Gjergj Papa, kryetar i ri i PD-së së Korçës
Bode: PD, hapje ndaj shoqërisë civile
“Analizë për dështimet pjesore në Korçë”
Profesori i Universitetit “Fan Noli”, z. Gjergji Papa, është kryetari i ri i demokratëve të Korçës. Demokratët korçarë i besuan atij drejtimin e degës për një mandat 4-vjeçarë. Z. Papa fitoi dje përballë kandidatit tjetër, Andrea Mano, me rezultatin e votimit 312, kundrejt 151 pikëve që mori Mano i ardhur nga PDR-ja pas shkrirjes me PD-në. Profesori i “Fan Nolit” konfirmoi dje mbështetjen e gjerë politike në qytetin e Korçës, por edhe më gjerë. Ai ka qenë kandidat për kryetar të Bashkisë së Korçës dhe një prej intelektualëve pranë PD-së që në vitet ‘90. Papa mbart një aktivitet të tij intelektual, shoqëror dhe politik në Korçë, duke gëzuar një reputacion të gjerë në qytetin e serenatave, por edhe në rangjet më të larta intelektuale dhe akademike. Demokratët e rrethit të Korçës zhvilluan dje Kuvendin e 9-të për të analizuar punën e degës së PD-së në këtë rreth gjatë tre viteve të fundit, si dhe për të votuar strukturat e reja drejtuese të kësaj dege. Punimet e kësaj konference, me pjesëmarrjen e 482 delegatëve të dalë nga seksionet e fshatit dhe të qytetit, simpatizantëve dhe mbështetësve të PD-së, u përshëndetën nga i deleguari i PDSH-së, sekretari i Përgjithshëm, z. Ridvan Bode, i cili vlerësoi demokratët korçarë për angazhimin dhe kontributin e dhënë në përhapjen e ideve dhe programit qeverisës të PD-së. Ministri i Financave vuri në dukje se PD-ja synon një tjetër hapje ndaj shoqërisë civile në prag të zgjedhjeve të reja. Për demokratët nuk janë të rëndësishëm emrat që do bëhen pjesë e PD-së, por procesi gjithëpërfshirës. Z. Bode foli që nga Korça për zgjerimin e partisë me prurje të reja. Ai vuri në dukje se “ky proces u pri nga ideja e ripërtëritjes së PD-së dhe kjo nuk ka të bëjë thjesht me ripërtëritjen moshore, me tërheqjen e një numri më të madh të rinjsh si anëtarë të PD-së, por edhe me hapjen, zgjerimin e partisë ndaj grupeve shoqërore dhe grupeve të interesave që gjejnë tek PD idealet dhe shpresat e tyre”. Z. Bode shtoi se “hapja dhe zgjerimi i PD-së ndaj universiteteve, intelektualëve e të rinjve, përbën një potencial shtesë në sfidat që kemi përpara”. Thelbësor në këtë proces, - vijoi ai, - nuk janë emrat, por është vetë procesi gjithëpërfshirës e mobilizues për të gjithë anëtarët e PD-së. Duke u ndalur në faktin se PD në zgjedhjet lokale ka humbur Bashkinë e Korçës, z. Bode kërkoi analizë e reflektim për dështimet pjesore, jo përmes debatesh boshe e akuza të pavlera, por përmes motivimit e inkurajimit të individëve më të përkushtuar, kandidatëve për kryetarë dhe kryesisë së re që mund t’i japin një impuls të ri dhe ritëm më të madh punës së PD-së dhe betejës së saj politike në rrethin e Korçës. Në këtë Kuvend, z. Bode tërhoqi vëmendjen se “të zgjedhurit dhe të emëruarit që përfaqësojnë PD-në, anëtarësinë e saj, nuk kanë ushtruar sa duhet përgjegjësitë që vijnë prej mandatit politik dhe nuk kanë reflektuar sa duhet ndaj vërejtjeve, sugjerimeve dhe propozimeve të bëra nga anëtarësia”. Ai kërkoi nga stafi i ri që do të zgjidhet prej votimeve të Kuvendit të 9-të të degës së PD-së në Korçë, që të ndalet në analiza më të detajuara, për të parë rezultatet e çdo njësie, komune apo bashkie dhe për të kërkuar përmirësimin e shpejtë të gjendjes. Z. Bode u ndal dhe në arritjet e qeverisjes demokratike, duke nënvizuar se “qeverisja e PD-së dhe aleatëve të saj të djathtë mundësoi ndryshimin e dukshëm të Shqipërisë”. Ai përmendi arritjet e proceseve integruese, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, i cili tre vjet më parë ishte i ndaluar për shkaqet e qeverisjes dhe nivelit të lartë të korrupsionit të saj. “Ne sot jemi një vend kandidat dhe me shpejtësi po shkojmë për t’u përfshirë në proceset integruese të BE-së, procese këto që avancojnë çdo ditë e me lajme pozitive na inkurajojnë për të progresuar më shpejt në reforma dhe përafrimin e funksionimit të institucioneve tona me ato perëndimore”, - shtoi ai. Ndarja e shtetit nga krimi, dominimi i bandave të lidhura me pushtetin, u veçuan nga z. Bode si faktorë që i dhanë kredibilitet qeverisjes së PD-së për të vazhduar integrimin në strukturat euro-atlantike. “Qeveria jonë dëshmoi vullnet për të dominuar edhe mbi një të keqe të madhe që kishte pushtuar institucionet e shtetit në qeverisjen e mëparshme, siç është ai i korrupsionit”, - solli në vëmendje z. Bode, duke shprehur kënaqësinë se në tërësi qeverisja e PD-së është ballafaquar me opinionin publik me një stad të nivelit të lartë e ndjenjë qytetare të madhe.
Suedia, pro Shqipërisë në BE
Suedia, e cila në qershor merr kryesimin e Bashkimit Evropian, është e qartë në mbështetjen e saj për kërkesën që Shqipëria do të dorëzojë për statusin e vendit kandidat në BE. Kjo u konfirmua dje nga Kryeministri suedez, Fredrik Rajnfeld, në takimin që ai pati me Kryeministrin Sali Berisha në Davos të Zvicrës. Kryeministri e njohu homologun suedez lidhur me reformat për arritjen e standardeve të kërkuara, ndërsa Rajnfeld u shpreh se Suedia është një vend që favorizon zgjerimin e BE-së me vende të Ballkanit Perëndimor. Gjatë bisedës për procesin e liberalizimit të vizave, z. Berisha e njohu Kryeministrin suedez me hapat e ndërmarra në këtë drejtim, siç janë pajisja e qytetarëve me kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike, modernizimi i kontrollit të kufijve, si dhe e siguroi Kryeministrin suedez se Shqipëria do të nënshkruajë çdo marrëveshje me vendet e BE-së për riatdhesimin dhe ekstradimin e të dënuarve dhe çdo marrëveshje tjetër, që do të favorizojë procesin e integrimit të vendit në BE. Lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, Kryeministri Rajnfeld tha se Suedia është një vend që favorizon zgjerimin e BE-së me vende të Ballkanit Perëndimor dhe u shpreh qartësisht pozitiv për procesin e Shqipërisë si vend kandidat. Suedia është e pranishme në vendin tonë dhe me projekte në fushën ushtarake, ku kompania suedeze SAKAB AB është pjesë e marrëveshjes teknike për asgjësimin e stokut të përbërësve të karburantit të raketave “Melanzhi”.