E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, probleme me bankat për kredinë 300 milionë euro

Bëhen të vështira negociatat për marrjen e kredisë 300 milionë euro. Optimizmi i qeverisë nga prezenca e madhe e ofertave në tender duket se ka ngrirë, pasi në tri javë diskutimesh me bankat, ende nuk duket një zgjidhje konkrete. Ndryshe nga kredia 230 milionë euro e Rrëshen-Kalimashit, e marrë nga dy banka greke në qershor 2007 me interes 5.75 për qind (euribor + 1.25 për qind), kësaj here faktet paraqesin një situatë krejt të ndryshme. "Çështja është më komplekse se e para, ndikuar më së shumti nga situata aspak pozitive e sistemit financiar", tha për "Shqip", zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu. Ofertat nga gjashtë bankat e huaja janë paraqitur tri javë më parë në Ministrinë e Financave. Të premten e kaluar bankat paraqitën amendamentet e tyre rreth planit të qeverisë për të marrë borxh nga tregu i huaj 300 milionë euro, ndërsa në ditën e djeshme pritej shpallja e fituesve. "Deri tani kemi negociuar me bankat në mënyrë që të marrim interesin më të favorshëm, por edhe për të pasur një garanci më të madhe në disbursimin e shumës", nënvizoi Shehu. Ajo çka po ndodh aktualisht mes qeverisë dhe gjashtë bankave lidhet me zhvillimin e negociatave intensive për të përfituar kosto të ulët te kredia.

Interesat

"Faktet e deritanishme kanë treguar se interesat e paraqitura për shuma të ndryshme janë deri në 7 për qind. Lidhur me shumat e paraqitura nga bankat, kryesisht nuk janë të garantuara. Bankat nuk e zotërojnë të gjithë shumën, pasojë e krizës financiare. Për këtë qëllim kanë ofruar një pjesë, ndërsa diferenca do të gjendet më vonë në treg", vijon prononcimin zv/ministri i Financave. Por qeverisë i intereson e gjithë shuma 300 milionë euro dhe jo të ndara. Plani është i qartë. Borxhi nevojitet për t‘u përdorur në pjesën e parë të vitit, kohë kur parashikohen të inaugurohen rreth 180 projekte publike.

Bisedimet

Negociatat me bankat, në plan të parë duken të vështira, por zv/ministri Shehu tregohet optimist. "E para, kredia do të merret në formën e "syndicated loan", që do të thotë se ofrohet nga dy a më shumë banka. Deri tani nuk ka ndodhur që bankat të kenë ofruar një shumë të përbashkët", thotë Shehu. Lidhur me interesat, zv/ministri shpreson për arritjen e një niveli të pranuar, por hedh poshtë shansin (që konsiderohet pozitiv) për të arritur një normë tek 6 përqindëshi.

Plani

Qeveria ka ndryshuar disa herë plan, deri sa zgjodhi që kredinë do ta merrte në formë ankandi. Në fillim u tha se do të hidhej në tregun e huaj një eurobond me vlerë 150 milionë euro. Më pas vlera u rrit në 250 milionë euro, kriza po thellohej, ndërsa qeveria ndodhej në udhëkryq: eurobond apo ankand. Në fund zgjodhi ankandin, por duke rritur edhe kërkesën për 300 milionë euro kredi.

FMN: Shqipëria duhet të

përcaktojë limite për borxhin

Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e tij të fundit për Shqipërinë, thotë se vendi ynë ka nevojë për përcaktimin e rregullave bazë mbi deficitin maksimal vjetor dhe përcaktimin e një limiti për huamarrjen e qeverisë, çështje të cilat janë ende në fazat fillestare të shqyrtimit. Borxhi publik i Shqipërisë u ul në 52.6% të PBB-së gjatë vitit 2008 nga 52.8% që në vitin 2007, por FMN e programon uljen e borxhit në 42% të PBB-së deri në vitin 2013, gjë që bie ndesh me planet e qeverisë. Vetëm kredia e re prej 300 milionë eurosh do të rrisë borxhin publik tregtar të jashtëm me më shumë se 3% të PBB-së. Nga ana tjetër, ekspertët shqetësohen se ndonëse nuk klasifikohet si borxh publik, deficitet në rritje të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore do të rëndojnë buxhetin e shtetit për një kohë shumë të gjatë dhe se kanë funksionet e borxhit publik pavarësisht se nuk klasifikohen si të tillë. Për vitin 2008, buxheti mbuloi rreth 250 milionë euro shpenzime për sigurime shoqërore e shëndetësore, shifër kjo e barabartë me afërsisht 2% të PBB.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›