Berisha: Atmosfera pozitive do shndërrohet në vota masive për PD-në - Edi Rama ka humbur çdo betejë me mua

Përurohet godina e re e Aviacionit Civil
Kryeministri Berisha kërkon angazhimin e të gjitha strukturave të PD-së në maksimalizimin e votave për fitoren, që sipas tij, do të jetë e thellë më 23 qershor. Për Edi Ramën/“Ai do të mbetet në autobusin e tij ëndërrimtar, ç‘është e vërteta në ëndrra të sëmura. Le ta çojë Qazimi (kryetari i bashkisë së Elbasanit) edhe një herë në Librazhd”
Gjatë inaugurimit të godinës së re të Aviacionit Civil, kryeministri Sali Berisha u shpreh se atmosfera pozitive dhe entuziazmi, do të shndërrohen në vota masive për Partinë Demokratike. Kreu i qeverisë tha se në 23 qershor qytetarët shqiptarë do të firmosin mandatin për Shqipërinë e zhvilluar. “Ju mblidheni sot këtu si qytetarë të fitores, të fitores së thellë, fitores së sigurt, flladi i së cilës po vërshon në çdo zemër dhe mendje të shqiptarëve, ka pushtuar zemrat e tyre dhe shqiptarët po presin padurim datë 23 për të firmosur në këtë datë mandatin për Shqipërinë e zhvilluar, për Shqipërinë evropiane”- tha ai. Berisha deklaroi se “po shkojmë drejt zgjedhjeve me një program në të cilin besojmë se do të arrijmë të shndërrojmë Shqipërinë, në mënyrë përfundimtare, në një vend të zhvilluar”. “Shqipëria ka ritme zhvillimi ndër më të shpejtat gjatë këtyre viteve. Në një kohë krize ajo mbetet ndër më të paktat vende, të cilat vazhduan rritjen ekonomike dhe uljen e papunësisë. Ne sëbashku brenda këtij viti do të marrim pasaportën e re të statusit të vendit kandidat dhe në vazhdim do të hapim negociatat për anëtarësim të plotë të vendit në Bashkimin Evropian. Kjo do t ‘i japë Shqipërisë avantazhe të mëdha, jo vetëm qindra e miliona euro investime nga Komisioni Evropian, por qindra e milionë euro investime nga investitorët privatë të këtyre vendeve në Shqipëri dhe besimin e tyre te pasaporta e statusit të vendit kandidat. Shqipëria është bërë sot një nga vendet më tërheqëse për investimet e huaja. Në rast se vende të tjera pësuan një ulje prej 37 përqind të investimeve të huaja, në Shqipëri ato u rritën me 316 përqind dhe 4 vitet që vijnë investimet e huaja do të njohin rritjen më të madhe në historinë e vendit. Vetëm në energji ujore kanë nisur dhe vazhdojnë investime, të cilat me kaskadën e Devollit dhe hidrocentrale të tjera kapin vlerën mbi 2 miliardë euro. Së shpejti shqiptarët do të marrin lajmin e madh të gazsjellësit TransAdriatik si projekti i zgjedhur nga konsorciumi i detit Kaspik, për të sjellë gazin e këtyre fushave në Evropë nëpërmjet Shqipërisë. Ky projekt do të shoqërohet me gazifikimin e plotë Shqipërisë, ç ‘ka do të thotë për çdo familje shqiptare më pak shpenzim për ngrohje edhe për gatim. Kjo do të thotë potencial i jashtëzakonshëm për prodhim energjie dhe eksport të mëtejshëm të saj”- u shpreh Berisha. Ai premtoi mbështetje për projektet e zhvillimit të kryeqytetit, për ndërtimin e infrastrukturës dhe konkretizimin e projekteve madhore si bulevardi i Tiranës. “Mandati i ardhshëm do të jetë për ju edhe për të gjithë shqiptarët mandati i vendosjes së kryeqytetit tonë në piedestalin që e meriton, i nxjerrjes së tij nga balta në të cilën e dorëzoi ish kryetari i dështuar i bashkisë, pasi la 250 kilometër rrugë, rrugica dhe sheshe pallatesh të paasfaltuara, në baltë siç kanë qenë prej të gjitha kohërave. Ne në projektin tonë do të mbështesim fuqishëm bashkinë e Tiranës. Qeveria vetëm këto javë akordoi për qytetarët e Tiranës kredinë prej 60 milionë euro, në mënyrë që të ndërtohet bulevardi i ri, të ndërtohet zona rekreative e lumit Tirana. Qeveria është e vendosur ti akordojë çdo fond bashkisë së Tiranës, në mënyrë që Tirana në tërë qenien e saj të jetë simotër e metropoleve të tjera evropiane”- vijoi ai.
Berisha mesazh demokratëve: Fitorja është në dorën tuaj/Për vazhdimësinë e projektit për Shqipërinë e zhvilluar dhe Shqipërinë evropiane, kryeministri u drejtoi një mesazh demokratëve se fitorja e 23 qershorit është në dorë të secilit prej tyre. Ai kërkoi prej tyre që të prezantojnë te qytetarët e tjerë sa më qartë platformën e Partisë Demokratike. “Po hyjmë në fazën vendimtare të fushatës. Unë nga ky shesh kam një mesazh për ju - fitorja është në dorën tuaj! Atmosfera e jashtëzakonshme pozitive pret nga ju që të konvertohet në vota masive të qytetarëve shqiptarë. Kandidatët e Partisë Demokratike për zonën tuaj janë personalitete të shquara, të faktuara për kontributet madhore të tyre në jetën e vendit. E theksoj edhe njëherë - fitorja është në dorën tuaj! Atëherë ju do të bëni çdo gjë, çdo minuta, orë dhe çdo ditë të takoheni me çdo zgjedhës. Në rast se do të shpjegohet mirë platforma jonë, asnjë zgjedhës nuk ka arsyen më të vogël ta refuzojë atë. Kjo është platforma e integrimit dhe shqiptarët pa dallime partiake mbështesin integrimin. Kjo është platforma e zhvillimit, platforma e projekteve gjigante për Shqipërinë. Shqiptarët, pa dallime partiake, duan t ‘i gëzojnë ato. Kjo është platforma e punësimit dhe shqiptarët, pa dallime partiake, duan të punësohen; është platforma e mirëqenies, e rritjes së rrogave dhe pensioneve edhe shqiptarët, pa dallime partiake, i meritojnë ato. Le të organizojmë ne dhe të përkthejmë në vota mesazhin e shkëlqyer që japin sheshet e Shqipërisë, nga Saranda, në Kukës, në Peshkopi dhe kudo, të cilat ftojnë për një bashkim të paprecedentë të shqiptarëve në fitoren e 23 qershorit”- deklaroi ai.
Duke iu referuar investimit në godinën e Aviacionit Civil, kryeministri tha se kjo është dëshmi e ritmeve të shpejt me të cilat lëvizën shqiptarët në vetëm pak vite. “Vetëm pak vite më parë numri i pasagjerëve në aeroportin e Rinasit ishte rreth 700 mijë, sot është 1 milionë e 700 mijë. Duke llogaritur këtu edhe autobusin mavi”- theksoi kryeministri. Ndërsa dha edhe mesazhin e fundit, sigurisht që për Edi Ramën. “Le ta lëmë shokun në autobusin mavi. Ai pasi ka humbur çdo betejë me mua deri më sot, tani ka nisur betejën e moshës. Më duhet të përdor një fjalë të Ronald Reganit – “nuk jam unë përgjegjës për papjekurinë e kundërshtarit tim”. Se si do të fitojë ai kur humbi në 2009, humbi në 2011, ai e di. Ai do të mbetet në autobusin e tij ëndërrimtar, ç ‘është e vërteta në ëndrra të sëmura. Le ta çojë Qazimi (kryetari i bashkisë së Elbasanit) edhe një herë në Librazhd”- përfundoi kryeministri Berisha.