Berisha: Auditi i Brendshëm për kontrollin e financave te administratave
Shumë shpejt në administratën shtetërore do të veprojë Auditi i Brendshëm në kuadër të Kontrollit të Brendshëm dhe Menaxhimit Financiar Publik. Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha sot u zhvillua mbledhja e Komitetit Ndërministror për Integrimin.
Sipas një njoftimi për shtyp të zyrës së shtypit të kryeministrit i pranishëm në këtë mbledhje ishte dhe Robert Gielisse, Drejtor i Njësisë për Ballkanin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit në Komisionin Evropian, i cili bëri një prezantim rreth Kontrollit të Brendshëm dhe Menaxhimit Financiar Publik.
Sipas tij Auditi i Brendshëm është një partner shumë i rëndësishëm për një institucion, ai u shpreh se Kontrolli i Brendshëm Financiar Publik ka tri qasje kryesore: e para ka të bëjë me përgjegjshmërinë menaxheriale, e dyta ka të bëjë me Auditin e Brendshëm, e treta ka të bëjë me njësinë qendrore të harmonizimit.
Kryeministri theksoi se qeveria do të bëjë më të mirën për të fuqizuar e konsoliduar më tej Auditin e Brendshëm, si një mjet shumë i rëndësishëm për eficencën dhe transparencën, e cila mbetet për tu konsoliduar.