Libor dhe euribor, në minimum historik
Normat referuese ndërkombëtare të interesit për euron dhe dollarin shënuan rënie drastike gjatë muajve të fundit, sipas të dhënave të medias ndërkombëtare, por duket se shqiptarët nuk po përfitojnë shumë nga kjo gjë. Euribor dhe libor, të cilat janë normat e interesit ndërbankar për kredidhënie në sasi të mëdha përkatësisht në euro dhe dollar, janë pothuajse përgjysmuar gjatë dy muajve të parë të këtij viti, por interesat e ofruara në tregun shqiptar kanë njohur një rënie shumë më të ngadaltë. Euribor me afat tremujor, i cili u intereson shqiptarëve që sakaq kanë marrë kredi në euro apo planifikojnë të marrin një të tillë, ka rënë në 1.825% në fund të shkurtit, nga 2.895% që ishte në fillim të janarit dhe 4.7% që ishte gjatë vitit 2008. Libori tremujor, i cili është referues për koston e kredive në dollarë, ka rënë në 1.25%, nga 3% që ka qenë një vit më parë. Në Shqipëri, një numër i madh kredimarrësish mes bizneseve dhe individëve po ankohen për rritje të kësteve të kredive, ndërkohë që bankat kanë filluar të aplikojnë norma më të larta interesi për të mbuluar rrezikun në rritje.