrizmi i atribuuar ndaj kësaj kategorie, në akuzat e tyre merr trajta të ndryshme, duke nisur që nga snobizmi intelektual e deri te variantet më ekstremiste të “serbofilisë” apo “turkofilisë”, pavarësisht distancës që mund të ketë ndërmjet rrymave të tilla.
Pa i hyrë në brendësi analizës së një retorike të tillë, vërejmë se ajo ngrihet mbi një motivim moral. Sipas saj, të çmitizosh heronjtë kombëtarë, luftërat heroike të popullit shqiptar, vlerat e mëdha të trashëguara, aspiratat shekullore evropiane... përbën një angazhim që synon të hedhë baltë mbi historinë e Shqipërisë, gjë që do të thotë “tradhti kombëtare”. Ky arsyetim bëhet, pasi heronjtë, vlerat, simbolet apo mitet e pranuara deri më tani identifikohen në mënyrë të drejtpërdrejtë me kombin dhe “mohimi” i tyre do të thotë mohim i kombit. Gjithçka tjetër është e refuzuar dhe askush nuk ka të drejtën të zbulojë elementë të tjerë identifikues të kombit. Në këtë mënyrë, klasa intelektuale i kodifikon arritjet e saj si norma morale, dalja prej të cilave tërheq ndëshkimin e opinionit. Ky lloj autoritarizmi synon të monopolizojë hapësirën etike në vend duke marrë ekskluzivitetin e moralit.
Gjykimi moral në raste të tilla shmang diskutimin mbi idetë apo perspektivat prej të cilave ato rrjedhin, duke e shmangur ballafaqimin me to. Pikënisja morale në këtë polemikë, bëhet me synimin e vetëm për të demaskuar kundërshtarin, duke fituar rrjedhimisht më tepër elektorat kulturor dhe duke neglizhuar vlerën intelektuale të ideve që ndeshen. Në këtë mënyrë, nacionalizmi shfrytëzohet më tepër si burim legjitimimi apo penalizimi moral sesa si sfond referueshmërie ideore. Shmangia e debatit nga thelbi i argumenteve duke iu përgjigjur demitizimit me delegjitimim është krejtësisht abuzive, dhe nga ky këndvështrim mund të themi se një gjë e tillë përbën një problem etik. Përdorimi i moralit për qëllime jomorale thjesht për të gjetur mjete për t’u mbrojtur nga idetë e reja, përbën imoralitet.
Në thelb, debati për figurën e Skënderbeut, më tepër sesa me nacionalizmin, ka lidhje me indoktrinimin e klasës intelektuale. Të jesh pro apo kundër miteve historikë nuk ka të bëjë shumë me të qenit pro apo kundër nacionalizmit, por ka të bëjë me perceptimin që ke ndaj dijes. Në një plan tjetër, kjo ka të bëjë me perceptimin që ke ndaj mënyrës se si zhvillohen shoqëritë, si dhe ndaj mjeteve të krijimit dhe forcimit të strukturave shoqërore apo konstrukteve identitare. Nga kjo pikëpamje, të mbrosh nevojën për të ruajtur mitin e Skënderbeut nuk të bën aspak nacionalist, ashtu si të mendosh se mitet në përgjithësi apo disa mite konkrete nuk i shërbejnë zhvillimit të racionalitetit nuk përbën antinacionalizëm.
Skënderbeu në këtë rast nuk përbën thjesht një vlerë në vetvete, ndaj së cilës duhet të përulesh apo ta shpërfillësh. Përkundrazi, ai e merr vlerën nga perceptimi që kemi mbi shoqërinë, si dhe mbi rolin që figura e tij luan në formimin dhe zhvillimin e saj. Në këtë kuptim, ai shndërrohet në një mekanizëm që ushtron gravitet kulturor, që imponon botëkuptime të caktuara, të cilat promovohen për të prodhuar modelet shoqërore të synuara. Janë këto modele që përbëjnë edhe premisat prej të cilave buron pozicionimi i palëve pjesëmarrëse në polemikë. Ato lidhen më tepër me vizionin që palët kanë për të ardhmen e shoqërisë, si edhe me idetë që secili ka në lidhje me mjetet e ndryshimeve dhe zhvillimeve shoqërore sesa drejtpërdrejt me qëndrimet ndaj së shkuarës. Ajo që sjell përplasjen e elitave intelektuale në debatin konkret, është indoktrinimi që ngjiz modelet ekzistuese, të cilat, ndër të tjera, nuk i hapin rrugën asnjë alternative tjetër të konkurrojë përkrah tyre në realitetet e sotme shoqërore.
Në rastin konkret, kemi nacionalistë që pozicionohen si në njërin krah, ashtu edhe në tjetrin, ashtu siç kemi edhe kozmopolitistë apo edhe antinacionalistë që pozicionohen gjithashtu, ndonëse për arsye krejt të ndryshme, po në të dyja palët. Duhet thënë se arsyet përse grupi antiçmitizues përpiqet të mbrojë figurën e Skënderbeut janë nga më të ndryshmet dhe nuk kemi një zë unison në lidhje me atë çka figura e heroit përçon tek ata. Nga sa është vërejtur deri tani, shohim se një palë e mbron në emër të nacionalizmit, një tjetër si pasojë e trashëgimisë doktrinore, një tjetër e mbron si mit të integrimit evropian, dikush si mit të bashkëpunimit me fqinjët ballkanikë kundër armikut të përbashkët, dikush tjetër si mit të krishterimit, të tjerë si simbol të indiferencës fetare, e kështu me radhë, ndërsa ka mjaft prej tyre që i përziejnë thuajse të gjitha bashkë. Gjithsesi, ajo që i lidh të gjitha këto, ka të bëjë me formimin ideologjik, pavarësisht se nga vjen ai, i cili funksionon mbi thjeshtëzime të tilla të realitetit, ashtu si edhe vetë mitomania. Pikërisht për këtë arsye botëkuptimet mitndërtuese kultivohen gjithmonë në mjedise të tilla të mbarsura me ideologji. Ajo që mund të vihet re me lehtësi është se, përkundër përshtypjes së krijuar, pjesa më e madhe e intelektualëve që njihen për pikëpamjet e tyre nacionaliste janë pozicionuar pak a shumë pro demitizimit të figurës së Skënderbeut, ndërkohë që pjesa më zjarrtë e kundërshtarëve të tyre njihet për pikëpamjet e saj historikisht jonacionaliste, të cilat fillojnë që nga kozmopolitizmi, panballkanizmi, katolikocentrizmi, e deri te kriptokomunizmi apo marksizmi. Nuk është vendi të ndalemi këtu për të gjurmuar biografitë ideologjike të tyre, por një gjë e tillë bie në sy lehtësisht në këtë polemikë.
Vijon në numrin e ardhshëm