E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Basha ktheu Tiranën blu, por ne do të presim institucionet

24/05/2011  Kryeministri shprehet se vota popullore jep garanci për zgjedhjet e përgjithshme

Kryeministri Sali Berisha tha dje në mbledhjen e grupit parlamentar se udhëzimi për të evidentuar votat e hedhura gabimisht në kutitë e tjera u është dhënë komisionerëve që më datën 12 maj, kur Basha ishte rreth 1 mijë vota përpara Ramës. Sipas kryeministrit, ky udhëzim s’ka pasur asnjë qëllim tjetër vetëm se zbatimin e ligjit dhe trajtimin si të barabartë të çdo vote. Nga ana tjetër, kryeministri tha se pas numërimit të saktë të votave Basha është 78 vota para dhe Tirana tashmë është blu, si pasojë e një fushatë të shkëlqyer të kandidatit të PD-së, por gjithsesi do të priten të gjitha shkallët. “Edhe një herë theksoj se mashtrimi se Partia Demokratike e filloi këtë kur përfundoi numërimi, ekzistojnë të gjitha procesverbalet, të dashur deputetë, se filloi në datën 12, kur zoti Basha ishte të paktën 1000 vota para, s’ka pasur të bëjë dhe nuk ka të bëjë fare me asnjë tendencë tjetër, por vetëm me numërimin e votës së çdo qytetari shqiptar”, - tha kryeministri. Sipas tij, nga data 29 mars e deri më 4 prill KQZ-ja ka funksionuar si KZAZ qendrore për Tiranën plot 32 herë, duke kryer regjistrimet për anëtarët e këshillit bashkiak apo kandidatët për Tiranën - Rama, Basha dhe Milloshi. Sipas kryeministrit, në një vend të lirë duhet të lexohet qartë çdo votë, pasi në të është shprehur vullneti i zgjedhësit, një e drejtë që sipas tij çdo shqiptari ia garanton Kushtetuta dhe neni 42 i saj. Ndërkohë Berisha nuk la pa përmendur edhe një herë rezultatin në votë popullore, i cili konfirmoi dhe një herë qartë se qeveria dhe koalicioni që ai drejton ka mbështetjen e shumicës së shqiptarëve, plot 17 për qind më shumë se kundërshtari. Sipas tij, në rast se 140 mijë votat do të ktheheshin në mandate për maxhorancën aktuale, sot shumatorja e votave në Kuvend do ishte akoma më e madhe, duke e quajtur këtë një prelud për fitoren e vitit 2013, që gjithsesi, siç tha kryeministri, duhet të ngrihet në çdo metër katrorë të këtij vendi, duke dhënë kështu dhe një mesazh të qartë për kundërshtarin politik

Tirana blu

“Në këtë fushatë pas 11 vjetësh Tirana kthehet në blu, dhe kjo është një nga arritjet me të mëdha në histori. Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për qytetarët e Tiranës për votën e tyre evropiane, për votën e tyre blu. Sot koalicioni qeverisës qeveris 7 nga 11 minibashkitë e kryeqytetit”, - tha kryeministri

Njësia nr. 8

“Në zonën zgjedhore nr. 8 komisioneri i PS-së, për të dëmtuar kandidatin tonë, në mënyrë mashtruese ia doli të mos vendoste vulën në 10 vota, që të gjitha janë për zotin Basha. Po në këtë zonë KZAZ-ja, e dominuar nga socialistët, nuk pranoi të inkludojë në tabelat e numërimit 46 vota. Ne kemi të dhëna të sigurta se Basha aty kryeson mirë.”

Meta mbledh kryetarët

Vetëm në Tiranë morëm 70% më shumë se më 2009-n

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, mblodhi dje kryetarët e degëve të LSI-së në rrethe, ku i falënderoi për rezultatin e arritur në zgjedhjet lokale. Sipas tij, në këto zgjedhje vetëm në Tiranë LSI-ja mori një rezultat rreth 70% më shumë se në zgjedhjet e vitit 2009. “Një falënderim i veçantë i takon LSI-së së Tiranës për punën e mrekullueshme që ka bërë, duke siguruar gati 21 mijë vota për këshillin bashkiak dhe më shumë se 23 mijë vota për këshillat e njësive bashkiake. Në qytetin e Tiranës LSI-ja ka arritur rezultatin e saj më të mirë ndonjëherë, gati 70% më shumë vota sesa në zgjedhjet e vitit 2009. Po kështu edhe një falënderim për të gjithë qarkun e Tiranës, ku LSI-ja ka gati mbi 30 mijë vota në këto zgjedhje dhe ku përsëri rezultati është gati 65% më i lartë se në zgjedhjet e vitit 2009. Do të doja të falënderoja LSI-në e Shkodrës për një rritje shumë të ndjeshme dhe shumë të fuqishme në qytetin dhe në të gjithë rrethin e Shkodrës. Do të falënderoja LSI-në e Beratit, edhe këtë për një rritje shumë pozitive dhe të qëndrueshme, duke arritur rezultatin më të mirë që ka pasur ndonjëherë në zgjedhjet e bëra, por po kështu edhe LSI-në e Durrësit, sidomos të qytetit; LSI-në e Elbasanit, por edhe të shumë njësive të tjera vendore. Nuk do të doja sot të kritikonim dikë, por atyre që nuk u doli emri kuptohet që nuk bëjnë pjesë te më të mirët dhe më të mirët gjithnjë është e rëndësishme t’i promovojmë dhe të mësojmë nga mënyra se si punojnë dhe nga mënyra se si arrijnë dhe tejkalojnë objektivat e vendosura, sepse, në fund të fund, në demokraci garat janë shumë të rëndësishme”, - tha Meta

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›