Berisha: BB u kujtua vonë për konfliktin e interesit
Skandali i Jalës vazhdon të mos jetë një debat i mbyllur për qeverinë shqiptare. Kryeministri Sali Berisha nuk tërhiqet nga ideja për t‘i shkuar deri në fund zbardhjes së të vërtetës së këtij projekti. Në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, kreu i qeverisë është shprehur se "nëse emri i Jamarbër Malltezit përbënte konflikt interesi, atëherë Banka Botërore duhet ta thoshte një gjë të tillë që në fillim dhe jo tani". Sipas Berishës, projekti i Jalës do të vazhdohet. Por, nga ana tjetër, vlen të theksohet se edhe Banka Botërore deri tani nuk është shprehur që projekti të pezullohet, përpos problemeve që kanë dalë. Kryeministri Berisha ka ripërsëritur në grup të njëjtat akuza, duke thënë se paneli i inspektimit është i korruptuar dhe paksa i pavarur nga banka. Shefi i qeverisë ka informuar grupin e tij parlamentar, se "bordi është i korruptuar nga pala shqiptare". Numri një i qeverisë sqaron grupin parlamentar demokrat mbi projektin e Jalës, duke bërë "avokatin mbrojtës" të dhëndrit të tij. "Banka Botërore ka bërë transparencën e procesit, ku merr të gjitha përgjegjësitë e veta", ka thënë Berisha, duke shtuar se qeveria do i kërkojë Bankës Botërore të hetojë korrupsionin e panelit të inspektimit. Teksa është shprehur se qeveria e tij do të bëjë të gjitha përpjekjet për zbatimin deri më një të ligjit dhe hetimit të këtyre problemeve, shefi i qeverisë nuk ka harruar të prononcohet përpara deputetëve demokratë edhe për dëmshpërblimin e banorëve, të cilëve u janë prishur ndërtimet. "Këto janë probleme tërësisht të Bankës Botërore. Banka në projekt ka parashikuar filmimet, anonçimet e filmimeve, ka parashikuar prishjet e ndërtimeve të paligjshme, ndërsa nuk ka parashikuar dëmshpërblimet. Por kjo është çështje e bankës dhe nuk është çështje e qeverisë shqiptare", u shpreh Berisha.