Spanjë, godet të birin me shpullë, dënohet me burg
Një nënë spanjolle është dënuar nga gjykata e Jaen, në qytetin spanjoll Andalusia, me 45 ditë burg vetëm për një shpullë që goditi djalin e saj 10-vjeçar, se nuk kishte bërë detyrat. Gjykata ka vendosur që përveç kësaj mase, t’ia largojë djalin nga shtëpia për një periudhë njëvjeçare. Masa në dukje absurde, është përshëndetur nga Shoqata për të Drejtat e Fëmijëve, që e ka përkufizuar atë seancë mjaft “korrekte”, duke afirmuar se ligji tani “për fat të mirë i ndalon keqtrajtimet e fëmijëve”. Maria del Saliente e kishte qortuar të birin se nuk i kishte bërë detyrat e shtëpisë dhe se kishte gënjyer. Vogëlushi, i cili edhe sipas gjykatësit “ka një karakter të vështirë e mosbindës”, e ka goditur nënën e tij me këpucë dhe është mbyllur në banjë. Gruaja ka hapur me forcë derën e banjës duke bërë që i biri, i cili e mbante derën nga ana tjetër, të binte në tokë. Nëna e ka ngritur djalin duke e kapur nga fyti dhe e ka goditur me shpullë. Kjo goditje ka bërë që djali të përplaset pas lavamanit duke dëmtuar aksidentalisht hundën, që ka nisur të rrjedhë gjak. Të nesërmen në shkollë mësuesi i 10-vjeçarit kishte vënë re se në hundën e tij kishte pak gjak dhe e kishte pyetur djaloshin se çfarë ka ndodhur. Që këtu ka nisur një aktpadi kundër nënës. Gjykata e ka shpallur fajtore nënën për mungesë logjike e qetësie dhe e ka dënuar, përveçse me 45 ditë burg, të mos i afrohet të birit më afër se 500 metra për një vit.