E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Auditi ndërkombëtar, Rama ka fiksuar ndonjë kompani dhe kërkon të ndajë paratë me të

01-08-2013 / Gazeta 55

Financat shqiptare janë transparente dhe gjendja ekonomike është solide
 
Këshilli i Ministrave miratoi dje disa vendime dhe projektligje të rëndësishme, në funksion të programit të qeverisë. Gjithashtu, kryeministri Berisha i dha sërish përgjigje insistimit të Edi Ramës për pajtimin e një kompanie ndërkombëtare, për të audituar financat e vendit. “Në rendin e sotëm ka disa projektligje dhe vendime, të cilat kanë të bëjnë me ‘gropën’ e financave shqiptare, siç po thotë piktori, i cili në mënyrën më të pakonceptueshme dëshmon se nuk ka “abc”-në e infrastrukturës së institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai ka një muaj që çirret, si duket ka fiksuar ndonjë kompani për të ndarë paratë me të, për kompani ndërkombëtare auditi, ndërkohë që Fondi Monetar Ndërkombëtar është kryeauditi botëror për çdo qeveri, për çdo vend të lirë dhe të dhënat e tij janë të dhënat ndërkombëtarisht më të besueshme. Po kështu edhe të Bankës Botërore, të Bankës së Shqipërisë dhe të Komisionit Evropian”, tha kryeministri Berisha. Kryeministri u shpreh se financat shqiptare janë financa transparente dhe se gjendja ekonomike është solide dhe kjo, natyrisht, në qoftë se nuk e sulmon me shpenzime. “Unë dua të theksoj edhe një herë se financat shqiptare janë financat më transparente. Çdo qindarkë që hyn në buxhetin e këtij vendi kalon nëpërmjet sistemit bankar dhe është lehtësisht e kontrollueshme dhe e publikuar. Çdo qindarkë që shpenzohet, shpenzohet nëpërmjet thesarit të cilin mund ta lexojë çdo qytetar shqiptar online. Se sa është borxhi, me përgjegjësi absolute ia thotë Banka e Shqipërisë dhe ministria e Financave që nuk kanë as edhe një qindarkë kundërshti nga njëra – tjetra në vlerësimin e borxhit. Pra ‘gropa’ në qoftë se është borxhi, ai është 62 përqind dhe është në përputhje me parashikimin. Natyrisht për shpenzimet, cilido që sheh katërmujorin e fundit, kanë qenë të reduktuara në minimum, sepse gjithnjë shpenzimet bëhen në katër muajt e parë. Kjo ka qenë një nga praktikat më të mira të qeverisë shqiptare. Ne nuk bëmë rishqyrtim të buxhetit, sepse kjo kërkonte një ujdi midis kësaj qeverie dhe qeverisë që vjen. Kërkonte që të uleshin së bashku, por kjo, siç e patë, me të gjithë gatishmërinë tonë atje pati vetëm revansh, revansh, revansh. E përjashtuan këtë mundësi, sepse në shtator normalisht duhet të shkonte buxheti i rishqyrtuar për katër muajt e fundit. Sidoqoftë, pavarësisht nga kjo, ne vendosëm siç kemi vendosur çdo vit që asnjë lloj prokurimi të mos mund të bëhet pa autorizim të Këshillit të Ministrave. Natyrisht me autorizim të Këshillit të Ministrave do të bëhet. Pra gjendja ekonomike është solide”- tha ai.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›