E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debat politik dhe ndoshta referendum kombëtar për energjinë

Nga Lavdosh Ferruni

Z. Baze shkroi pas vizitës në Shqipëri të Berluskonit, i cili do të mbahet mend si i pari kryetar i një shteti të huaj që në sfondin e vizitës së tij në këtë vend pati dhe një reagim jodashamirës (madje therës për të), ndaj misionit të tij nga një pjesë e publikut shqiptar, se nevojitet një debat politik për çështjet e energjisë në Shqipëri. Pa dyshim që duhet ky debat madje menjëherë, por a mjafton? Vetëm disa orë pas nënshkrimit të marrëveshjeve midis qeverisë së Shqipërisë dhe Italisë për dy vepra gjigante energjitike të instaluara në bregdetin shqiptar, përkatësisht në Karaburun dhe në bregdetin e Fierit, me qëllim të produktit përfundimtar në Itali, shpallet, këtë radhë nga Presidenti i Republikës, vullneti për t’u ndërtuar po në bregdetin e Shqipërisë terminali i naftësjellësit gjigant, AMBO.

Presidenti bullgar, z. Parvanov, dhe presidenti i Shqipërisë, z. Topi, ranë dakord që në samitin që do mbahet në 2009 në Sofje, me iniciativë të vetë z. Parvanov, se AMBO është një projekt i rëndësishëm që do ketë vëmendje në këtë samit. Njësoj si për Kodin Elektoral dhe Kushtetutën, madje edhe më “suksesshëm” parlamentarët e kësaj legjislature kanë votuar 100% pro rezolutës së ndërtimit të AMBO-s, që në fakt është vepra me rezultante të pastër negative në ekonomi dhe dëm të madh në ekologji.

Disa javë më parë u nënshkrua ndërtimi i nyjës energjitike të Lezhës në prani të ministrit të Berluskonit, z. Frattini, që gjithashtu do të ketë një kabllo nënujore për të transportuar energjinë prej TEC-ve që parashikohen të ndërtohen këtu drejt Italisë. Pak ditë më parë u miratua nga qarku i Durrësit ndërtimi i super TEC-it me qymyr në Porto Romano, i cili gjithashtu parashikon një linjë kabllore nënujore drejt Italisë për transmetimin e energjisë atje. Ndërkohë, një vendim i ditëve të fundit i qeverisë i jep kompetenca të veçanta kryeministrit lidhur me procedurat për centralin bërthamor.

Kështu, thuajse e gjithë hapësira e bregdetit Adriatik dhe pjesërisht atij jonian vihen në dispozicion të skalioneve energjitike për tregun italian dhe më gjerë.

Nëse qeveria dhe opozita kanë vullnetin për të pranuar një debat për çështjet e energjisë, që në fakt është detyrim ligjor, do të ishte në të mirë të vendit, i cili me vendimmarrjet e mësipërme ndryshon komplet ADN e Shqipërisë, duke e orientuar atë plotësisht në një vend që thjesht përdor territorin e vet për të gjeneruar energji apo tranzituar lëndë energjitike me shkallë të lartë ndotje me destinacion tregjet e huaja. Në mënyrë katërcipërisht të vërtetuar këto lloj industrish afektojnë negativisht zhvillimet ekonomike të degëve të tjera në vend, turizëm, peshkim, bujqësi dhe kanë një kosto të lartë sociale dhe ekologjike. Por qeveria aktuale në ikje e sipër nuk duket të ketë as vëmendjen më të vogël për të pasur një diskutim publik për këtë temë, që përcakton fatet e Shqipërisë në të ardhmen. Opozita në mënyrë të pakuptueshme po hesht. Klasa politike shqiptare ndodhet në një nivel përgjegjshmërie edhe më të vogël se ajo e periudhës së parlamentit të viteve ‘20, ku gjithashtu çështja e koncesioneve në fushën e energjisë ka qenë temë prioritare. Është e papranueshme që vendime të tilla si këto që kemi përmendur më sipër lidhur me sektorin e energjisë t’i lihen në dorë një kryeministri në ikje, apo një parlamenti të anatemuar si i sajuar keqas, “Dushkut të madh”. Të gjitha këto projekte duhet të ngrijnë deri në zgjedhjet e ardhshme dhe partitë që do hyjnë në zgjedhje duhet të përballen me elektoratin për këtë temë. Ka dhe një alternativë tjetër që partitë elektorale të hyjnë në zgjedhje duke i premtuar popullit që për çështje të energjisë do t’i kërkonin atij vetë të vendos me referendum, i cili duhet të ketë pak a shumë kontekstin që populli të shprehet, nëse është pro apo kundër veprave energjitike në bregdetin shqiptar me destinacion tregun e huaj. Por kjo vendimmarrje që edhe po shpaloset në gjuhën italiane nga kryeministri i Shqipërisë kurrsesi nuk mund të kaloj kaq lehtë. Në mos qoftë i aftë sot populli të kërkojë të drejtën e vet për pjesëmarrje në vendimmarrje, ai do ta bëjë atë me siguri nesër, kur të shohë dëmin, por pa mundur ta zhbëjë atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›